OST/ 100 milionë euro pa tender Kinezëve

144

Në 28 dhjetor 2018 vetëm 3 ditë para se të bëhej kurban gjeli i Vitit të ri, OST e Klodjan Gradecit i ka dhënë të drejtën një firme kineze të bëjë projektin, punimet dhe të marrë kredi 100 milionë euro nga një bankë me këste të larta, por faturën e kredisë dhe kësteve do t’i paguajë shteti shqiptar

OST shmang ligjin e Prokurimeve Publike. U jep 100 milionë euro pa tender kinezëve

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka paraqitur një projekt të veçantë në Ministrinë e Energjisë, ku kërkon të investojë 100 milionë euro në rrjet përmes një procedure që shmang Prokurimet Publike. Ky proces ka nisur zyrtarisht në datën 28 dhjetor 2018, nga ish- administratori i shkarkuar pas skandalit “DH Albania”,  i OST, Klodian Gradeci. Pavarësisht shkarkimit të drejtorit, ky  projekti vazhdon të presë miratimin e ministrisë. Operatori i transmetimit, me anë të këtij projekti të dyshimtë, kërkon të kontraktojë një kompani private kineze për të bërë riparime në rrjetin e transmetimit me paratë e saj dhe më pas do të shlyhet nga shteti për 15 vjet. Edhe pse kjo është një praktikë e njohur e PPP-ve, OST e mohon. “Procedura, e cila kërkohet të ndiqet nuk është PPP, por do të realizohet nëpërmjet marrjes së një huaje tregtare (pa garanci sovrane) nga të tretë, hua e cila do të sigurohet nga kompania, e cila do të fitojë edhe realizimin e këtij investimi”, është shprehur OST. Më konkretisht, kompania private kineze do të marrë 100 milionë euro hua në bankë me interesa të larta tregtare, do të bëjë po vetë punimet dhe në fund shteti shqiptar do të shlyejë faturën. Kompania në fjalë vjet ka pasur kontakte të vazhdueshme me OST-në dhe Ministrinë e Energjisë. Madje është kjo kompani, e cila ka bërë studimin e rrjetit duke përcaktuar, pikat se ku duhet ndërhyrë dhe faturën e investimeve. Mbetet për t’u parë se si do të veprojë Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës me atë që ngjan si një koncesion të ri e i dyshimtë që kap vlerën e 100 milionë eurove.