Padi Prendit, i jepte rrogën shefes në Gardë pa qenë fare në Shqipëri

565
Sigal

TIRANE – Ish-komandantët e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi e Artan Hoxha, si dhe dy punonjës të tjerë të Gardës janë kallëzuar në Prokurori nga Ministria e Punëve të Brendshme për shpërdorim detyre. A1 Report mëson se padia është bërë gjatë ditës së enjte në Prokurorinë e Tiranës nën akuzën se kanë firmosur për pagat e ish- shefes së Zyrës së Burimeve Njerëzorë në Gardën e Republikës, për një periudhë kur Shqipe Spahiu nuk ka qenë fare në Shqipëri. Auditi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Gardën e Republikës ka nxjerrë në pah se punonjësja e Gardës ka përfituar padrejtësisht paga nga viti 2010-2013. Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS ka rezultuar se zonja Spahiu një muaj para se të merrte pagën e parë në mënyrë abuzive, ka dalë jashtë Shqipërisë dhe mësohet se ende nuk është kthyer. Pra, sipas auditit të Ministrisë së Brendshme ish- shefja e Zyrës së Burimeve Njerëzorë në Gardën e Republikës ka përfituar për 3 vjet pagën për këtë post që mbante, pa punuar asnjë ditë, dhe firmosur nga eprorët e saj, Prendi dhe Hoxha.

Për këtë arsye u kallëzuan penalisht pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të elementëve të veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Përfitim nëpërmjet mashtrimit”:
–         Ndrea Prendi,  ish-Komandant i Përgjithshëm në Gardën e Republikës
–         Artan Hoxha,   ish-Komandant i Përgjithshëm në Gardën e Republikës
–         Vojsi Bendaj,   Specialist për Gadishmëri në Njësi dhe Përgjegjës për Pikat Autonome
–         Shqipe Spahiu, ish-shefe e Sektorit të Burimeve Njerëzore në Gardën e Republikës

Kallëzimi penal i Ministrisë së Punëve të Brendshme është regjistruar në Prokurorinë e Tiranës dhe pritet marrja në pyetje e tyre.