Operacionet e fshehta dhe të suksesshme të CIA-s

592
Dr. Bledar KURTI

– Vijon nga numri i djeshëm –

Italia dhe Lufta e Koresë
Aksioni i parë i fshehtë i autorizuar nga Truman erdhi si rezultat i frikës së fitores së komunistëve në zgjedhjet e Prillit të vitit 1948 në Itali. Dokumenti i parë i numerizuar i lëshuar prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare, KSK 1/1, më 14 Nëntor 1947 paralajmëroi se “Qeveria Italiane, e anuar ideologjikisht drejtë demokracisë perëndimore, është e dobët dhe është bërë subjekt i sulmeve të vazhdueshme nga e forta Partia Komuniste.” Përveç mbështetjes publike për qeverinë Italiane në rrezik, KSK rekomandoi një program “për të luftuar aktivisht propagandën komuniste në Itali me një program efikas të informacionit të SH.B.A-së dhe me të gjitha mënyrat e tjera të aplikueshme, duke përfshirë edhe përdorimin e fondeve të padeklaruara.” Truman aprovoi KSK 1/1 në 24 Nëntor. Në 14 Dhjetor, Presidenti firmosi KSK 4/A duke i ngarkuar CIA-s përgjegjësinë për “luftë psikologjike”. Një javë më pas, Agjencia ngriti Grupin e Procedurave Speciale (GPS), e cila pastroi mbi 10 milionë dollarë të kapura prej nazistëve dhe fashistëve për t’i përdorur për fushatën elektorale në Itali. Disa prej milionave të pastruara nga GPS-ja iu dhanë në dorë në fshehtësi kryeministrit italian Alcide de Gasperi, për të financuar fushatën e partisë së tij Kristian Demokrate. Milionat e tjera shkuan tek fushata mediatike për të shpërndarë propagandë të zezë kundër komunistëve dhe për të promovuar virtytet e kandidatëve anti-komunistë. Truman tregoi një interesim personal si në përpjekjet e hapura ashtu edhe në ato të fshehta për të mbështetur Kristian Demokratët dhe për të mposhtur komunistët. Pavarësisht nga një përfshirje e njëjtë nga ana e Sovjetikëve në zgjedhje, Kristian Demokratët fituan 307 prej 574 vendeve. Mposhtja e komunistëve në zgjedhje shihet historikisht prej CIA-s jo vetëm si fitorja e saj e parë por edhe si një nga operacionet e fshehta më të suksesshme. Suksesi i dukshëm i aksioneve të fshehta kundër komunistëve në Itali bëri që kjo formë operimi të zgjerohej. Në Maj të vitit 1948, George F. Kennan, kreu i grupit të planifikimit në Departamentin e Shtetit dhe apostulli kryesor i “Frenimit”, propozoi krijimin e një grupi të përhershëm për aksionet e fshehta të aftë për të bërë një punë shumë më të madhe sesa vetëm luftë psikologjike. Një muaj më vonë, Truman firmosi KSK 10/2, dhe urdhëroi krijimin e Zyrës së Koordinimit të Politikave (ZKP), e cila ishte brenda strukturave të CIA-s dhe kishte për detyrë të planifikonte dhe të merrte pjesë në aksione të fshehta. Megjithatë, më vonë, duhet përmendur se George F. Kennan u bë skeptik ndaj operacioneve të tilla dhe ndaj rolit të inteligjencës në marrëdhëniet Amerikano–Sovjetike. Ai shkroi se “Unë vetë kam pasur mundësinë të shoh rast pas rasti në të cilat autoritetet e inteligjencës amerikane kanë mbledhur, apo përpjekur të mbledhin, operacione të cilat kanë përfunduar, apo do përfundonin, në një abuzim direkt jo vetëm të marrëdhënieve formale diplomatike Amerikano-Sovjetike por edhe ndaj mundësive për arritjen e një mirëkuptimi midis dy qeverive.” Si reagim i premisës së Bashkimit Sovjetik dhe vendeve satelite të saj, të cilat kishin nisur një program “vicioz” aksionesh të fshehta “për të zhvlerësuar dhe mposhtur qëllimet dhe aktivitetet e Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të tjera perëndimore,” KSK i hapi dritën jeshile operacioneve të fshehta: “propagandë, luftë ekonomike, aksione direkte parandaluese që përfshinin