OSBE trajnon policinë për zgjedhjet Didi: Bëni detyrën, jo bindje politike

51
TIRANE – Policia e Shtetit do të bëjë trajnime të veçanta për të garantuar sigurinë në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi tha se në këtë proces uniformat blu duhet të jenë në krye të detyrës dhe të mos ndikohen nga bindjet personale politike.
“Policia është e depolitizuar dhe detyrat i kryen në përputhje të detyrës. Nuk duhet harruar se polici duhet të kryejë detyrën e paanshme pavarësisht bindjeve të tij politike”, u shpreh Didi.
Trajnimet do të kryhen edhe për nivelin drejtues të Policisë së Shtetit, para dhe gjatë procesit zgjedhor. Ky trajnim do të bëhet nga Prezenca e OSBE-së në vendin tonë. Sipas Didit, trajnimi i forcave blu do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve profesionale por edhe në mbështetjen me bazë materiale që do t’i jepet policisë
“Le të konfirmojmë se policia e Shtetit do të jetë promotor i vlerave më të mira të një shoqërie demokratike. Të gjithë të jemi të privilegjuar që ligji na jep detyrën për të ruajtur të drejtën e votës”, përfundoi Didi.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Forian Raunig dhe nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba.
“Ju jeni Policia e Shtetit dhe në ditën e zgjedhjeve urimi më i mirë është të mos ju shohim ngjyrën, mos t’ju dëgjojmë zërin, duhet të na bëni të ndihemi të sigurt pa u dukur. Të na jepni siguri atë ditë pa u dukur, si një prezencë magjike, e shenjtë, ashtu siç ju jeni. “Policia qoftë me ju” është një shprehje shumë e këndshme”, tha Biba.
Në fazën e parë të trajnimit në datat 24-27 mars do të marrin pjesë 110 zyrtarë të nivelit të lartë e të mesëm të policisë, përfshirë zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e qarqeve, drejtorët e policisë kufitare dhe të emigracionit, si dhe shefat e komisariateve.
Më pas, Prezenca e OSBE-së do të trajnojë 6 grupe trajnuesish, të cilat do ta shtrijnë trajnimin te rreth 6 300 punonjës policie, deri më 30 prill.