Pagat e deputetëve dhe ministrave do të rriten me 25%

1871
Përparim HALILI
Gati rritja 25% e pagës së deputetëve e ministrave, rritje 30% për drejtorët dhe prefektët
Deputeti ka pagë 166 milionë lekë në 4 vjet, ose 233 herë më tepër në muaj, se ndihma ekonomike e një 18-vjeçari të papunë
Me gjithë shpërblimet që i jepen, deputetit i shkon paga mujore 22% më e madhe se paga e Presidentit të Republikës, plus 2% shtesë page në muaj për çdo vit pune të siguruar dhe deputetit që ka 25 vite punë, i bëhet paga totale 4 milionë e 560 mijë lekë të vjetra…

Ndërkohë që kryeministri po pyet popullin, se çfarë platforme duhet të hartoj e zbatoj qeveria kundër varfërisë për të eliminuar ndihmën ekonomike, për të ligjëruar minimumin jetik, për të rritur pagën minimale, për të hapur vende pune, për të rritur pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe jetimeve, burime nga brenda kupolës së “rilindjes”, na informuan se po përgatitet një projekt-vendim, për rritjen e pagave të deputetëve, ministrave, drejtorëve të drejtorive nëpër ministri e rajone, të këshilltarëve, sekretarëve të përgjithshëm, shefave të ushtrisë, ambasadorëve, konsujve, krye-policëve, krye-tatimorëve, krye-doganierëve, prefektëve, kryetarëve të qarqeve, kryetarëve të bashkive. Ky projekt-vendim, siç thuhet do të miratohet në shtator 2017, në mbledhjen e parë të qeverisë “tepsia vetëm” (por ku do të “hanë” të gjithë shtetarët). Kjo rritje është vazhdim i vendimit të datës 24 dhjetor 2014, që “vulosi” rritjen e pagave dhe shpërblimeve të deputetëve, rritje që nisi nga data 1 janar 2015, të cilin e denoncoi vetëm gazeta “Telegraf” dhe mohoi publikisht deputeti Erjon Braçe duke na kërcënuar edhe me “gjyqe për shpifje”, por që në janar 2015 shkoi e morri pagën e re mujore 3 milionë e 750 mijë lekë, bashkë me shpërblimet e shtesat e reja! Kujtojmë, që krahas vendimit të datës 24 dhjetor 2014, qeveritarët miratuan edhe një vendim për mos-rritjen e pagave dhe pensioneve të popullit për 3 vitet 2015-2016-2017, vendim të cilin e zbatuan deri në mars 2017, kur për efekte elektorale shtuan pagat dhe pensionet minimale me 3%-10%! 
Paga të “majme” për vete, paga e pensione lëmoshë për popullin
Projekt-vendimi që po “gatuhet” nga pushteti i “tepsisë vetëm” e që pritet të miratohet në shtator, parashikon rritje me 25% të pagave të deputetëve e ministrave dhe rritje me 30% të zyrtarëve të lartë shtetërorë në varësi të kryeministrit, kreut të kuvendit, deri tek diplomatët, drejtorët rajonalë, prefektët e krye-bashkiakët. Sipas llogarisë, kjo rritje krijon një vlerë të ardhurash financiare të mëdha për shtetarët, mbasi paga dhe shpërblimet e tyre mujore zyrtare, arrijnë vlerën mbi 3.5 milionë lekë të vjetra, pa llogaritur pagesat mujore që këta të pangopur e të pashpirt, marrin si anëtarë bordesh e komisionesh jashtë pozicioneve të tyre shtetërore. Nëse bëhet krahasimi, konstatohet diferenca me 10-30 herë më të ulëta, që pagat dhe pensionet minimale e mesatare të “popullit”, kanë me pagat mujore të ministrave e