Operacionet e CIA-s në Guatemalë

793
Nga Dr. Bledar KURTI

– Vijon nga numri i kaluar –

CIA-s në Guatemalë
Objektivi tjetër i veprimtarisë së fshehtë të CIA-s ishte Presidenti Jacobo Arbenz Guzman i Guatemalës, i cili ngjalli armiqësinë gjithnjë e në rritje të administratës së Eisenhower-it për shkak të marrëdhënieve të tij me komunistët guatemalas, dhe shpronësimit prej tij të zotërimeve të Kompanisë së Bashkuar Amerikane të Frutave, ashtu sikurse prej blerjeve të armëve nga blloku sovjetik në Maj të vitit 1954. Drejtori i CIA-s, Allen Dulles, kishte besim që një grup opozitar me mbështetje amerikane, mund të largonte Arbenz Guzman-in. Eisenhower autorizoi fillimin e hartimit të planeve për suksesin e Operacionit PB. (PB ishte kodi i CIA-s për Guatemalën). Planifikimi vazhdoi për pothuajse një vit, në dijeni të të cilit ishte vetëm Presidenti, Sekretari i Shtetit, Drejtori i CIA-s dhe një numër i kufizuar i zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit dhe CIA-s. Guatemalasi i zgjedhur për grushtin e shtetit ishte Kolonel Carlos Castillo Armas. Por, pavarësisht nga burimet e ofruara për të nga CIA, Castillo Armasi nuk drejtoi një forcë serioze luftuese. Fati i suksesit të PB-së rrjedhimisht varej nga “ndikimi psikologjik” i pushtimit, aftësia e tij për të “krijuar dhe mbajtur për një kohë të shkurtër përshtypjen e një force shumë të rëndësishme ushtarake.” Dulles i tha Eisenhiower-it se dy mënyrat kryesore për të krijuar këtë iluzion të pamundur ishte një fushatë masive dezinformimi në media e orkestruar së bashku prej CIA-s, Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Amerikane të Informacionit dhe një force të vogël ajrore formalisht nën komandën e Castillos, me pilotë të marrë nga CIA. Pjesa më e suksesshme e operacionit mashtrues ishte ndikimi psikologjik i krijuar kur “forca ajrore” të Armas-it zhurmuan mbi qytetin e Guatemalës. Zëri i Qytetit të Lirisë, stisur nga CIA, pati një triumf të madh propagandistik me transmetimin e përgatitur me kujdes të një piloti, i cili kishte kërkuar strehim politik. Operacioni PB përfundoi me sukses, por Eisenhower nuk ishte i ndërgjegjshëm për numrin e civilëve guatemalas të vrarë nga forca ajrore e CIA-s. Në kujtimet e tij, ai shkroi që arsyeja kryesore për ndërhyrjen në Guatemalë ishte sepse ekzistonte rreziku i një regjimi komunist: “Republikat amerikane nuk donin regjim komunist mes tyre.” Por përsëri, në mënyrë të njëjtë me operacionin ‘Ajaks’ në Iran, ai nuk përmendi luftën psikologjike, propagandën e medies, dhe forcën ajrore të CIA-s – faktorët kryesorë në grushtin e shtetit. Ai shkroi, “Pastaj në 18 Qershor, forcat ajrore nën komandën e Carlos Castillo Armas-it, dikur një kolonel i ushtrisë guatemalase në ekzil, kaloi kufirin nga Hondurasi për në Guatemalë, në dallim vetëm me një grusht njerëzish – sikur është raportuar rreth dyqind, ndërsa përparonte ai shtonte të rekrutuarit. Në të njëjtën kohë tre bombardues të vjetër, me sa duket në drejtimin e tij, sulmuan qytetin e Guatemalës dhe bombarduan depot e armëve dhe artilerinë, faktori madhor në rezultatin e suksesshëm të pakënaqësisë së forcave ajrore guatemalase dhe popullsisë si një e tërë me regjimin tiranik të Arbenz-it.” Drejtori i CIA-s, Allen Dulles dha arsyen reale për përfshirjen e CIA-s në Guatemalë. Sipas Dulles, në vitin 1954, zbulimi i një transporti të fshehtë armësh, një ngarkesë e tërë ishte kapur në një varkë gjatë rrugës nga Çekosllovakia në Guatemalë, e bëri vigjilent CIA-n për faktin që jepej një mbështetje masive sovjetike për të forcuar regjimin komunist në atë vend. Shumë historianë skeptikë mendojnë që suksesi i operacionit PB të CIA-s ishte një fiasko. Ata argumentojnë që gjatë revoltës së CIA-s kundër regjimit të majtë guatemalas në 1954-ën, një aeroplan i Agjencisë bombardoi një anije mallrash britanike, e cila dyshohej se transportonte armë për trupat qeveritare e që përgatiteshin për betejë. Në fakt anija transportonte kafe dhe pambuk. Ata ranë dakord që me zhvillimin e një operacioni sekret, Agjencia do gëzonte shkallën më të lartë të suksesit, por skeptikët mendojnë se CIA nuk duhej të kishte ndërhyrë në Guatemalë. Gjatë seancave dëgjimore të Dhomës së Përfaqësuesve para Komitetit të Përzgjedhur për Zbulimin në vitin 1975, i njohur si Pike Committee (Komiteti Pike), William E. Colby, Drejtor i Përgjithshëm i CIA-s nga viti 1973 deri në vitin 1976, u shpreh se CIA u angazhua në operacione sekrete gjatë ditëve të konfrontimit masiv në 1950-ën dhe në periudhën e kundër-rebelimit në 1960-ën. Ai deklaroi se, “operacionet sekrete ishte një opsion i rëndësishëm ndërmjet diplomacisë dhe dërgimit të marinsave.”

