Operacionet e CIA-s në Iran dhe Guatemalë

Nga Dr. Bledar KURTI

Angazhimet e fshehta të CIA-s në Itali dhe Kore, gjatë viteve të para të krijimit të Agjencisë, ishin kundërpërgjigje të menjëhershme dhe të suksesshme ndaj ngjarjeve gjeopolitike, të cilat në një farë mënyre, testonin kapacitetin e Agjencisë dhe përcaktuan rolin e saj në politikën e jashtme. Falë sukseseve të CIA-s Presidenti Amerikan Dwight D. Eisenhower, e përdori CIA-n si armën kryesore për të ndikuar në ngjarjet jashtë SH.B.A-së për të ndryshuar regjimet, rrëzuar qeveritë, dhe madje edhe për ta përgatitur Agjencinë që të angazhohet në veprime paraushtarake. 

Presidenti Eisenhower
Kur D. D. Eisenhower erdhi në pushtet, ai ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për rëndësinë e shërbimit sekret. Ai ishte presidenti i parë që prej George Washington që ishte plotësisht i mirë informuar mbi shërbimin sekret në kohën kur bëri betimin dhe qe i bindur për rëndësinë e saj për shkak të tronditjes prej sulmit të Pearl Harbour-it, si dhe përvojës së tij personale si komandant në kohën e luftës. Presidentit Eisenhower nuk i’u hoq nga mendja frika e një sulmi tjetër të befasishëm gjatë presidencës së tij. Presidenca e Eisenhower-it ishte e rëndësishme në lidhje me transformimin e mëtejshëm të CIA-s dhe në mbështetjen që i dha për operacionet sekrete. Në të vërtetë, aktiviteti në fshehtësi përbënte një pjesë të rëndësishme të strategjisë së Eisenhower-it për Luftën e Ftohtë. Ky prioritet u duk menjëherë në zgjedhjen që bëri për Drejtorin e Përgjithshëm të CIA-s Bedell Smith, i cili kishte qenë Shefi i Shtabit të Eisenhower gjatë kohës së luftës por ishte më pak entuziast për operacionet sekrete, pasi ai kishte frikë se ato uzurponin misionin kryesor të CIA-s për grumbullimin dhe intepretimin e informacionit të zbulimit për të cilën edhe ishte krijuar.

CIA në Iran
Veprimi i parë madhor i Presidencës së Eisenhower-it u realizua në Iran. Iniciativa u ndërmor nga britanikët. Në Prill të vitit 1951, Shahu i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, kishte emëruar Dr. Mohammed Mossadeq si kryeministër. Në Maj të vitit 1951 ai e kombëtarizoi industrinë e naftës, gjë që ngjalli zemërimin e qeverisë britanike, e cila zotëronte 50 për qind të rezervave të Kompanisë Anglo-Iraniane të Naftës. Kur përpjekjet britanike për të fituar sado pak kontroll mbi industrinë e naftës së Iranit dështuan, përmbysja e Mossadeq-ut u bë prioriteti numër një.

