OSBE bënë skanerin 1-vjeçar të qeverisë. Rilindja mes kulaçit dhe kërbaçit

81

Raport përpara këshillit të përhershëm në Vjenë nga kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Dje Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig, paraqiti  në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë  raportin vjetor të qeverisë së Rilindjes që u dekretua më 15 Shtator 2013.  Sipas Kreut të OSBE-së, koalicioni i ri qeverisës, i drejtuar nga Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste (PS) Edi Rama dhe nga Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) Ilir Meta, e mori detyrën në shtator 2013. Qeveria zhvilloi një vizion ambicioz të reformave që nevojiteshin për të përmirësuar gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri dhe për të shënuar përparim të mëtejshëm në qëllimin parësor të politikës së jashtme, atë të integrimit evropian. Në përgjithësi, qeveria ndërmori një qasje të strukturuar dhe proaktive, duke zhvilluar plane veprimi strategjike 100 dhe 300-ditore, si dhe duke bërë përpjekje të lavdërueshme për të qenë transparente lidhur me rezultatet e zbatimit të tyre. Mandati i gjerë dhe fleksibiliteti relativ i Prezencës së OSBE-së mundësuan partneritetin e hershëm në veprimtari dhe nisma, duke i dhënë shtysë dhe qëndrueshmëri punës së institucioneve.

Përpjekja e suksesshme për të rivendosur kontrollin në Lazarat, qendra famëkeqe e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, është pasuar nga operacione të ngjashme në zona të tjera të vendit dhe që çuan në arritjen më domethënëse gjatë periudhës së raportimit: vendimin e Këshillit Evropian, në qershor 2014, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Megjithatë, përparimi në kapërcimin e sfidave dhe përmbushjen e aspiratave themelore të Shqipërisë – sidomos lufta kundër korrupsionit – do të kërkojë një program ndryshimi të thellë, afatgjatë, gjithëpërfshirës dhe konsensual. Tani për tani, interesat e ngushta partiake dhe mosbesimi i thellë mes blloqeve politike vijojnë të mbizotërojnë. Ky ka qenë thelbi i mesazheve që Prezenca i ka dhënë udhëheqjes politike të të dyja palëve, i cili është përforcuar nga veprimtaritë e vijuara diplomatike dhe programore për të punuar së bashku me të gjithë aktorët dhe për të mbështetur bashkëpunimin mes tyre.

MJEDISI POLITIK DHE VEPRIMTARITË

 Pas një kalimi relativisht të butë të pushtetit më 2013, udhëheqja politike e Shqipërisë pati mundësinë të përqafonte një stil të ri politike. Megjithë sinjalet e para të një ndryshimi të tonit dhe të një drejtimi dinjitoz të Kuvendit nga kryetari i tij, politika u kthye te një stil më kundërvënës. Qeveria dhe opozita nuk kanë dëshmuar aftësi për të punuar së bashku në mënyrë konstruktive – as për reforma, si reforma administrativo-territoriale, për të cilat të dyja palët bien dakord që janë jetësore. Kjo gjë vijon të dëmtojë besueshmërinë dhe ritmin e axhendës së reformave.

Reforma administrativo-territoriale, e përmbyllur së fundmi, e cila konsolidoi rrjetin prej 373 njësish të qeverisjes vendore në Shqipëri, është një nga rastet në fjalë. Me kërkesë të Partisë Demokratike në opozitë (PD), maxhoranca ngriti një komision të posaçëm parlamentar për të menaxhuar reformën. Shumica qeverisëse e vonoi disa herë procesin, në përpjekje për të përfshirë edhe opozitën, por, në fund, zgjodhi ta vijojë reformën në mënyrë të njëanshme, në vend që ta shtynte më tej. Polarizimi politik ka dëmtuar punën dhe atmosferën në parlament. Pas një përballjeje verbale dhe, më pas, fizike në parlament mes dy deputetëve të shumicës dhe njërit të opozitës në korrik, opozita vendosi të bojkotojë të gjitha procedurat parlamentare.

