“Pa u ndëshkuar lideri politik i sotëm dhe i djeshëm, s’ka qetësi”

574
Flasin, Besim Ndregjoni, Zamira Çavo, Valentin Macaj, Bashkim Sulstarova. Opozita të dorëzojë mandatet, kryeministri të largohet, vendi në rrezik 
Çështja e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri është kthyer tashmë në kryefjalën e ditës. Përplasjet e tij me organin e hetimit si dhe mbrojtja politike që i bëhet nga kolegët, kanë sjellë reagime të shumta. Juristë, pedagogë, përfaqësues të të përndjekurve dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme në vend, e shohin çështjen në këndvështrime jo të njëjta. Një pjesë mbrojnë ish-ministrin, duke pretenduar se është në të drejtën e tij t’i kundërpërgjigjet akuzës duke mos pranuar kontroll apo edhe marrjen në përgjegjësi penale. Por një pjesë tjetër shprehen se Tahiri duhet të jap llogari për kanabizimin e vendit. Pedagogia e Shkencave Sociale, Zamira Çavo ndërsa thotë se çdo person ka të drejtën e tij të mbrohet, është e mendimit se kjo situatë në të cilën po kalon shoqëria dhe politika në vend nuk mund të përmirësohet pa u ndëshkuar lideri i sotëm dhe ai i djeshëm. Në të njëjtën linjë shkon edhe mendimi i kryetarit të shoqatës së policisë së burgjeve, Valentin Macaj. Ndërkohë avokati Bashkim Sulstarova e sheh çështjen nga ana juridike dhe procedurale. Ky i fundit thotë se kjo prokurori nuk ka as tagrin për të hetuar deputetin, duke e lidhur me faktin se është drejt shkrirjes dhe zëvendësimit me SPAK. Më i prerë në qëndrimin e tij është Presidenti i Unionit të të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni. Sipas tij kryeministri duhet të japë dorëheqjen në këtë situatë, ndërsa ka një thirrje për opozitën, së cilës i kërkon të dorëzojnë mandatin e deputetit dhe të bashkohen me popullin për të shpëtuar shoqërinë nga kriminalizimi. 
Besim Ndregjoni, President i Unionit të të Përndjekurve Politikë
Një qeverisje ku sundon ideologjia dhe aspak motivimi i realizimit të pikave të integrimit të Shqipërisë në BE, na dërgon në skandalin politik të radhës të ish-ministrit të brendshëm, i cili sipas dokumentacioneve të shërbimeve të huaja, të drejtësisë italiane është pjesë e klanit Habilaj. Për ne të përndjekurit politikë është një gjë, të cilën e kemi thënë që kur është shtruar problemi i Reformës në Drejtësi që Shqipëria ka rrëshqitur nga një diktaturë komuniste në një diktaturë oligarkësh të kriminalizuar që drejtojnë qeverisjen e vendit. Ka 27 vite që ne të përndjekurit politikë, duke pasur parasysh krimin e diktaturës komuniste që kishte ndodhur në familjet tona, i kemi kërkuar kësaj klase politike të dënonte krimet e komunizmit dhe ajo kërkesë nuk ishte një hakmarrje që e kërkonim ne që e pësuam nga krimi, por ishte obligimi që kishim para shoqërisë shqiptare që krimi të mos përsëritej. Fatkeqësisht klasa politike postkomuniste, jo vetëm që e kaloi në memorialin e harresës kërkesën tonë, por shumë herë anatemonte sikur ne kërkonim hakmarrje. Sot shikojmë një klasë politike të kriminalizuar dhe që po sundon një shoqëri, e cila aspiron për demokraci. Asnjë njeri, asnjë qytetar i këtij vendi nuk mund të thotë, jam i pafajshëm kur akuzohet nga organet e prokurorisë, kur pafajësinë atij ia jep vetëm gjykata dhe jo politika. Kemi katër vjet që dëgjomë një kryeministër që flet për Reformën në Drejtësi dhe kur drejtësia i akuzon ministrin bashkëpunëtorin e tij të afërt, ai thotë, jo ne nuk e lejojmë. Vetëm mbrojtja që i bënë deputetet e mazhorancës hodhi poshtë komplet atë demagogji histerike që përdorën këta ministra së bashku me kryeministrin. Vetëm për një orë dore apo për një gjë shumë të vogël prokuroria e vendeve të zhvilluara çon në gjykatë zyrtarët e lartë. Pse këta nuk e kanë këtë fuqi? Para disa ditësh Donald Lu deklaroi se, Shqipëria drejtohet nga katër klane mafioze dhe 20 familje të kriminalizuara. Si mund ta quajmë ne faktin që Ministri i Brendshëm nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për mbushjen e Shqipërisë me kanabis? Ne të përndjekurit politikë i kemi kërkuar kryeministrit të mos bëhet bumerang për të mbrojtur ministrat e korruptuar. Nëse vazhdon në këtë rrugë, më e mira për të është të japë dorëheqjen. Ndërsa opozita shqiptare përballë këtij skandali ka vetëm një rrugë. Nëse është e pastër e pa korruptuar duhet të dorëzojë mandatet dhe t’i bashkohet popullit në protesta për të dënuar krimin e kanabisit, qeverinë dhe jo për të marrë pushtet në tavolinë dhe për të mos lejuar që shoqëria shqiptaret të kriminalizohet. A ka natë që nuk dalin në lajme, vrasjet nga veriu në jug. Nëse kjo politikë nuk dënoi krimet e komunizmit, të paktën të shpëtojë Shqipërinë nga krimi dhe droga. Çdo shqiptar, çdo individ të protestojë për të shpëtuar shoqërinë.
