“Pa shlyer detyrimet asnjë biznes nuk do të mbyllet”

493
Sigal

Flet me “Telegraf” nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Serafin Papa: “402 bizneset e falimentuara i kanë borxhe bashkisë”

Në Bashkinë e Elbasanit  janë 402 biznese që kanë aplikuar pranë QKR për tu mbyllur, këtë fakt e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Serafin Papa. “402 bizneset që janë mbyllur në Bashkinë e Elbasanit nuk kanë paguar detyrimet dhe ne nuk do t’i lejomë që të mbyllen derisa të paguajnë  të gjitha detyrimet ndaj nesh”, tha Papa. Gjithashtu ai thotë se, faktorët që i çojnë këto biznese në mbyllje janë të shumtë, por kryesori është kriza ekonomike. Nënkryetari Papa flet dhe për bizneset e hapura nga emigrantët që në total janë 180 biznese të reja. “Bizneset që janë mbyllur janë kryesisht biznese të vegjël”, shprehet Papa.

 Z. Papa sa është numri i bizneseve të mbyllur në Bashkinë e Elbasanit?

Deri më këto moment që po flasim numri i bizneseve që kanë aplikuar për tu mbyllur pranë QKR-së është 402 biznese. Por një pjesë e këtyre bizneseve nuk mund të mbyllen, sepse kanë pa paguar taksat. Pra kanë detyrime në Bashkinë e Elbasanit, kështu që deri sa të paguajnë të gjitha detyrimet QKR nuk do të bëj asnjë veprim për çregjistrimin e këtyre bizneseve.

 Cilët janë faktorët kryesorë që çojnë në mbyllje të bizneseve?

Faktorët kryesorë janë të shumtë, por më kryesori është kriza ekonomike që ka kapur vendin tonë duke ulur fuqinë blerëse, ku dihet që qyteti i Elbasanit është më i varfëri në Shqipëri dhe kjo për arsye se nuk ka punë, ku numri i papunësisë dhe emrat për ndihmë sociale rritet çdo ditë.

A ka biznese të reja që hapen në Bashkinë e Elbasanit? 

Po gjatë kësaj kohe që janë mbyllur bizneset në bashkinë tonë dhe janë hapur biznese dhe deri tani numri i bizneseve të hapur është 180 biznese të reja. Kryesish këto biznese janë hapur nga emigrantët  që kanë ardhur. Pasi kanë mbetur pa punë në Greqi, Itali apo nëpër vende të tjera dhe me kursimet e tyre janë munduar të hapin një biznes në qytetin e tyre të lindjes. Por se si do të ecë ky biznes mbetet   për t’u parë pasi është ende herët.

Kush biznes është më i prirur për t’u mbyllur?

Në përgjithësi bizneset që janë mbyllur në qytetin e Elbasanit janë biznese të vegjël pasi këta janë dhe biznese më të dobët, ku bëjnë fjalë për të fituar sa për të nxjerrë bukën e gojës.

Së fundmi z. Papa para disa muajve u fol se Bashkia e Elbasanit ishte në krizë të thellë, a u kalua kjo situatë?

Në fakt u munduan që Bashkinë e Elbasanit  ta çojnë në një krize financiare për shkak të një vendimi të Ministrisë së Financave dhe qeverisë, ku Bashkia e Elbasanit  duhet të paguante 62 milionë lekë të reja për të shlyer energjinë elektrike për “Elber sh.p.k”, që i kishte borxhe CEZ, por fakti ishte që “Elber” nuk varej nga Bashkia e Elbasani, por nga METE. Për këtë arsye Bashkia e Elbasanit u bllokua për 3 muaj. Situata tani është normalizuar dhe bashkia vazhdon normalisht megjithëse efekti i krizës ndihet në mbledhjen e të ardhurave të bashkisë si në ndërtim, në mbledhjen e të ardhurave të ALUIZMI-t e kështu me radhë.