PA LIRINË E SHTYPIT, KONSOLIDIMI I DEMOKRACISË, NJË ËNDËRR E ZBRAZËT

639
Sigal

Dr. Elez BIBERAJ

Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë

 Zëri i Amerikës

Media e lirë dhe e pavarur është kurora e artë e një rendi demokratik

“Voice of Amerika” dhe “IREX” publikon Indeksin e Qëndrueshmërisë së Mediave 2018: “Gazetaria nën kërcënim”:

Pa lirinë e Shtypit, konsolidimi i demokracisë është një ëndërr e zbrazët

Në Tiranë, përfaqësues të “Zërit të Amerikës” dhe të organizatës IREX zhvilluan një veprimtari të përbashkët, ku u publikua Indeksi i Qëndrueshmërisë së Medias dhe u diskutuan vështirësitë e shumta të mediave në rajon. Studiuesit sollën të dhëna dhe folën me shqetësim për presionet që u bëhen mediave në Ballkan nga qeveria dhe politika, si dhe diskutuan mbi rrugëdaljet e kësaj gjendjeje.

Në Shqipëri kanë vrarë gazetarinë, jo gazetarin

Mark Marku

Drejtues i departamentit të Gazetarisë në UT

Rreziku është i përhershëm që nën pretekstin e disa rregullimeve mund të shkojmë drejt kufizimit të lirisë së shtypit. Sot ka vdekur gazetaria, jo gazetari, sepse kur gazetarin e detyrojnë të shkruajnë çfarë i diktojnë dhe nuk ka mundësi që të publikojë mendimet e tij, lajmin e tij, atëherë është vrarë gazetaria. Në këto kushte, nuk ka nevojë ta vrasësh fizikisht gazetarin, sepse ke vrarë lirinë e fjalës së tij.

Shoqatat dhe organizatat për median të regjistruara, nuk janë aktive

Ilda Londo

Koordinatore e Institutit të Medias Shqiptare

Në përgjithësi kushtetuta dhe legjislacioni e garantojnë lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes dhe në tërësinë e vet kuadri ligjor është i përshtatshëm për lirinë e fjalës. Ajo ku çalon ky sistem është zbatimi i ligjeve, kryesisht nga gjyqësori, por edhe nga autoritete të tjera. Për shembull, një nga shembujt që u soll në panel, është ligji për shpifjen, problemi që shpifja ende nuk është kriminalizuar tërësisht dhe që paditë dhe vendimet në çështjet civile mund të jenë për shuma të larta, pasi nuk ka një limit apo një orientim shterues për këtë çështje. Për sa i përket sigurisë së gazetarëve, kemi raste të rralla të sulmeve ndaj gazetarëve, por po aq të rralla mbeten dhe zbulimet e këtyre krimeve dhe vënia para drejtësisë e autorëve. Retorika e ashpër politike e kryeministrit ndaj medias gjithashtu u përmend si faktor ndikues në klimën e përgjithshme. Problem mjaft i mprehtë mbetet vetëcensura e gazetarëve, e cila tashmë është një normë pothuajse e padiskutueshme dhe është pjesë e punës së përditshme. Një plagë e madhe e lidhur drejtpërdrejt me profesionalizmin është pagesa dhe trajtimi financiar i gazetarëve. Kemi një numër të madh mediash, por një treg të vogël e burime të pakta financiare. Pyetja që mbetet ndër vite është: Si arrijnë të mbijetojnë këto media në këtë kontekst. Në vend ka një numër të madh shoqatash dhe organizatash për median të regjistruara, po shumica nuk është aktive.