OSHEE, hiq gjobat e padrejta ndaj qytetarëve të rregullt!

735
Sigal

Ankesat/ Qytetarët vlonjatë, debitorë nga mashtrimet e Ndërmarrjes Elektrike Vlorë

Shumë qytetarë na janë ankuar në lidhje me gjobat e padrejta disa vjeçare që CEZ (sot OSHEE) u ka vendosur gjatë operacioneve tinëzare dhe aspak normale nga banditët e kësaj ndërmarrje. Përpara tre vjetëve, kur bokset e matësve nëpër pallatet e qytetit të Vlorës ishin të kyçur (sot janë të shpartalluar dhe gjithkush ka futur duart) dhe çelësat i mbanin futuristet dhe specialistët e kësaj ndërmarrje, nga Fieri mbërritën banditët me Mitsubishi, të cilët nisën të bënin raprezalie nëpër matësit e energjisë elektrike. Çfarë bënin konkretisht këtë delenxhinj që kanë ngatërruar me qindra qytetarë të ndershëm? Këta u prishnin matësve vulat dhe më pas hiqnin matësin dhe e zëvendësonin me një tjetër, duke bërë një procesverbal dhe duke njoftuar konsumatorin familjar se duhet të paguante gjobën(?!). Familjarët nuk pranonin ta firmosnin atë proces-verbal, ndërkohë që gjoba ishte hedhur në sistem dhe rritej çdo ditë. Pas disa muajsh nga reprezaljet e CEZ me qendër në Fier, banditët e kësaj ndërmarrje riktheheshin me pincë në dorë dhe prisnin energjinë elektrike me argumentin se nuk kishe paguar gjobën, pavarësisht se librezat tregonin korrektesë në shlyerjen e konsumit mujor të energjisë elektrike?! Qytetarët e rilidhnin vetë energjinë, pasi ata ishin në rregull me pagesat e faturave, po ku donin t’ia dinin banditët e CEZ? Ata i morën matësit që prishën vet dhe nuk dihet se kujt ia shitën, ndërkohë që CEZ bënte kokëfortin dhe i dërgonte delenxhinjtë përsëri për të prerë energjinë, ose për të marrë ndonjë ryshfet pas presionit që bënin. Muajt kalonin, vitet po ashtu dhe gjobat rriteshin në pafundësi, por qytetarët e ndershëm dhe korrekt në pagesën e konsumit të energjisë elektrike, me të drejtë nuk pranonin ta paguanin atë. Disa qytetarë na thanë se i janë drejtuar drejtuesve të CEZ, por përgjigjet kanë qenë evazive. Një përgjigje nga ta thoshte: “Problemi është vënë në rrugën e zgjidhjes”. Epo, shyqyr, thanë qytetarët, shpëtuam nga banditët që vinin dhe prisnin si pa të keq energjinë elektrike sa herë donin ryshfet! Por problemi nuk kishte marrë zgjidhje, sepse të tmerrshmit e CEZ u dukën përsëri me pincë në duar, pa pyetur për libreza korrekte dhe fatura të paguara kokërr më kokërr. Qytetarët të bezdisur pa fund iu drejtuan sërisht CEZ/OSHEE-së, por asnjë zgjidhje. U drejtoheshin institucioneve të tjera shtetërore për mbrojtjen e konsumatorit, i drejtonin në gjykata. Por ku t’i gjejmë ato lekë për në gjykatë, a s’na thoni?! Përse qeveria nuk e detyron CEZ/OSHEE-në të pastrojë nga sistemi gjobat e padrejta ndaj faturë-paguesve të rregullt, por na tregon gjykatat?! Ju lutemi, bëjeni punën korrekt dhe i çoni zgjidhjen e problemeve të qytetarëve deri në fund! Është shumë e lehtë të konstatosh dhe të japësh receta gatimi, por të gatuash vetë dhe t’ua servirësh të tjerëve është e vështirë.

 Mashtrimi i Ndërmarrjes Elektrike të Vlorës

Një tjetër problem që qytetarët e Vlorës na kanë treguar këtë ditë është edhe mashtrimi i madh që Ndërmarrja elektrike e Vlorës në varësi të CEZ/OSHEE-së, bëri dy vitet e fundit, kur në qeverisjen e vendit ishte PD. Këta akrobatë cirku mashtruan qytetarët duke u bërë thirrje: “Kush paguan energjinë në sportelin e ndërmarrjes, nuk do t’u mbahet kamat-vonesë”. Kështu shumë qytetarë që kishin vonesa një, dy ose tre mujore në shlyerjen e energjisë, nxituan në sportelin e ndërmarrjes elektrike dhe shlyen detyrimet pa paguar kamat. Kjo ishte një lehtësim që u bëhej konsumatorëve që kanë të ardhura të pakta, se, në fund të fundit, vjelja kryesore e të ardhurave të OSHEE-së duhet të jetë shlyerja e konsumit mujor të energjisë. Pas shtatorit 2013, kur në drejtim të CEZ/OSHEE-së erdhën socialistët, faturat që u mbërrinin qytetarëve në shtëpi kishin edhe kamatëvonesat?! Shumë qytetarë iu drejtuan drejtuesve të rinj të kësaj ndërmarrje duke u ankuar, por përgjigja ishte: “Kamat-vonesat nuk u janë hequr. Ju kanë gënjyer ata të parët”?! “Vaj me det e koçimare”, thonë nga bregdeti. “Shkoni dhe bisedoni me Kujdesin ndaj Klientit që t’u krijojë lehtësira të paguani kamatëvonesat me këste”, ishte orientimi i drejtuesve të rinj?! Hajde, shtet, hajde! Hajde OSHEE hajde, tallu, tallu se ke gjetur njerëzit e ndershëm që po u merr frymën dita-ditës! Reformat e thella të ndërmarra nga Qeveria në drejtim të stabilizimit të tregut të energjisë elektrike janë vendimtare dhe të përshëndetura nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Kjo për arsye se më shumë se 40 % e konsumatorëve kishin vite që nuk paguanin fare, përfshi këtu edhe biznese dhe drejtues vendorë apo politikanë të rangjeve të ndryshëm. Ajo që duhet sot dhe që vendos përfundimisht rregull në tregun e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri, është vendosja e një sistemi qendror të shpërndarjes për çdo qytet, duke eliminuar matësit dhe bokset nëpër pallate. Duhet bërë njësoj si sinjali telefonik, i cili të ndërpritet në central nëse nuk paguan. Sistemi i sotëm i shpërndarjes së energjisë elektrike duhet ndryshuar, ndërkohë që me masat e fundit të Qeverisë gjërat kanë lëvizur për mirë dhe kjo gjë duhet të vazhdojë pa ndërprerje dhe pa fund, derisa të normalizohet situata dhe qytetarët që nuk paguanin, sidomos ata me mundësi për të paguar, të mos guxojnë të vjedhin më mallin e shtetit. Por, Qeveria dhe OSHEE duhet të pastrojnë sistemin nga gjobat e padrejta që u janë vendosur qytetarëve të ndershëm, të cilët e paguajnë rregullisht energjinë që konsumojnë muaj për muaj. Ky është një problem që kërkon zgjidhje të shpejtë, sepse nëse ka një amnisti që duhet bërë, ajo duhet bërë vetëm për këtë kategori konsumatorësh të rregullt.

Çlirim Hoxha