Hetime dhe Kontroll
Tre hetime mbi aktivitetet e zbulimit amerikan u realizuan mes viteve 1954 dhe 1956. I pari, Forca Operative për Aktivitetet e Zbulimit të Komisionit të Dytë Hoover mbi Organizimin e Degës Ekzekutive të Qeverisë, i cili u krye nga Kongresi. I dyti, Rraporti Doolittle, u thirr si kundërpërgjigje ndaj Komisionit të Dytë Hoover. I treti, Raporti Bruce-Lovett i iniciuar nga Bordi i Këshilltarëve të Presidentit për Aktivitetet e Zbulimeve të Huaja, i cili i raportoi Presidentit Eisenhower. Komisioni i Dytë Hoover, 1955, nën drejtimin e Gjeneral Mark W, Clark, shprehu nevojën e reformimit të organizimit të ndryshëm të CIA-s, duke përfshirë dhe rekomandimin që Drejtori i Përgjithshëm i CIA-s të përqendrohet në çështjet e zbulimit që kanë të bëjnë me të gjithë bashkësinë e inteligjencës, duke ia lënë administrimin e përditshëm të CIA-s një nëpunësi ekzekutiv ose Shefit të Shtabit. Ai parashikoi nevojën për një mbikëqyrje më të mirë të aktiviteteve të zbulimit dhe propozoi krijimin e një komisioni të vogël, të përhershëm dypalësh, që përfshinte anëtarë të Kongresit dhe “qytetarë me shpirt publik,” për të siguruar mbikëqyrje të pavarur të aktiviteteve të zbulimit që normalisht mbaheshin sekret për degë të tjera të qeverisë. Raporti i plotë i Komisionit trajtoi këtë çështje duke rekomanduar krijimin e të dyjave, një komiteti mbikëqyrës të kongresit dhe një paneli këshillimor presidencial. Nën/Koloneli James Doolittle dërgoi raportin e tij sekret 69-faqesh direkt për Eisenhower-in. I lejuar për t’u parë nga publiku në 1976-ën, Raporti Dolittle përmbante dyzet e dy rekomandime për të përmirësuar zhvillimin e operacioneve sekrete të CIA-s. Në shqyrtimin që i bën CIA-s, Doolittle mendon që është e vendosur në vendin e duhur në strukturën e qeverisë. Për më tepër, raporti arrin në përfundimin që ligjet që lidhen me funksionet e CIA-s ishin të mjaftueshme që Agjencia të përmbushte nevojat e saj operacionale, për shembull: depërtimin e Bllokut Sovjetik. Raporti përmendte nevojën që të sigurohej për CIA-n me lehtësirat e duhura sipas nevojave specifike dhe ushtrimin e një kontrolli më të mirë të llogarive të shpenzimeve për projektet sekrete. Raporti Bruce-Lovett, i vitit 1956, i cili ishte krijuar me qëllim informimin e Presidentit Eisenhower mbi programet e aktivitetit sekret të CIA-s sikurse ishte vënë në zbatim sipas Direktivës NSC 10/2, kritikonte CIA-n për përfshirje shumë të madhe në intrigat e Botës së Tretë duke nënvlerësuar grumbullimin e informacioneve të vështira mbi Bashkimin Sovjetik. 

Sikurse kishte bërë Doolittle, edhe Bruce dhe Lovett kritikuan gjithashtu marrëdhënien e afërt mes Sekretarit të Shtetit, John Foster Dulles, dhe vëllait të tij, Drejtorit të CIA-s Allen W. Dulles. Për shkak të pozitës unike të secilit vëlla, raporti shprehte shqetësimin që ata mund të ndikonin jo pak në politikën e jashtme të SHBA-së në varësi të perceptimit të tyre. Raporti arrinte në përfundimin që SHBA duhet të rikonsiderojë qasjen e saj ndaj programeve të operacioneve sekrete, dhe se një pozicion i përhershëm autoritativ duhej të krijohej për të vlerësuar vlefshmërinë dhe ndikimin e programeve të tilla. Si pasojë e këtyre raporteve, u lëshuan dy Direktiva të reja NSC, 5412/1 dhe 5412/2, në lidhje me aktivitetet sekrete respektivisht në Mars dhe Nëntor të vitit 1955. Së bashku, këto direktiva zbatonin procedura kontrolli mbi aktivitetet sekrete. Ato mbetën në fuqi deri në vitin 1970, duke dhënë udhëzime për politikat e operacioneve të fshehta të CIA-s. Në vitin 1956, si përgjigje ndaj Forcës Operative Clark, dhe në mënyrë që të zëvendësoj mbikëqyrje më të afërt nga kongresi mbi grumbullimin e informacionit, Eisenhower krijoi PBCFIA për të realizuar vlerësime të pavarura për programin amerikan të zbulimit.

– Vijon –
Sigal