Meqenëse Britania dhe Irani i kishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike, për amerikanët ishte më e lehtë të udhëtonin për në Teheran. Shërbimi i Fshehtë i Zbulimit Britanik (SIS) ra dakord që operacioni (me emrin Ajaks, vënë nga CIA) duhej të drejtohej nga Kermit Roosevelt, agjenti kryesor sekret në Lindjen e Mesme. Në Mars të vitit 1953 CIA dhe SIS filluan hartimin e planeve të detajuara. Plani prej njëzetë e dy faqesh për Operacionin ‘Ajaks’, i bashkëpërgatitur prej CIA-s dhe SIS-it, u aprovua më 25 Qershor në takimin e Departamentit të Shtetit. Pasi siguroi mbështetjen e Shahut, Roosvelt-i ishte në gjendje të fillonte grushtin e shtetit. Shahu firmosi dekrete për ta shkarkuar Mossadeq-un dhe emëroi Zahed-in si Kryeministër. Mossadeq e arrestoi ushtarakun që u përpoq të shpallte dekretin e shkarkimit të tij. Më 16 Gusht, Shahu e la vendin në panik. CIA organizoi demonstrata që të ngjallte frikën e një grushti shteti prej komunistëve dhe të provokonte reagimin e ruajalistëve. Demonstruesve të rremë iu bashkuan shumë shpejt edhe mbështetës të vërtetë të Tudeh-ut, pa pasur dijeni për manovrat e CIA-s. Më 19 Gusht Roosvelt-i orkestroi kundëpërgjigjen e ruajalistëve. Agjentët e CIA-s dhe të SIS-it, të furnizuar mirë, më së shumti prej fondeve amerikane, mobilizuan mbështetjen e këtyre demonstratave dhe turmave në rrugë. Pas nëntë orësh luftimi, gjatë të cilave u vranë mbi treqind njerëz, trupat besnike të Mossadeq pësuan disfatë. Ditën tjetër, Mossadeq e dorëzoi pushtetin tek kryeministri i ri, Gjeneral Zahedi. Përmbysja e Mossadeq-ut e forcoi besimin e Presidentit Eisenhower tek operacioni sekret si një armë e fshehtë e Luftës së Ftohtë. Eisenhower në kujtimet e tij, duke bërë një “mohim të besueshëm”, nuk përmend përfshirjen e CIA-s dhe SIS-it në grusht shteti. Ai shkroi; “Shahu vendosi për të mos kryer grusht shteti; në vend të kësaj ai vendosi të bënte atë që i lejonte Kushtetuta; të bënte - të emëronte pasuesin e Mossadeq-ut. Ai zgjodhi një gjeneral me emrin Fazullah Zahed”. Nuk ka asnjë referencë për demonstratat e organizuara nga CIA. Në të kundërt ai përshkruan rolin e CIA-s në ngjarje thjeshtë si mbledhëse e informacionit. “Unë këshillohesha çdo ditë me zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe Mbrojtjes dhe Agjencinë Qendrore të Inteligjencës dhe shihja raportet e përfaqësuesve tanë në terren të cilët po punonin në mënyrë aktive me mbështetësit e Shah-ut. Pastaj, në mënyrë te befasishme dhe dramatike, opozita ndaj Mossadeq-ut dhe komunistëve e besnikëve të Shahut nisi të funksionojë.” Përfshirja e CIA-s në përmbysjen e Mossadeq-ut ndodhi, sepse ai dyshohej të ishte komunist, ose së paku komunist potencial. Më 28 Maj, Mossadeq i kishte shkruar Presidentit Eisenhower ku i kërkonte qeverisë amerikane që të hiqte pengesat në rrugën e shitjes së naftës iraniane, dhe shprehej se, nëse SHBA nuk do të ishte në gjendje të hiqte pengesa të tilla, ai do të detyrohej të kërkonte ndihmë gjetiu dhe të përdorte burime të tjera. “Gjetiu” do të thoshte Bashkimi Sovjetik, me të cilën Mossadeq sugjeronte që ai do të realizonte një marrëveshje, e cila ishte edhe ekonomike edhe një pakt i ndërsjellë mbrojtjeje. Pavarësisht nga suksesi fillestar i CIA-s, operacioni u realizua më shumë me dollarë, se sa me ekspertizë të zbulimit, dhe përdorimit të lirë të shumave të mëdha të parave, se sa manipulimit politik. CIA nuk kishte të drejtë të ndërhynte në një vend të huaj, derisa autoriteti do t’i jepej nga presidenti. Operacioni sekret në Iran përputhej me përpjekjet anti-komuniste të SHBA-së nën trysninë e McCarthyism-it dhe Sekretarit të përkushtuar të Shtetit, John Foster Dulles.

