Osman Meta:Vjedhjet dhe reformat çojnë Hekurudhën Shqiptare në kolaps

606
Sigal

Flet për “Telegraf”, kreu i Sindikatës së Pavarur, Osman Meta: “Strukturimet e reja nuk e nxjerrin dot hekurudhën nga balta”

Çdo ditë nga kronikat e ndryshme të lajmeve ka ngjarje të herë pas hershme në sektorë të ndryshëm të hekurudhës, të cilat sjellin gjendjen e rëndë në të cilin është sot ky sektor. Trena që dalin nga shinat, aksidente me vdekje në mbikalimet ilegale, pas përplasjes së lokomotivave, mbi 340 mbikalime në të gjithë vendin. Punonjësit e saj ankohen se në hekurudhë po bëjnë namin vjedhësit e skrapit në të gjitha stacionet, duke filluar nga Durrësi dhe në të gjitha njësitë e tjera të vendit. Në hekurudhë po vidhen çdo ditë, thonë ata, me qindra pllaka lidhëse të shinave si dhe pllakat shtruese, vidhen e priten me oksigjen shinat e trenit, duke e nxjerre hekurudhën jashtë loje për shumë kohë. Ky fenomen, sipas kreut të Sindikatës së Pavarur të Hekurudhës Osman Meta ndodh kudo, ku ka shina duke filluar nga Durrësi, Sukthi, Bubci dhe duke u shtrirë në jug e veri Elbasan, Librazhd, Fier, Ballsh etj., e sa rastet thekson ai janë të panumërta. Në fund të vitit 2012 në hekurudhe ka ndodhur një reforme që ka lënë në rrugë rreth 500 punëtorë, të cilët kishin vite në atë punë dhe ishin profesionistë të zotë.

Shkurtimet

Nga rreth 1830 vetë fuqi punëtore që kishte hekurudha, kanë mbetur këtë vit rreth 1330 vetë. Kryesindikalisti Meta thotë se ne e kemi përkrahur reformën që u bë pasi u pretendua për një reformë të sektorit të hekurudhës, por kemi qenë kundër shkurtimeve pa kriter, pasi në hekurudhë pas kësaj reforme janë punësuar punonjës jo profesionistë dhe partiakë. Shkurtimet u bënë sipas kërkesave të Bankës Botërore, thotë Osmani, por ne qemë kundër pasi ky rikonstruksion që na u tha shkurtoi nga puna shumë profesionistë, specialist të sektorëve të ndryshëm me nivel kualifikimi. Ne, si sindikatë kemi qenë kundër. Për këtë ai sjell si shembull se vërtetë janë bërë shkurtime, por punonjësit që u emëruan me vonë nuk e justifikojnë reformën e bërë. Për këtë ai përmend faktin se me parë p.sh në Stacionin e Shkodrës ka pasur vetëm një drejtor rajoni, ndërsa pas reformës së bërë, me organizimin e ri janë shtuar dhe 3 drejtorë, 3 shefa, 3 dispeçer, ndërkohë që, hekurudha nuk është në atë start që të mbajë shumë kuadro. Ky fenomen ka ndodhur jo vetëm në Shkodër, por edhe në Stacionin e Tiranës, Durrësit, Fierit, Elbasanit etj., ku janë shkurtuar vendet e punës dhe janë shtuar kuadrot. Ne si sindikate kemi qenë dakord me reformat që të fuqizohej hekurudha deri sa të dilte nga prapambetja, por këto lloj strukturimesh dhe reformash nuk e nxjerrin dot hekurudhën nga balta.

Shpresat

Sipas Kryesindikalistit Meta, ka shpresa se situata do të përmirësohet dhe se, shumë prej punonjësve do të rikthehen në punë. Për këtë ai thotë se po nënshkruhen kontrata shpresë dhënëse. Ai përmend faktin se transporti hekurudhor i mineralit të hekur nikelit kishte mbi 20 vite që nuk funksiononte, ndërsa këtë vit ka filluar rregullisht nga Librazhdi. Ai thotë se po nënshkruhen kontrata për transportimin e skrapit nga Mali i Zi në drejtim të Elbasanit. Po kështu do të bëhet edhe transport i çimentos nga Fushë- Kruja si dhe është nënshkruar një kontratë për transportin e naftës me tren nga Ballshi.

Dështon akt marrëveshja për punonjësit e larguar nga puna

Ndërkohë, sipas Osmanit, për të gjithë punonjësit që kanë dalë në reforme është ndërhyrë që të bëhet një lidhej akt marrëveshjeje mes tyre dhe qendrës së punës që të zbatohet neni 145/2 i Kodit të Punës, që bën që të përfitohet 15 ditë vjetërsi në vit. Edhe kjo akt marrëveshje akoma nuk ka gjetur zbatim, për arsye ekonomike, shton Osmani me keqardhje, ndërsa për shtesat e panevojshme në strukturat e Hekurudhës është gjetur buxheti.