Valentin Macaj, kryetar i Shoqatës së Policisë së Burgjeve
Është e drejta e gjithkujt që të mbrojë veten e tij nga çdo akuzë, publike apo politike qoftë. Rasti i Tahirit është tejpolitizuar dhe në vend që të flasin provat bindëse, kanë folur indiciot dhe thashethemet politike. Ligjërisht, prova që paraqiti Tahiri, marrë nga Prokuroria e Catanias, përbën provën e mbrojtjes dhe si e tillë hedh poshtë pretendimin e akuzës. Sa për vazhdimësinë e situatës së ngarkuar me këtë çështje, mendoj se ekspertiza ndërkombëtare nga FBI dhe DEA, do t’i vinte kapak aludimeve ose fajësisë së subjektit në fjalë. Qeveria e tanishme nuk ka të krahasuar me egërsinë asaj që ishte në kohën e plasjes së Gërdecit me 26 viktima, 4 të vrarëve në protestën e 21 janarit apo rastin e vrasjes së Trebickës në “gjueti”….!!! Të gjithë mbajnë mend sesi i pari shante e kërcënonte me linçim organin e akuzës dhe çdo person publik apo media. Nuk ka të krahasuar me reagimin e sotëm qeveritar! Situata në vazhdimësi do ketë ngarkesë politike, arrestime të personave publike dhe shumë aksione nga shërbimet partnere që do atashohen pranë Ministrisë së Brendshme.
Zamira Çavo, Pedagoge e Shkencave Sociale
Tahiri do gjejë të gjitha mundësitë dhe do përdorë çdo instrument që ka apo që ia japim ne në dorë për të mbrojtur vetveten. Kjo është, jo vetëm njerëzore, por edhe e drejta e tij. Nuk besoj se në këtë rast duhet fajësuar qeveria.
Nëse do duhej të fajësohej qeveria sot unë do ta fajësoja përsëri për ato gabime që i kam bërë publike katër vite më parë: Zgjedhja e ekipit! Një ekip ndërtohet mbi disa standarde dhe z Rama, as herën e parë, por kam frikë se, as në qeverinë Rama 2 nuk ka pasur në mëndje standarde. Dhe kur mbledh rreth vetes individë që, ose bëjnë çfarë u thua ti, ose bëjnë çfarë dinë të bëjnë mirë për veten e tyre dhe nuk pyesin për ligjin, përfundimi do jetë si ky me Saimirin.

Si do shkojë më tej?
Unë them se pa u ndëshkuar lidershipi politik i djeshëm dhe i sotëm nuk do të gjejë qetësi vendi dhe populli. Por për këtë jam e bindur që do duhet kohë. Ama duhet filluar Vettingu. Duhet filluar që të vazhdojë e të krijohen standarde. Sepse vjedhja e popullit, shfrytëzimi i tij, shitja e detit vrasja në bulevard e njerëzve të pafajshëm, nuk janë krime më të lehta se kanabisi e trafiku i tij. E rëndësishme sot është që njerëzit të mos rreshtohen pas individëve por pas interesave të vendit dhe të popullit!
Bashkim Sulstarova, avokat
Nuk ka prova të mjaftueshme për të akuzuar deputetin Saimir Tahiri, aq më tepër që kërkesa është e parakohshme. E dyta me Kushtetutë, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe prokuroria janë drejt shkrirjes dhe nuk legjitimohet. Këto çështje nuk mund të fillohen dhe lihen përgjysmë. Përgjimi nuk është provë dhe nuk janë marrë në formën e kërkuar nga ligji. Shteti Italian mund të ngrinte vet akuza. Vepra penale është kryer atje. Të gjitha janë të pavërtetuara. Ne jemi mësuar që me një përgjim mund ta arrestojmë një person. Me një përgjim prokuroria dhe mund të të dënoi. Do një hetim që provat të jenë bindëse. Deputetët e së majtës i kanë dhënë të drejtë prokurorisë që të bëhet hetimi kontrolli i banesës. Ai nuk është në detyrë dhe nuk ka mundësi të fsheh provat. Ndërkohë pas së mërkurës edhe, nëse parlamenti do të rrëzojë kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit, me shumë, akuza ka të drejtën të vazhdojë hetimet. Është e lirë të bëjë hetime. Aq më tepër që, siç u mor vesh se në grupin e prokurorëve nuk janë ata që kanë nisur kryesisht hetimet për Tahirin, janë prokurorë të tjerë. Duhet të jetë vetë prokurori i çështjes. Ata patën guximin dhe dolën para Këshillit të Mandateve. Prokuroria duhet të vihet në shina që, për çdo person, çdo qytetar kur të nisë një hetim mos të kërkojë arrestimin pa grumbulluar prova bindëse, që ai ka konsumuar elemente të veprës penale. Duhen dyshime të arsyeshme. Është privim i lirisë së tjetrit. Prokuroria, pavarësisht nivelit dhe detyrës së çdo shtetasi, duhet të verifikojë provat. 
Sigal