– Pranohet gjerësisht, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, se korrupsioni në gjyqësor është një nga pengesat themelore për një demokraci plotësisht funksionale në Shqipëri. Megjithatë, reforma në drejtësi është bërë gjithnjë e më shumë një çështje përplasjesh të hapura mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) – kryesuar nga Presidenti i Republikës,  i cili, për çështje si masat disiplinore kundër gjyqtarëve dhe kompetencat e Presidentit në lidhje me gjyqësorin, ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të dobësojë pavarësinë e gjyqësorit.

–  Debati i vijueshëm rreth ndikimit politik në institucionet e pavarura shtrihet përtej sistemit gjyqësor dhe përfshin institucione të tjera që merren me çështje si mbikëqyrja e medias, antikorrupsioni, siguria shtetërore dhe statistikat zyrtare. Po zhvillohet një betejë politike për pavarësinë e këtyre institucioneve, ku secila palë akuzon tjetrën se po përpiqet të marrë apo të mbajë në kontroll ente të caktuara, për arsye politike.

– Largimet dhe pranimet në punë të nëpunësve civilë, përfshirë të prekurit nga ristrukturimi i institucioneve shtetërore, mbetën një pikë e fortë përplasjesh përgjatë vitit. Megjithëse qeveria mund t’i justifikojë shumë ndryshime me mungesën e aftësive apo përkatësinë e hapur partiake, duket se procedurat për largimin e stafit janë çuar deri në limitet e tyre, hera-herës pa marrë parasysh dispozitat ligjore.

– Pas një vendimi të shumicës së re qeverisëse për të ndarë funksionet ministrore nga ato ligjvënëse, trembëdhjetë ministra dhanë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Sipas Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i zëvendësoi me kandidatët e radhës të gjinisë më pak të përfaqësuar..

Dimensioni politiko-ushtarak

 

Strategjia e Sigurisë Kombëtare, e miratuar nga Kuvendi më 31 korrik 2014, dhjetë vjet pas asaj të fundit, përfaqëson një hap drejt një menaxhimi më efikas, koherent dhe të strukturuar të rreziqeve në fushën e sigurisë. Strategjia e 2014-s, e hartuar nga një grup ndërinstitucional pune, fut një arkitekturë të re sigurie, duke synuar të vendosë bazën për një bashkërenditje dhe bashkëpunim më të mirë ndërmjet institucioneve të ndryshme. Strategjia parashikon një sërë direktivash strategjike, por nuk përmend se si do të zbatohen apo financohen ato

Prezenca është fokusuar te drejtuesit e nivelit të mesëm, duke nxitur zhvillimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse bazuar te komuniteti. Trajnimet teknike (p.sh. për teknikat e mbikëqyrjes dhe të intervistimit) për forcat speciale të policisë dhe për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, të ofruara nga Prezenca, rritën aftësitë e tyre për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në polici. Fatkeqësisht, në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm kjo arritje nuk u ruajt, për shkak të ndryshimeve të mëdha në staf.

– Sa i përket çmilitarizimit,Prezenca vijon të mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes për përmirësimin e kapaciteteve për shkatërrimin e municioneve konvencionale të tepërta dhe të armëve të vogla e të lehta, si dhe për asgjësimin e kimikateve të rrezikshme.

– Prezenca është fokusuar, gjithnjë e më shumë, te një përkufizim më i gjerë i reformës në sektorin e sigurisë, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Në të shkuarën, për shembull, shërbimi zjarrfikës dhe emergjencat civile janë lënë shpesh pas dore në favor të synimeve të një përparësie më të lartë, si policia. Një vlerësim i aftësisë së shërbimit zjarrfikës për të mbështetur policinë në emergjencat civile në fusha kyçe nxori në pah mungesa në standardet, aftësinë, infrastrukturën dhe formimin profesional.

– Qeveria e re e shpalli luftën kundër korrupsionit një ndër përparësitë e saj kryesore dhe, në nëntor 2013, caktoi një Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit, në nivel ministri, i cili raporton drejtpërdrejt te kryeministri. Pas marrjes së një kërkese nga qeveria, Prezenca mbështeti, po ashtu, hartimin e një strategjie antikorrupsion për vitet 2014-2017, si dhe një plan veprimi përkatës, të cilat duhet të miratohen në fund të 2014-s. Plani i veprimit përcakton masa dhe veprimtari konkrete brenda tri shtyllave kryesore të strategjisë: parandalimit, ndjekjes penale dhe rritjes së ndërgjegjësimit.

