Osman Murati: OSBE, Enver Hoxha, populli shqiptar dhe politikanët e sotëm

591

 

OSBE me sondazhin, 
u bën thirrje klasës politike të ndërtojnë shtet, pasi Enver Hoxha nuk
harrohet

 

Znj. Keti Bozhdarit! 
Sigal

Ju shkruani ose jua kanë shkruar një artikull të botuar në një të përditshme pas
sondazhit të OSBE-së, që shqiptarët në masën 52% dëshirojnë sistemin e Enver
Hoxhës.  Për moshën që keni (sipas
fotografisë duket, se ju nuk keni jetuar në periudhën e socializmit që ka udhëhequr
Enver Hoxha ose keni qenë fëmijë. Prandaj ju jap të drejtë!) Ju keni bindjet
tuaja dhe unë i respektoj! Por meqë je nga Shkodra, nuk ka nevojë të bëj komplimente
për antikomunizmin që ushqeni, përderisa dhe heronjtë e Vigut që u vranë  në Luftën Nacional Çlirimtare me sa di unë,
nga bashkëbiseduesit, trimat e kriminelit shqiptar, Gjon Markagjoni, i keni
hedhur në koshin e plehrave.  Pra Shkodra
mban sot flamurin e anti-komunizmit dhe ju jeni bërë viktima të këtij trendi, që
e gjykoni Shqipërinë e sistemit socialist vetëm nga këndvështrimi i mjaft
klerikëve katolikë të asaj treve që fatkeqësisht i kanë shtruar qilimat për  mirëseardhje pushtimit italian, me shumë
intelektualë dhe kolaboracionistë të asaj kohe dhe keni harruar Migjenin, Qemal
Stafën, Manush Alimanin, etj, pa bërë fjalë edhe për Ndre Mjedën dhe mjaft korifenj
të kulturës shkodrane që kanë bërë histori me veprat e tyre të trajtuara në kohën
e Enverit.  Këto ndoshta janë bërë dhe jashtë
dëshirës së tyre,  sepse ndoshta “u pëlqente  kultura e rrugës, këngët cigane,  dhe liberalizma të tjera” që socializmi i
Enver Hoxhës u këputi kokën dhe mirë ua bëri. Unë kam nostalgji për Shkodër
Locen, por mendoj siç thotë populli,  se
në atë kohë kërkohej “Gjella me kripë dhe kripa me karar”. Duhet të dish edhe për
demokratët apo socialistët shkodranë, se Enver Hoxha duhet vlerësuar në kohën e
vet dhe në hapësirën e kohës së viteve të luftës së ftohtë, të luftës më të vështirë
klasore ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit të asaj kohe në shkallë të Ballkanit
dhe të Evropës dhe të gjithë botës. Po të bëni këtë analizë të gjerë dhe me
rrethanat përkatëse historike me paanësi, që përpiqeni të futeni në karakterin
e shqiptarit si psikologe, bëni mirë që figurat historike të Shqipërisë të mos
i përçmoni dhe shikuar  vetëm në këndin
liberal dhe fetar apo duke vënë në dukje vetëm anët e zeza të shqiptarëve. Tërë
jetën shqiptarët kanë luftuar për mbijetesë dhe ky fakt është vërtetuar edhe në
kohën e socializmit që udhëhoqi Enver Hoxha. Tërë jetën shqiptarët janë përplasur
me armiq të ndryshëm nga ndërhyrjet e huaja dhe sabotimet e armiqve të
brendshëm dhe tradhtarëve ku edhe në Shkodër ka pasur mjaft. Por po kaq i
rrezikshëm për Shqipërinë kanë qenë edhe reaksioni i jashtëm ndërkombëtar i
marrë në tërësinë e tij, jashtë dëshirave të popujve amerikanë, francezë rus
apo kinezë etj. Ndërsa sondazhi i OSBE-së, është shumë kuptimplotë në kohën që është
bërë, por dhe i domosdoshëm. Mos u frikni ju demokratë apo socialistë, se Enver
Hoxha nuk ngrihet nga varri dhe sot për sot në Shqipëri nuk ka udhëheqës të mençur,
trim, dashamirës  me popullin e vet si
Ai, që të gjithë jetën ia kushtoi popullit shqiptar dhe revolucionit proletar.
Ai nuk punoi për privilegje personale, për prona, për trashëgimi pushteti.
Enver Hoxha punoi për një kauzë që me rezultatet e larta në Shqipërinë e
prapambetur në të gjitha drejtimet që la tradhtari dhe hajduti Ahmet Zogu, e
ngriti atë (Shqipërinë) në piedestalin e kohës. Pa dyshim, ne nuk mund të mos
analizojmë dhe gabimet dhe teprimet e një shteti për 45 vjet që nuk duhen përsëritur,
por dihet se nga historia ne duhet të nxjerrim mësime. Por rezultatet e Enverit
në krahasim me gabimet janë shumë larg.  Rezultatet e sondazhit treguan se sot pas 25 viteve
të rënies së socializmit, Shqipëria nuk ka shtet të së drejtës, po shtet të
korruptuar që përfaqëson interesat e grupeve të caktuara, pabarazi të theksuar
shoqërore , pasiguri jetese, varfëri të tejskajshme, vandalizëm në administrimin
e pronës dhe të ekonomisë dhe pa pushtet gjyqësor. .. Së fundmi parlamenti
shqiptare e ka humbur legjitimin e tij. Përfundimisht OSBE-ja , me këtë sondazh
në një farë mënyre u tërheq vëmendjen politikanëve se nuk qenka e vështirë për
t’u kthyer në të kaluarën e Enver Hoxhës, ndaj tregoni kujdes, se nuk jeni në
rrugën e duhur dhe për më tej jeni shumë të vonuar  në ndërtimin e shtetit të së drejtës, të
demokracisë, dhe lirisë së kërkuar nga populli.