CIA në Guatemalë
Objektivi tjetër i veprimtarisë së fshehtë të CIA-s ishte Presidenti Jacobo Arbenz Guzman i Guatemalës, i cili ngjalli armiqësinë gjithnjë e në rritje të administratës së Eisenhower-it për shkak të marrëdhënieve të tij me komunistët guatemalas, dhe shpronësimit prej tij të zotërimeve të Kompanisë së Bashkuar Amerikane të Frutave, ashtu sikurse prej blerjeve të armëve nga blloku sovjetik në Maj të vitit 1954. Drejtori i CIA-s, Allen Dulles, kishte besim që një grup opozitar me mbështetje amerikane, mund të largonte Arbenz Guzman-in. Eisenhower autorizoi fillimin e hartimit të planeve për suksesin e Operacionit PB. (PB ishte kodi i CIA-s për Guatemalën). Planifikimi vazhdoi për pothuajse një vit, në dijeni të të cilit ishte vetëm Presidenti, Sekretari i Shtetit, Drejtori i CIA-s dhe një numër i kufizuar i zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit dhe CIA-s. Guatemalasi i zgjedhur për grushtin e shtetit ishte Kolonel Carlos Castillo Armas. Por, pavarësisht nga burimet e ofruara për të nga CIA, Castillo Armasi nuk drejtoi një forcë serioze luftuese. Fati i suksesit të PB-së rrjedhimisht varej nga “ndikimi psikologjik” i pushtimit, aftësia e tij për të “krijuar dhe mbajtur për një kohë të shkurtër përshtypjen e një force shumë të rëndësishme ushtarake.” Dulles i tha Eisenhiower-it se dy mënyrat kryesore për të krijuar këtë iluzion të pamundur ishte një fushatë masive dezinformimi në media e orkestruar së bashku prej CIA-s, Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Amerikane të Informacionit dhe një force të vogël ajrore formalisht nën komandën e Castillos, me pilotë të marrë nga CIA. Pjesa më e suksesshme e operacionit mashtrues ishte ndikimi psikologjik i krijuar kur “forca ajrore” të Armas-it zhurmuan mbi qytetin e Guatemalës. Zëri i Qytetit të Lirisë, stisur nga CIA, pati një triumf të madh propagandistik me transmetimin e përgatitur me kujdes të një piloti, i cili kishte kërkuar strehim politik. Operacioni PB përfundoi me sukses, por Eisenhower nuk ishte i ndërgjegjshëm për numrin e civilëve guatemalas të vrarë nga forca ajrore e CIA-s. Në kujtimet e tij, ai shkroi që arsyeja kryesore për ndërhyrjen në Guatemalë ishte sepse ekzistonte rreziku i një regjimi komunist: “Republikat amerikane nuk donin regjim komunist mes tyre.” Por përsëri, në mënyrë të njëjtë me operacionin ‘Ajaks’ në Iran, ai nuk përmendi luftën psikologjike, propagandën e medies, dhe forcën ajrore të CIA-s - faktorët kryesorë në grushtin e shtetit. Ai shkroi, “Pastaj në 18 Qershor, forcat ajrore nën komandën e Carlos Castillo Armas-it, dikur një kolonel i ushtrisë guatemalase në ekzil, kaloi kufirin nga Hondurasi për në Guatemalë, në dallim vetëm me një grusht njerëzish - sikur është raportuar rreth dyqind, ndërsa përparonte ai shtonte të rekrutuarit. Në të njëjtën kohë tre bombardues të vjetër, me sa duket në drejtimin e tij, sulmuan qytetin e Guatemalës dhe bombarduan depot e armëve dhe artilerinë, faktori madhor në rezultatin e suksesshëm të pakënaqësisë së forcave ajrore guatemalase dhe popullsisë si një e tërë me regjimin tiranik të Arbenz-it.” Drejtori i CIA-s, Allen Dulles dha arsyen reale për përfshirjen e CIA-s në Guatemalë. Sipas Dulles, në vitin 1954, zbulimi i një transporti të fshehtë armësh, një ngarkesë e tërë ishte kapur në një varkë gjatë rrugës nga Çekosllovakia në Guatemalë, e bëri vigjilent CIA-n për faktin që jepej një mbështetje masive sovjetike për të forcuar regjimin komunist në atë vend. Shumë historianë skeptikë mendojnë që suksesi i operacionit PB të CIA-s ishte një fiasko. Ata argumentojnë që gjatë revoltës së CIA-s kundër regjimit të majtë guatemalas në 1954-ën, një aeroplan i Agjencisë bombardoi një anije mallrash britanike, e cila dyshohej se transportonte armë për trupat qeveritare e që përgatiteshin për betejë. Në fakt anija transportonte kafe dhe pambuk. Ata ranë dakord që me zhvillimin e një operacioni sekret, Agjencia do gëzonte shkallën më të lartë të suksesit, por skeptikët mendojnë se CIA nuk duhej të kishte ndërhyrë në Guatemalë. Gjatë seancave dëgjimore të Dhomës së Përfaqësuesve para Komitetit të Përzgjedhur për Zbulimin në vitin 1975, i njohur si Pike Committee (Komiteti Pike), William E. Colby, Drejtor i Përgjithshëm i CIA-s nga viti 1973 deri në vitin 1976, u shpreh se CIA u angazhua në operacione sekrete gjatë ditëve të konfrontimit masiv në 1950-ën dhe në periudhën e kundër-rebelimit në 1960-ën. Ai deklaroi se, “operacionet sekrete ishte një opsion i rëndësishëm ndërmjet diplomacisë dhe dërgimit të marinsave.”

