OSBE trajnon policinë shqiptare ‘Të respektohen të drejtat e njeriut’

514
Dyzet oficerë policie, që përfunduan një program trajnimi për diversitetin, krimet e urrejtjes dhe dhunën në familje, morën sot certifikatat, në një ceremoni, në Tiranë. Në veprimtarinë e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ambasada e Vendeve të Ulëta morën pjesë Kryetari i Prezencës, ambasadori Florian Raunig, ambasadorja holandeze Dewi van de Weerd, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.
“Organet e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit duhet të jenë profesioniste, të përgjegjshme dhe të respektojnë plotësisht të drejtat e njeriut”, tha Raunig, gjatë dhënies së certifikatave.
“Ato duhet të reflektojnë diversitetin e shoqërisë dhe duhet të ndërtohen në mënyrë të tillë që të mund të përmbushin nevojat e të gjitha segmenteve të popullsisë, duke përfshirë edhe pakicat”.
Raunig vuri në dukje se synimi i trajnimit ishte që policia të pajiset me mënyrat dhe mjetet e duhura për të vepruar profesionalisht gjatë trajnimit të këtyre rasteve. “Kjo është ajo çka i duhet një punonjësi të mirë policie që fiton besimin e komunitetit”.
Ambasadorja holandeze Dewi van de Weerd tha se” Trajtimi i krimeve gjinore kërkon një nivel ndjeshmërie, njohurish dhe aftësish gjinore. Është thelbësore që policia të trajtohet si duhet dhe të pajiset me aftësitë e duhura për t’u përgjigjur, hetuar dhe për t’i menaxhuar si duhet rastet e dhunës gjinore dhe të trafikimit”.
Ky është viti i tretë që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bën trajnime në këtë fushë. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, rezultatet kanë nisur të duken me rritjen e numrit të denoncimeve dhe të personave që merren në mbrojtje nga policia. Didi tha se edukimi dhe trajnimi i punonjësve të policisë është i nevojshëm në mënyrë që policia të jetë më profesioniste dhe të fitojë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve. Ai e konsideroi Prezencën e OSBE-së një partnere strategjike për policinë shqiptare.
Trajnimi u mbështet financiarisht nga qeveria holandeze. Prezenca e OSBE-së do të vijojë të zhvillojë të njëjtin trajnim në qarqe të ndryshme të Shqipërisë, gjatë 2015-s, ku do të marrin pjesë një total prej 120 policësh.
Sigal