Paguhet majmë shërbimi, por siguria nuk ekziston në këtë parking

709
Në vendin tonë ndodh rëndom që të paguash, por të mos marrësh asnjë siguri për atë që ke paguar. I tillë është rasti me parkingun në Aeroportin e Rinasit, ku edhe pse për të parkuar automjetin duhet të paguash një shumë të madhe parash, e cila është tepër e majme, përsëri nuk merr sigurinë të plotë për këtë shërbim. Parkingun në Aeroportin e Rinasi e ka marrë kompania “STAR PARKING ALBANIA” me koncesion, duke e pajisur me licencë këtë parking. Deri këtu është gjithçka në rregull, por fenomeni, i cili ka shqetësuar shumë qytetarë, të cilët nga nevoja kanë përdorur këtë parking në disa raste dhe automjetet apo sendet e tyre kanë pasur probleme, asnjë nuk është marrë me këtë fenomen, duke mos marrë asgjë përsipër në lidhje me problemet që janë shkaktuar qofte me dëmtimin e automjetit apo dhe probleme të tjera, të shkaktuara gjatë kohës së qëndrimit brenda këtij parkingu privat. Mungesa e përgjegjësisë nga ana e drejtuesve të kësaj kompanie private, e cila e ka privatizuar, ka sjellë jo pak shqetësime për qytetarët, të cilët në shumë raste kanë dalë me automjet të dëmtuar nga ky parking, edhe pse për shërbimin e marrë kanë paguar aq sa është tarifa e përcaktuar, por në lidhje me dëmtimet brenda këtij territori, askush nuk merr përsipër nëse mjeti dëmtohet apo pajisje të tjera humbasin gjatë kohës që automjeti është i parkuar. Në lidhje me mos mbajtjen e përgjegjësisë në rast dëmtimesh, është e shkruar një pikë, saktësisht pika 8 në rregulloren e parkingut, ku thuhet “Star Parking Albania Sh.p.k, nuk do të jetë përgjegjës për dëmtimet direkte dhe/ose indirekte të shkaktuara nga përdoruesit e tjerë të parkingut, ose dëmtime, vjedhje, ose tentativa për vjedhje të mjeteve, sendeve të tjera (radio, rrota rezervë, etj) ose bagazhe dhe artikuj të tjerë të ndodhur brenda ose jashtë mjetit në fjalë”. Pra këtu thuhet që edhe pse duhet të paguash për shërbimin e marrë, siguria nuk ekziston, edhe pse në fillim të kësaj rregulloreje thuhet: “Parking të supervizuar nga hyrja në dalje”. Pra në këtë rast të thuhet se gjithçka është nën kontroll të plotë dhe në fund nuk mbahet përgjegjësi për dëmtimet që mund të ndodhin… Edhe pse pika 11 e kësaj rregulloreje thotë: Çdo/të gjitha ankesat nga përdoruesit e parkingut për sa i përket respektimit efiçent të operimit të parkingut dhe sjelljes së stafit të parkingut, duhet të bëhen në mënyrë të shkurtuar dhe të paraqiten tek drejtori i parkingut meqenëse të gjitha kontaktet e tjera personale në lidhje me punonjësit e parkingut janë rreptësishtë të ndaluara”. Por kjo e fundit nuk është respektuar nga askush, edhe pse ankesat nga qytetarët për dëmtimet e automjeteve nuk kanë qenë të pakta, por përgjigja që ata kanë marrë, ka qenë: “ne nuk mbajmë përgjegjësi për dëmtimet që ndodhin brenda parkingut”, një përgjigje kjo, që nuk qëndron, sepse përderisa paguan për të marrë shërbimin, atëherë duhet të të ofrohet edhe siguria. Por në këtë rast, në Aeroportin e Rinasit, kjo siguri nuk të ofrohet edhe pse pagesa është e majme. 



Sigal