Operacioni në Rrëshen: Përfundon peshimi i lëndës narkotike, u sekuestruan 4.2 ton hashash

Përfundon peshimi i lëndës narkotike që u sekuestrua dje nga policia në një magazinë në Rrëshen. Plot 4238 kg hashash në proces tharje është gjetur në punishten ku u arrestuan në flagrancë 22 shtetas, mes tyre gra dhe fëmijë. Nga ky operacion po procedohen penalisht në gjendje të lirë 9 persona si dhe u shpall në kërkim pronari i magazinës.

“Në vijim të operacionit anti-cannabis “Befasia” të nisur dje në Rrëshen -Mirditë, ku u arrestuan 22 shtetas, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas dhe u shpall në kërkim pronari i magazinës, para pak minutash ka përfunduar peshimi total i sasisë së lëndës narkotike të sekuestruar. Nga peshimi rezultoi se në magazinë kishte 4238 kg bimë narkotike cannabis – sattiva në proces tharje e përpunimi. Sasia bimore narkotike e sekuestruar është magazinuar.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie.”, thuhet në njoftimin e policisë.