Paditet ministri i Mbrojtjes, Arben Imami

601
Sigal

VLORË/ Këshilli Sindikal i kantierit të Pasha Limanit, ankesë për mosdhënien e pagës ‘shtesë për vështirësi në punë’

Peticioni: Kur prodhuam anijen “Oriku” na the “Krenaria e ushtrisë”, tani na pret bukën e gojës

Një urdhër i firmosur nga ministri i Mbrojtjes, që ndalon dhënien e pagës shtesë, për punëtorët e kantierit detar të Pashalimanit, do t’i përballë me të në Gjykatën e Tiranës. Punëtorët e kantierit të ndërtimit të anijeve, përveç padisë, kanë nisur edhe një peticion adresuar Ministrisë së Mbrojtjes.

Padia

Në padinë e formuluar, që i drejtohet Gjykatës së Faktit në Vlorë, punëtorët e këtij kantieri, kundërshtojnë urdhrin e firmosur nga ministri, për të ndaluar shtesën e pagës për vështirësi, që nis që nga muaji mars i këtij viti. Këshilli Sindikal i sektorit të prodhimit të anijeve në Bazën Ushtarake të Pasha Limanit, pas kundërshtisë së punonjësve, ka vendosur që ta dërgojë çështjen në gjyq, për të fituar të drejtën, që ua kish dhënë vetë ministri më parë. Këtu është fjala për pagën e një kategorie punonjësish, që kanë vështirësi në punë dhe që kjo pagë është ndërprerë më 13 mars të këtij viti. Pasi janë konsultuar me një avokat, që e ka cilësuar si urdhër të paligjshëm, në kundërshtim me të drejtat e punonjësve, kanë paraqitur padinë, ku i kërkohet Ministrisë së Mbrojtjes që të paguajë vështirësinë në punë, që nga muaji mars, që është ndaluar nga firma e ministrit Imami.

Një vit më parë

Në peticionin e firmosur nga punonjësit e kantierit të ndërtimit të anijeve në këtë bazë ushtarake, nënvizohet edhe një fakt tjetër, që ia bëjnë me dije ministrit. Në shtator të vitit 2011, pikërisht kjo kategori punëtorëve të Pashalimanit, nxorën në det anijen e parë ushtarake “Oriku”, të prodhuar nga duart e tyre, që Ministria e Mbrojtjes dhe vetë ministri Imami, do ta cilësonin “Krenaria e ushtrisë”. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministri i paditur, Arben Imami, i cili në fjalën e tij do të cilësonte një sukses të madh të ushtrisë shqiptare dhe se ata që punuan për ndërtimin e anijes, janë “Krenaria e Ushtrisë”. Nëse ministri dhe gjeneralët që e udhëzojnë shkelin të drejtat e punëtorëve të këtij sektori të vështirë në bazën e Pashalimanit, duke firmosur urdhra të paligjshëm, ne besojmë se drejtësia do të na japë të drejtën që na takon- janë shprehur anëtarët e Këshillit Sindikal, që mbështesin punonjësit e këtij kantieri në bazën ushtarake të Pashalimanit. Punonjësit e bazës së Pasha Limanit, më herët i kanë kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes, që të mbajë fjalën e dhënë për të vënë në jetë projektin për ndërtimin e kompleksit të muzeve në Pasha Liman.