sabotazh, anti-sabotazh, masa shkatërruese dhe evakuimi, rrëzimin e shteteve armike, duke i dhënë ndihmë lëvizjeve të fshehta të rezistencës, guerileve dhe grupeve çlirimtare emigrantësh.” Arritja e misioneve të tilla pati një ndikim të thellë në drejtimin e Agjencisë dhe statutin e saj relativ brenda qeverisë. Operacionet e fshehta nuk nisën brenda CIA-s, por prej zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara, midis të cilëve Sekretari i Luftës, Sekretari i Mbrojtjes, Sekretari i Shtetit, dhe George F. Kennan, Drejtori i Grupit të Planifikimit të Politikave në Departamentin e Shtetit. KSK 10/2 adaptoi formalisht principin e “mohimit të mundshëm”. Në ndryshim me raportin që paraqitej në tryezën e Truman, operacionet e fshehta nuk duhej të arrinin në Zyrën Ovale të Presidentit. Truman urdhëroi që operacionet e fshehta duhet të ishin “të planifikuara dhe ekzekutuara në atë mënyrë që përgjegjësia e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të mos ishte e dukshme për njerëzit e pa-autorizuar, dhe nëse zbuloheshin Qeveria Amerikane mund të mohonte përfshirjen e saj.” Megjithatë, mohimi i mundshëm nuk mbronte presidentët, ajo vetëm kishte dobësuar një hallkë në zinxhirin e autoritetit. Në shumicën e rasteve një nga mënyrat për të mbrojtur presidentin nga turpi politik ishte të mos ta informoje aspak atë për operacione të fshehta të veçanta, të paktën jo formalisht. Koncepti i “mohimit të mundshëm” aplikohej fjalë-për-fjalë: “Qeveria ishte e autorizuar të bënte disa gjëra për të cilat Presidenti nuk ishte i informuar.” Harry S. Truman ishte presidenti i parë që themeloi një agjenci operacionesh të fshehta në një kohë paqeje. Në Gusht të vitit 1948, ai aprovoi KSK 20, që autorizonte operacione guerilesh përtej Perdes së Hekurt duke përdorur emigrantë sovjetikë të rekrutuar në perëndim. Parathënia e KSK 20, e shkruar nga Kennan, deklaronte me ndjenjë optimiste që “ndonëse nuk është qëllimi ynë për ta hedhur poshtë Qeverinë Sovjetike në kohë paqeje,” aksionet e fshehta mund të krijojnë “rrethana dhe situata” të cilat do e bënin të vështirë që “udhëheqësit aktual Sovjetik … të mbajnë pushtetin e tyre në Rusi.” Në 31 Janar 1950, Truman urdhëroi Sekretarin e tij të Shtetit dhe Mbrojtjes të kryenin një rishqyrtim të gjerë të objektivave gjatë periudhës së luftës dhe paqes. Rezultati i këtij rishqyrtimi rezultoi në KSK 68 në datën 7 Prill. KSK 68 e interpretoi Luftën e Ftohtë si një përleshje elementare midis forcave të dritës perëndimore dhe errësirës lindore, midis lirisë dhe skllavërisë. KSK 68 rinisi doktrinën e “frenimit” të zgjerimit sovjetik dhe parashikoi një rol madhor të aksioneve të fshehta brenda bllokut sovjetik. Ndonëse nuk e përcaktoi në detaje këtë rol, ky dokument bënte thirrje për “intensifikimin e… operacioneve të fshehta në fushën e luftës ekonomike, politike, dhe psikologjike.” Krizat botërore, të rrezikshme sa ato të Luftës së Parë dhe Dytë Botërore, i bënë interesat amerikane tejet vitale, mënyrat u bënë të përballueshme, ndërsa metodat të justifikueshme. Rrënjët e operacioneve të fshehta u thelluan për shkak të obsesionit për Luftën e Ftohtë. Kjo luftë ishte si një lojë globale shahu, ku gurët luheshin herë nga njëri lojtar e herë nga tjetri. Kjo gjë bëri që CIA të zhytej në një seri aktivitetesh të fshehta, të projektuara për t’iu kundërvënë përpjekjeve konkurruese të KGB-së. Gjatë vitit 1949, operacionet e fshehta brenda bllokut sovjetik kishin filluar në Poloni, Ukrainë, dhe Shqipëri. Një ngjarje e rëndësishme për transformimin e CIA-s ishte Lufta e Koresë, 1950-1953. Kur nisi lufta, CIA u