– Megjithëse autoritetet kanë nisur hetimin dhe ndjekjen penale të disa zyrtarëve për akuzën e korrupsionit, ende nuk ka ndonjë historik të identifikimit dhe dënimit të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të lartë. Një sërë vrasjesh të nivelit të lartë të personaliteteve të biznesit dhe zbulimi i një vjedhjeje të konsiderueshme në Bankën e Shqipërisë kanë vazhduar të japin përshtypjen se shteti i së drejtës është ende i brishtë. Megjithatë, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi në shtator 2014 se prokurorët shqiptarë po hetojnë një numër zyrtarësh të lartë të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës. Nën drejtim të ri që prej shkurtit 2014.

Reforma e pronës mbetet një çështje themelore për Shqipërinë, pasi pasiguria juridike e të drejtave të pronarëve pengon zhvillimin ekonomik dhe ushqen problemet sociale. Qeveria e ka shpallur zgjidhjen e çështjes së pronës ndër përparësitë e saj kryesore, por duhet ende të zhvillojë një strategji. Një qasje e konsoliduar, konsensusi kombëtar dhe qëndrueshmëria e kornizës institucionale dhe ligjore janë të domosdoshme për suksesin e kësaj reforme. Në një zhvillim pozitiv, megjithëse të kufizuar, për transparencë në procesin legjislativ, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) nisi të shqyrtojë të gjitha aplikimet për legalizim, përcaktoi çmime reference të tregut për tokat e zëna dhe rriti transparencën e vendimeve të saj.

– Qeveria ndërmori një proces reforme administrativo-territoriale,në tetor 2013, për ta bërë qeverinë vendore më efiçente dhe për të zvogëluar shpenzimet dhe mundësitë për korrupsion, duke siguruar, në të njëjtën kohë, edhe një bazë për përpjekjet e mëtejshme decentralizuese. Prezenca i siguroi asistencë teknike qeverisë (inter alia, në përcaktimin e kritereve dhe metodologjisë për riorganizimin territorial dhe ekspertizë specifike këshillimore në grupin sektorial të punës) dhe organizoi takime informative sistematike për Shtetet pjesëmarrëse. I gjithë procesi u pengua rëndë nga mosmarrëveshjet politike mes dy palëve, ku përfshihej edhe ndërmarrja e një procesi konsultimi paralel nga partia kryesore e opozitës. Megjithatë, më 31korrik, Kuvendi miratoi me votat e shumicës dhe me ato të një partie më të vogël opozitare ndarjen e re administrativo–territoriale me 61 njësi qeverisjeje vendore (nga 373 që ishin). Më pas, Presidenti e ktheu ligjin në parlament, duke u shprehur se reforma nuk kishte qenë transparente dhe gjithëpërfshirëse dhe se ulja e numrit të njësive të qeverisë vendore dëmton qeverinë dhe autonominë vendore. Më 1 shtator, Kuvendi e miratoi edhe një herë ligjin, i cili hyn në fuqi pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015.

– Ka pasur disa përmirësime në parandalimin dhe ndjekjen penale të trafikimit të personave. Ndonëse koordinimi midis agjencive të zbatimit të ligjit dhe atyre të shërbimeve sociale u përmirësua si rezultat i takimeve sistematike të Task Force së Mekanizmit Kombëtar të Referimit, koordinimi në nivel vendor mbetet i dobët.

– Sipas një studimi të qeverisë të vitit 2013, në Shqipëri ekzistojnë më shumë se 2 500 fëmijë në situatë rruge, një e treta e të cilëve rrezikojnë të trafikohen. Prezenca ka mbështetur Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në hartimin e një Udhëzuesi për Mbrojtjen e Fëmijëve në Situatë Rruge.

