PADIA: 21 janari, palët bien dakord në Strasburg për 109 mijë € dëmshpërblim

Gjykata e Strasburgut ka pushuar një padi për dëmshpërblim për 21 janari, të hapur prej familjarëve të viktimave që në vitin 2013. Pushimi i çështjes ka ardhur pas tërheqjes së familjarëve të cilët pranuan kushtet e dëmshpërblimit të propozuara nga qeveria shqiptare. Në dhjetor të vitit 2016, Qeveria Shqiptare i dërgoi një letër Gjykatës së Strasburgut, ku i bënte me dije se ishte e gatshme të negocionte me familjarët e viktimave masën përkatëse të dëmshpërblimit. Qeveria propozoi një dëmshpërblim prej 93,600 eurosh për familjarët e Ziver Veizit: përkatësisht, 39 mijë për bashkëshorten, 39 mijë për të birin, dhe 15,600 euro për të vëllain e viktimës Çaush Veizi. Për Zabit Dedën, vëllain e një prej viktimave të tjera të 21 janarit qeveria ka propozuar një dëmshpërblim prej 15,600 eurosh. Në total, katër të afërmit janë dëmshpërblyer me 109 mijë euro, shifër edhe e pranuar prej tyre. Në vendimin përfundimtar, Gjykata e Strasburgut, e konsideron çështjen si një marrëveshje mirëkuptimi mes palëve, shkak për të cilin nuk ka nevojë për një ekzaminim të mëtejshëm të padisë së të afërmve të 21 janarit. “Gjykata vlerëson se duke parë dakordësinë e paditësve me deklaratën e bërë nga qeveria, çështja duhet konsideruar si një marrëveshje me mirëkuptim mes palëve”, thekson vendimi përfundimtar i Strasburgut.