“Pakti për Universitetin”/ Kontrolli Anti-Plagjiaturë do të realizohet përmes platformës së mirënjohur “Akademia”

606
Sigal

Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, hidhet tashmë një tjetër hap shumë i rëndësishëm për sigurimin dhe kontrollin e integritetit shkencor të akademikëve shqiptarë.
Në një takim të zhvilluar sot pranë ambienteve të MASR mes Ministres Shahini, përfaqësuesve të Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH) dhe drejtuesve të universiteteve publike në vend, është dakordësuar për blerjen dhe përdorimin e platformës së mirënjohur “Akademia” – një softuer kontrolli anti-plagjiaturë e bazuar në ueb i cili do të mundësojë detektimin e punimeve me plagjiaturë.
Gjatë takimit, Ministrja Shahini u shpreh se “qeveria shqiptare do të jetë ajo e cila do të sigurojë blerjen e përdorimit të këtij softueri përgjatë 1 viti fazë pilotimi dhe do t’ja vendosë në dispozicion IAL-ve për të kryer kontrollet e punimeve shkencore”.
Programi arrin përmes proceseve të vazhdueshme të kërkimit të pasurojë databazën duke kërkuar artikuj, dokumente dhe literaturë digjitale. Procesi i gjenerimit të informacioneve kryhet përmes programeve për grumbullim të informacionit dhe procesimit të tyre, ndërsa raporti i plagjiaturës gjenerohet përmes krahasimit të fjalive dhe kalkulimit të ngjashmërisë së tyre.

Platforma “Akademia” ka krijuar një arkivë gjigande përgjatë 3 viteve të kaluara, e cila vazhdon të popullohet çdo ditë e më shumë. Gjithashtu, “Akademia” ka siguruar qasje në arkiva të njohura ndërkombëtare për të rritur cilësinë e kontrollimeve të dokumenteve.