Dimensioni njerëzor

– Megjithëse qeveria e re i përqafoi rekomandimet e ODIHR-it që dolën nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, zbatimi i tyre i plotë mbetet ende pezull. Ajo çka është shumë e rëndësishme është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po operon me vetëm katër nga shtatë anëtarë, që prej prillit të vitit 2013. Në dhjetor të vitit 2013, Prezenca ndihmoi KQZ-në me organizimin e një veprimtarie mbi mësimet e nxjerra nga kjo e fundit, pasuar nga një sërë tryezash të rrumbullakëta ekspertësh për çështjet e identifikuara në raportin përfundimtar të ODIHR-it të vitit 2013. Në qershor të vitit 2014, Prezenca, ODIHR-i dhe KQZ-ja organizuan së bashku një konferencë të nivelit të lartë.

– Qeveria e re është fokusuar te programi i reformës në fushën e drejtësisë në pesë përparësitë e identifikuara në vitin 2013 nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimin e pavarësisë, efiçencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve gjyqësore. Në korrik, Kuvendi bëri disa ndryshime në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, me synim rritjen e paanshmërisë, transparencës dhe efiçencës së këtij institucioni. Megjithatë, veprimet e ndërmarra në fillim të muajit korrik u perceptuan gjerësisht si të politizuara dhe Prezenca, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, e ka inkurajuar Ministrinë e Drejtësisë që të ndërmarrë një qasje vërtet gjithëpërfshirëse, duke punuar ngushtë me të gjithë aktorët në këtë reformë thelbësore dhe delikate.

– Një vrull i ri u vu re sa i përket përgjegjshmërisë së gjyqtarëve, si përmes procedurave disiplinore, ashtu edhe atyre penale. Në bazë të hetimeve të kryera nga Inspektorati i KLD-së, që prej shtatorit 2013, ministri i Drejtësisë propozoi masa disiplinore ndaj 20 gjyqtarëve. Si rezultat, një gjyqtar u shkarkua nga detyra, njëri u ul në detyrë, dy u akuzuan për korrupsion dhe u pezulluan nga detyra, kurse dymbëdhjetë morën vërejtje. Megjithatë, propozimi i Ministrit për shkarkimin nga detyra të katër gjyqtarëve për deklarata të rreme të pasurive u refuzua në muajin korrik nga KLD-ja, si i pabazuar. Një hap pozitiv ishte përfundimi, nga KLD-ja, në korrik, i procesit të emërimit të kryetarëve të gjykatave dhe vlerësimit të gjyqtarëve për vitet 2005-2006, i cili kishte mbetur pezull për mbi dy vjet.

– Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka operuar me mungesa në staf që prej tetorit të vitit 2013, për shkak të mosrënies dakord të Presidentit dhe parlamentit për emërimin e gjyqtarëve, ku çdo institucion i ka kritikuar vendimet e tjetrit si të pabazuara. Aktualisht, tre nga 19 pozicione në Gjykatën e Larë janë vakante, gjë që pengon funksionimin e gjykatës.

– Sistemi i ri i gjykatave administrative të Shqipërisë, i cili operon që prej nëntorit të vitit 2013, ka bërë hapa të rëndësishëm përpara drejt zvogëlimit të vonesave dhe uljes së ndjeshme të çështjeve të prapambetura gjyqësore administrative, duke zgjidhur më shumë se 9 mijë mosmarrëveshje në nëntë muaj – pavarësisht mungesave të konsiderueshme në staf.

– Nga marsi deri në korrik 2014, Kuvendi miratoi një sërë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin Penal në lidhje me zgjerimin e kompetencave të Gjykatës së Krimeve të Rënda për krimet e korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të lartë, harmonizimin e Kodit të Procedurës Penale me Kushtetutën për çështje të imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë dhe duke parashikuar krime të reja si pjesëmarrja e shtetasve shqiptarë në konflikte të huaja të armatosura.

