Organizata ICAN – fituese e Çmimit Nobel të Paqes

162
Grupi “Fushata Ndërkombëtare për ndalimin e armëve bërthamore” (ICAN), u shpall të premten fitues i çmimit Nobel për paqe, në një ceremoni gjatë së cilës komiteti norvegjez i Nobelit tërhoqi vërejtjen se rreziku i një konflikti bërthamor është shumë i lartë.
ICAN e përshkruan veten si një koalicion të grupeve joqeveritare nga mbi 100 vende. Krijimi i tij nisi në Australi, ndërsa u zyrtarizua në Vjenë në vitin 2007.
“Ne jetojmë në një botë ku rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është më i lart se sa që ishte për një kohë të gjatë”, tha Berit Reiss-Andersen, nga komiteti norvegjez i Nobelit.
Në korrik, 122 vende miratuan Traktatin e Kombeve të Bashkuara për ndalimin e armëve bërthamore, por vendet që posedojnë armë të tilla, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Britaninë e Madhe dhe Francën nuk ishin pjesë e bisedimeve.
Çmimi Nobel për paqe synon të nxisë çarmatimin bërthamor mes tensioneve të larta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut dhe paqartësive rreth fatit të marrëveshjes së vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive të mëdha për kufizimin e programit bërthamor të Teheranit.