vu menjëherë nën presionin e Administratës së Trumanit e cila e akuzoi se ajo kishte dështuar për të siguruar informacione apo paralajmërime se Koreja e Veriut, e mbështetur nga sovjetikët, do konsideronte një luftë të hapur. Informacioni i CIA-s, i mbledhur nga rrjeti i saj i inteligjencës aziatike, i ishte transmetuar Komandantit të Përgjithshëm të SHBA-së Gjeneralit Douglas MacArthur dhe të tjerëve, si edhe Presidentit Truman, të cilët i kishte informuar për mundësinë e mbledhjes së trupave të Kinës Komuniste përgjatë kufirit midis Mançurisë dhe Koresë. Ky informacion u ishte bërë i qartë muaj përpara se Kina e Kuqe të sulmonte. Me fillimin e luftës ndodhën ndryshime të menjëhershme. Ai më i rëndësishmi ishte caktimi në detyrë i drejtorit të ri të CIA-s, Gjeneralit Walter Beddell Smith, i cili zëvendësoi Admiral Hillenkoetter. Bedell Smith themeloi tre zyra të rëndësishme – ajo e Planeve, Inteligjencës, dhe Administrimit. Ai e drejtoi CIA-n në një periudhë thelbësore të historisë së saj. Lufta e Koresë ishte shpërthimi i fundit i cili i detyroi Shtetet e Bashkuara të rinovonin sektorin e mbrojtjes dhe të ndërtonin një sistem modern të shërbimit të inteligjencës. Lufta e Koresë, e cila kishte gjeneruar kriticizmin dhe riorganizimin e CIA-s, e ndihmoi Agjencinë. Gjatë kësaj lufte, personeli dhe buxheti i saj u ngrit në mënyrë spektakolare. Personeli i OPC-së u rrit nga 302 në 2,812 (plus 3,142 agjentë në vende të huaja), duke ushtruar aktivitetin e saj në 47 qendra në vende të huaja në vitin 1952. Në të njëjtën periudhë, buxheti i saj arriti majën nga $4.7 milionë në $82 milionë. Kur betejat në Kore u stabilizuan në mesin e vitit 1951, OPC shtoi operacionet e saj në luftë guerilase. Gjatë periudhës Prill deri në Dhjetor të vitit 1951 ajo stërviti dhe vuri në veprim 44 grupe guerilesh koreane përtej territorit armik me qëllim sabotimin e rrjetit të komunikimit të komunistëve dhe ndalimin e furnizimeve nga Kina. CIA rekrutoi spiunë, sabotatorë, etj, dhe në disa raste madje bleu edhe politikanë, arsimtarë, detektorë koreano-veriorë, dhe njerëz me pozicione të larta, të cilët të gjithë ndihmonin përpjekjet e luftës së Sh.B.A –së dhe Kombeve të Bashkuara për të luftuar Korenë e Veriut. Me mbarimin e Luftës së Koresë, vlera e CIA-s si një agjenci tejet kompetente u themelua tërësisht. Lufta e Koresë nuk pati një impakt vetëm në fushën e inteligjencës por solli edhe një perceptim të ri mbi Luftën e Ftohtë. Ajo i hapi rrugën operacioneve të tjera të fshehta në zona më të mëdha gjeografike. CIA u themelua si rezultat i nevojës për një agjenci inteligjence për të koordinuar dhe mbledhur informacione. Ligji i Sigurisë Kombëtare ishte i dyshimtë në vendosjen e natyrës së vërtetë të kësaj agjencie, e cila ishte direkt nën urdhrat e Presidentit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ndoshta Truman nuk kishte dashur që CIA të përfshihej në operacione të fshehta, por faktet tregojnë se ai ishte përgjegjës për transformimin e saj duke firmosur Direktivën NSC 4/A e cila e inkurajonte agjencinë të kryente luftë psikologjike. Më vonë ai firmosi NSC 10/2 dhe NSC 20/2, të cilat themeluan OCP-në, me detyrën për të planifikuar dhe u përfshirë në operacione të fshehta dhe guerilase përtej Perdes së Hekurt. NSC 68, e kompozuar dhe e firmosur nga zyrtarët më të lartë, përfshirë edhe Presidentin, kërkonte intensifikimin e operacioneve të fshehta. Transformimi i CIA-s nga një agjenci informative në një agjenci operacionesh të fshehta ishte e paevitueshme dhe u nxit nga Presidentët dhe politikë-bërësit dhe jo nga brenda saj.
Sigal