Largimet dhe pranimet në punë të nëpunësve civilë mbetën një pikë e fortë përplasjesh në sferën politike dhe në gjykata gjatë gjithë vitit. Pasi Gjykata Kushtetuese, në shkurt 2014, shpalli jokushtetues aktin normativ të Këshillit të Ministrave që shtynte hyrjen në fuqi të ligjit, ligji i ri për nëpunësin civil hyri në fuqi në shkurt 2014. Megjithatë, zbatimi i tij u vonua edhe më shumë dhe filloi vetëm në muajin gusht, pas miratimit të akteve nënligjore të nevojshme. Vonesat ndikuan edhe në procesin e përzgjedhjes së Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, i cili, me kuadrin e ri ligjor, do të mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil për afërsisht 20 000 nëpunës civilë, tri herë më shumë sesa me legjislacionin e mëparshëm. Shumica qeverisëse deklaroi se, që nga muaji maj, ristrukturimi i institucioneve qendrore kishte çuar në nxjerrjen të tepërt të 260 punonjësve, dhe se këta njerëz nuk ishin hequr nga puna, por ishin vendosur në një listë pritjeje me pagesë, në pritje të marrjes së një detyre të re. Megjithatë, në gusht, opozita informoi Prezencën se të paktën 3 600 punonjës ishin hequr nga puna nga shumica qeverisëse me justifikimin e reformës në administratën publike. Gjykatat administrative kanë regjistruar 1 956 padi për mosmarrëveshje në marrëdhëniet e punës midis institucioneve shtetërore dhe punonjësve të larguar nga puna, nga janari deri në qershor 2014. Rekrutimet e reja në administratën publike u ndërprenë në fillim të muajit mars, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e nëpunësit civil; në gusht, qeveria shpalli 257 pozicione të lira pune në administratën publike dhe deklaroi çeljen e aplikimeve për 113 prej tyre.

– Sa i përket medias, proceset për ngritjen e bordit drejtues të transmetuesit publik (RTSH) dhe të bordit të Autoritetit të Medias Audiovizive filluan, përkatësisht, në tetor 2013 dhe prill 2014. Megjithatë, mosmarrëveshjet e vazhdueshme politike lidhur me procedurat e nominimit i kanë vonuar këto procese; asnjëri prej këtyre dy enteve nuk është plotësisht funksional. Procesi i transformimit të RTSH-së në një transmetues publik kombëtar të pavarur editorialisht, të qëndrueshëm financiarisht dhe të përgjegjshëm ka mbetur në vend.

– Në vitet e fundit, Shqipëria ka promovuar statusin e grave dhe të barazisë gjinore. Megjithatë, vendi ende përballet me shumë sfida sa i përket shfrytëzimit të plotë të potencialit të grave.

– Kapaciteti i shoqërisë civile mbetet përgjithësisht i ulët dhe kërkon mbështetje në mënyrë që të jetë në gjendje të përmbushë rolin e saj si partnere strategjike e qeverisë në vendimmarrje. Përveç kësaj, mungesa e përgjithshme e besimit midis qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile mbetet shqetësuese.

Diskriminimi vijon të jetë problem dhe raporti vjetor i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2013 tregoi një rritje të numrit të ankesave prej pothuajse 90% krahasuar me vitin 2012, 58% e të cilave ishin diskriminime për shkak të racës. Dëbimi i familjeve rome përbën një çështje veçanërisht problematike, që do të kërkojë ngritjen e një sistemi proaktiv. Avokati i Popullit hapi, në korrik 2014, një zyrë rajonale në jug të Shqipërisë, me fokus të veçantë mbrojtjen e të drejtave të pakicave

– Vlen të theksohet si zhvillim pozitiv se, në mars 2014, qeveria deklaroi se do të rifillonte procesin e kompensimit financiar të të përndjekurve politikë nga regjimi komunist. Qeveria filloi të bëjë pagesat e kompensimeve në muajin prill, duke premtuar se, deri në fund të shtatorit, të gjithë ish-të përndjekurit politikë do të kishin marrë të paktën këstin e parë. Në maj, një grup ish-të përndjekurish politikë filluan një grevë urie, duke kërkuar pagesë më të shpejtë të kompensimit për viktimat e ish-regjimit komunist.

– Trajtimi i të burgosurve në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit; megjithatë, trajtimi i të burgosurve me probleme të shëndetit mendor mbetet i papërshtatshëm. Edhe zbatimi i plotë i programeve të individualizuara të rehabilitimit dhe ri-integrimit për të burgosurit, siç kërkohet nga ligji për trajtimin e të burgosurve, mbetet, po ashtu, shqetësues.