Hetime dhe Kontroll
Tre hetime mbi aktivitetet e zbulimit amerikan u realizuan mes viteve 1954 dhe 1956. I pari, Forca Operative për Aktivitetet e Zbulimit të Komisionit të Dytë Hoover mbi Organizimin e Degës Ekzekutive të Qeverisë, i cili u krye nga Kongresi. I dyti, Rraporti Doolittle, u thirr si kundërpërgjigje ndaj Komisionit të Dytë Hoover. I treti, Raporti Bruce-Lovett i iniciuar nga Bordi i Këshilltarëve të Presidentit për Aktivitetet e Zbulimeve të Huaja, i cili i raportoi Presidentit Eisenhower. Komisioni i Dytë Hoover, 1955, nën drejtimin e Gjeneral Mark W, Clark, shprehu nevojën e reformimit të organizimit të ndryshëm të CIA-s, duke përfshirë dhe rekomandimin që Drejtori i Përgjithshëm i CIA-s të përqendrohet në çështjet e zbulimit që kanë të bëjnë me të gjithë bashkësinë e inteligjencës, duke ia lënë administrimin e përditshëm të CIA-s një nëpunësi ekzekutiv ose Shefit të Shtabit. Ai parashikoi nevojën për një mbikëqyrje më të mirë të aktiviteteve të zbulimit dhe propozoi krijimin e një komisioni të vogël, të përhershëm dypalësh, që përfshinte anëtarë të Kongresit dhe “qytetarë me shpirt publik,” për të siguruar mbikëqyrje të pavarur të aktiviteteve të zbulimit që normalisht mbaheshin sekret për degë të tjera të qeverisë. Raporti i plotë i Komisionit trajtoi këtë çështje duke rekomanduar krijimin e të dyjave, një komiteti mbikëqyrës të kongresit dhe një paneli këshillimor presidencial. Nën/Koloneli James Doolittle dërgoi raportin e tij sekret 69-faqesh direkt për Eisenhower-in. I lejuar për t’u parë nga publiku në 1976-ën, Raporti Dolittle përmbante dyzet e dy rekomandime për të përmirësuar zhvillimin e operacioneve sekrete të CIA-s. Në shqyrtimin që i bën CIA-s, Doolittle mendon që është e vendosur në vendin e duhur në strukturën e qeverisë. Për më tepër, raporti arrin në përfundimin që ligjet që lidhen me funksionet e CIA-s ishin të mjaftueshme që Agjencia të përmbushte nevojat e saj operacionale, për shembull: depërtimin e Bllokut Sovjetik. Raporti përmendte nevojën që të sigurohej për CIA-n me lehtësirat e duhura sipas nevojave specifike dhe ushtrimin e një kontrolli më të mirë të llogarive të shpenzimeve për projektet sekrete. Raporti Bruce-Lovett, i vitit 1956, i cili ishte krijuar me qëllim informimin e Presidentit Eisenhower mbi programet e aktivitetit sekret të CIA-s sikurse ishte vënë në zbatim sipas Direktivës NSC 10/2, kritikonte CIA-n për përfshirje shumë të madhe në intrigat e Botës së Tretë duke nënvlerësuar grumbullimin e informacioneve të vështira mbi Bashkimin Sovjetik. 

Sikurse kishte bërë Doolittle, edhe Bruce dhe Lovett kritikuan gjithashtu marrëdhënien e afërt mes Sekretarit të Shtetit, John Foster Dulles, dhe vëllait të tij, Drejtorit të CIA-s Allen W. Dulles. Për shkak të pozitës unike të secilit vëlla, raporti shprehte shqetësimin që ata mund të ndikonin jo pak në politikën e jashtme të SHBA-së në varësi të perceptimit të tyre. Raporti arrinte në përfundimin që SHBA duhet të rikonsiderojë qasjen e saj ndaj programeve të operacioneve sekrete, dhe se një pozicion i përhershëm autoritativ duhej të krijohej për të vlerësuar vlefshmërinë dhe ndikimin e programeve të tilla. Si pasojë e këtyre raporteve, u lëshuan dy Direktiva të reja NSC, 5412/1 dhe 5412/2, në lidhje me aktivitetet sekrete respektivisht në Mars dhe Nëntor të vitit 1955. Së bashku, këto direktiva zbatonin procedura kontrolli mbi aktivitetet sekrete. Ato mbetën në fuqi deri në vitin 1970, duke dhënë udhëzime për politikat e operacioneve të fshehta të CIA-s. Në vitin 1956, si përgjigje ndaj Forcës Operative Clark, dhe në mënyrë që të zëvendësoj mbikëqyrje më të afërt nga kongresi mbi grumbullimin e informacionit, Eisenhower krijoi PBCFIA për të realizuar vlerësime të pavarura për programin amerikan të zbulimit.