deputetëve, drejtorëve, prefektëve, këshilltarëve dhe sekretarëve të ministrave! Paga dhe pagesa mujore e një deputeti është sa 15 paga mujore minimale zyrtare, sa 9 paga mësuesi, sa 8 paga polici, sa 35 pensione minimale fshati, sa 27 pensione minimale qyteti, sa 116 pagesa ndihme ekonomike, sa 35 pensione invaliditeti. E po kështu, paga zyrtare (në bordero) e një ministri është disa herë më e lartë se pagesat e shqiptarëve të punësuar në shtet, por që nuk janë pjesë e kupolës politike e familjare të shtetit! Ndërkohë që shqiptarët me ndihmë ekonomike, të papunë, invalidë, jetimë, të moshuar të braktisur apo të vetmuar prej fatit, nuk kanë lekë as të udhëtojnë për një vizitë mjekësore drejt qendrave të prefekturave, ku i kanë çuar spitalet “profesorët” e koncesioneve të ‘Rilindjes”, deputetëve dhe ministrave u paguhet nga shteti çdo trajtim mjekësor, deri në 40 milionë lekë të vjetra. U paguhet çdo udhëtim brenda dhe jashtë Shqipërisë. U paguhet çdo natë fjetje në hotel (dashnoreve ua paguajnë vetë). U paguhet çdo impuls telefoni që harxhojnë deri në 17 mijë lekë të reja në muaj, ose sa dy pensione invalidi! U paguhet çdo kilometër udhëtim që bëjnë, u paguhet çdo mbledhje pune që bëjnë brenda orarit zyrtar në parlament, pra “thelë mbi bisht”! Ndërsa pagesa e ndihmës ekonomike për një person “në e mbi” 18 vjeç është 33 lekë të reja në ditë, paga e 1 dite pune për deputetin është 7125 lekë të reja, ose 233 herë më shumë se kjo pagesë ekonomike e një 18 vjeçari të papunë! Ndërsa pensioni i një invalidi është 330 lekë të reja në ditë, paga ditore e një ministri është 7200 lekë të reja! E sikur të mos mjaftonin pagat e larta mujore, deputetëve u jepen edhe pagesa e shpërblime shtesë, dieta ushqimi, udhëtimi, karburanti, telefoni, hoteli, qiraje banese. E sikur të mos mjaftonin këto, për kryetarët e grupeve parlamentare të partive me mbi 10 deputetë, jepet 15% shtesë mbi pagën bazë mujore të deputetit. Ndërsa për kryetarët e grupeve parlamentare me më pak se 10 deputetë, jepet 5% shtesë mbi pagën bazë mujore të deputetit. Për 1 pjesëmarrje në mbledhjen e Komisionit Parlamentar, deputeti paguhet me 2 mijë lekë të reja shtesë mbi pagën mujore për 12 mbledhje në muaj ose 24 mijë lekë të reja në muaj, që janë sa 2 pensione pleqërie qyteti. Janë shumë shpërblime e pagesa të tjera që i jepen deputetit, duke e bërë pagën e tij mujore 22% më të madhe se paga e Presidentit të Republikës, ose 378 mijë lekë të reja në muaj! Sikur të mos mjaftonte kjo, paga e tyre është menduar (vendosur) të rritet edhe me 25%, ndërsa pagat e zyrtarëve të lartë dhe shtetarëve të tjerë lokalë, do të rritet me 30%! Të mos harrojmë, që për çdo vit pune të siguruar, deputeti merr 2% shtesë të pagës mujore deri në 25 vite vjetërsi, pra deputeti që ka 25 vite punë, përfiton çdo muaj edhe 50% të pagës bazë mujore ose 780 mijë lekë të reja në muaj, që do të thotë, se paga totale i shkon në 4 milionë e 560 mijë lekë të vjetra. Përse të mos “përleshen” politikanët për t’u bërë e për të qëndruar deputetë?! 
