OSBE: Ndryshimet e mundshme në Kodin Zgjedhor të miratohen në mes të 2014

522
Sigal

Reforma zgjedhore/ Partitë politike duhet të zbatojnë ligjin në mënyrë të paanshme

 Shoqëria civile zhvilloi dje konferencën “Shqipëria civile dhe Demokracia në Shqipëri”, me fokus: “Reforma zgjedhore e plotë dhe gjithëpërfshirëse, domosdoshmëri për një sistem zgjedhor me përfaqësues të drejtë dhe të qëndrueshëm”. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorit Florian Raunig, i cili përgëzoi Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë për organizimin e kësaj veprimtarie dhe mirëpriti gatishmërinë e shprehur nga qeveria shqiptare për të zbatuar plotësisht rekomandimet OSBE/ODIHR-it dhe për të vijuar punën me reformat zgjedhore dhe institucionale, me qëllimin për të përgatitur sa më mirë zgjedhjet në të ardhmen. Duke marrë parasysh që zgjedhjet e ardhshme vendore do të mbahen pas rreth 18 muajsh, është shumë e rëndësishme që çdo ndryshim i mundshëm i Kodit Zgjedhor të miratohet rreth mesit të vitit 2014, në përputhje me Kodin e Këshillit të Evropës për Praktikat e Mira në Çështje Zgjedhore. Z. Raunig u shpreh se, “sfida e vërtetë qëndron në zbatimin e Kodit Zgjedhor nga të gjithë aktorët. ODIHR-i ka theksuar që zbatimi nga ana e të gjithë aktorëve ka pasur mangësi në një sërë aspektesh. Korrigjimi i kësaj situate duhet të jetë përparësi”. Gjatë fjalës së kreut të OSBE-së u vu në dukje se, përputhja e plotë e zgjedhjeve me standardet ndërkombëtare do të arrihet vetëm kur partitë politike të zbatojnë ligjin në mënyrë të paanshme dhe në mirëbesim. Kjo është një pikë kyçe e raportit të ODIHR-it, që thotë “atmosfera e mosbesimit mes dy forcave kryesore politike cenoi klimën zgjedhore dhe vështirësoi administrimin e të gjithë procesit zgjedhor”. Partitë politike duhet, gjithashtu, të përkushtohen për të respektuar shtetin e së drejtës, në mënyrë që të garantojnë profesionalizmin e institucioneve. Kjo pikë është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me trajtimin e çështjes së KQZ-së, e cila vepron me numër të reduktuar anëtarësh që nga mesi i prillit të vitit 2013. Prezenca inkurajon fuqimisht Kuvendin të përmbushë detyrimin ligjor për të plotësuar vendet bosh në KQZ, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor.

Prezenca e OSBE-së dhe Këshilli i Evropës po punojnë nga afër me KQZ-në për të shqyrtuar idenë e krijimit të një shkolle për komisionerët zgjedhorë. Kjo shkollë do të ofronte një platformë të qëndrueshme trajnimi, për çështje që lidhen me zgjedhjet, për komisionerët zgjedhorë dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm, edhe përtej periudhave zgjedhore. Kjo do t’u mundësonte në veçanti administratorëve zgjedhorë të niveleve të mesme dhe të ulëta të zgjeronin njohuritë e tyre profesionale dhe të përmirësonin profesionalizmin e tyre gjatë kryerjes së detyrave. Brenda kuadrit të mandatit të saj, Prezenca e OSBE-së është e gatshme të ndihmojë institucionet shqiptare për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të garantuar zgjedhje në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe me standardet e tjera ndërkombëtare.