Deputeti, ja paga dhe shpërblimet mujore që përfiton 
1. Paga mujore: 156 mijë e 750 lekë (22 ditë). 
2. Paga ditore: 7125 lekë në ditë. 
3. Përfiton 2 mijë lekë të reja për çdo mbledhje komisioni (12 mbledhje në muaj).
4. Përfiton: 24 mijë lekë të reja në muaj, për pjesëmarrje në sesionet normale 
5. Përfiton: 40 mijë lekë të reja në muaj, për mbledhjet në komisione të veçanta. 
6. Përfiton: 2500 lekë të reja, për çdo mbledhje të konferencës së kryetarëve
7. Përfiton: 6271 lekë të reja, për çdo ditë shërbim në zonën ku është deputet.
8. Përfiton: 6 dieta në muaj, me nga 6271 lekë të reja, ose 38 mijë lekë të reja në muaj. 
9. Përfiton: 12 dieta mujore në muaj me vlerë 6271 lekë të reja secila, ose 75 mijë e 252 lekë të reja në muaj, çdo deputetë që nuk është banor i Tiranës
10. Përfiton: 3 mijë lekë të reja për çdo natë fjetje në hotel jashtë rrethit të Tiranës, gjithsej 12 net fjetje ose 36 mijë lekë të reja në muaj.
11. Përfiton: 20 mijë lekë të reja në muaj pagesë telefoni celular, kryetari i komisionit parlamentar 
12. Përfiton: 17 mijë lekë të reja në muaj pagesë telefoni celular, deputetin i thjeshtë
13. Përfiton: 35 mijë lekë të reja në muaj, për transport publik.
14. Përfiton: 10 mijë lekë, pagesë telefoni “Fiks” që përdor në familje
15. Përfiton: 15% shtesë page, kur është anëtar i grupit parlamentar me 10 deputetë 
16. Përfiton: 15% shtesë page, kur është anëtar i grupit parlamentar me më pak se 10 deputetë 
17. Përfiton: 5% shtesë page, kur deputeti është kryetar i Komisionit Parlamentar 
18. Përfiton: 2500 lekë të reja për çdo mbledhje të komisionit parlamentar, deputeti që është kryetar komisioni (12 mbledhje në muaj)
19. Përfiton: 2200 lekë të reja për çdo mbledhje të komisionit parlamentar, deputeti që është n/kryetar komisioni (12 mbledhje në muaj)
20. Përfiton: 166 milionë lekë të vjetar pagë mujore, dieta dhe shpërblime në në 4 vite mandat deputeti.
REALITET SOCIAL-2017
Ja me çfarë duhet të jetojë çdo ditë, një 18 vjeçar i papunë, që trajtohet me 990 lekë të reja ndihmë ekonomike në muaj
– Me 4 lekë bukë
– Me 2 lekë vaj
– Me 2 lekë makarona
– Me 2 lekë oriz
– Me 2 lekë sheqer
– Me 2 lekë kripë
– Me 2 lekë fasule
– Me 1 lekë perime 
– Me 1 lekë sapun
– Me 1 lekë veshje
– Me 1 lekë udhëtim
– Me 1 lekë energji
– Me 1 lekë mish
– Me 1 lekë ujë
– Me 1 lekë fruta
– Me 1 lekë kafe
– Me 1 lekë detergjent
– Me 1 lekë ngrohje
– Me 1 lekë mjekësi
– Me 1 lekë telefon
– Me 1 lekë fatkeqësi
– Me 1 lekë gëzime
– Me 1 lekë fatkeqësi
– Me 1 lekë “Instagram”, që të falënderojë kryeministrin për… mirëqenien e lartë
Ja taksat e shqiptarëve, të bëra paga për deputetët 
1. Deputeti me 7 mandate, ka marrë 1.1 miliardë lekë milionë lekë 
2. Deputeti me 5 mandate, ka marrë 720 milionë lekë
3. Deputeti me 4 mandate ka marrë 576 milionë lekë
4. Deputeti me 3 vite mandat, ka marrë 432 milionë lekë
5. Deputeti me 2 mandate, ka marrë 288 milionë lekë
6. Deputeti me një mandat, ka marrë 144 milionë lekë
7. Edhe pas largimit si deputet, paguhet 2 vjet me 100% të pagës dhe 2 vjet me 60% të pagës bazë mujore 
Sigal