ONM dorëzon rekomandimet; Tetë nga 29 kandidatët e vetingut në “listën e zezë”

728
Përmes një letre të dorëzuar te Avokati i Popullit, Genoveva Ruiz Calavera sqaron se 8 kandidatë nga lista e aplikantëve që plotësojnë kriteret formale dhe 85 kandidatë nga lista e aplikantëve që nuk plotësojnë kriteret formale kanë marrë vlerësime negative nga ONM. Kryetarja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, Genoveva Ruiz Calavera dorëzoi të premten vlerësimet dhe rekomandimet për 192 kandidatët e institucioneve të vetingut në zyrën e Avokatit të Popullit, Igli Totozani. Përmes një letre të botuar në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit, shefja e ONM-së kërkoi që “zarfi i mbyllur” me rekomandimet për secilin prej kandidatëve t’i dorëzohej Kuvendit të Shqipërisë. “Përcjellja e këtij informacioni nga ana juaj do t’i japë mundësinë Parlamentit që të çojë përpara procesin. Unë jam e bindur se kjo është një bazë shumë e mirë për bërë emërimet në kohë të anëtarëve të institucioneve të vetingut,” shkruan Genoveva Ruiz Calavera. Pak ditë më parë, institucioni i Avokatit të Popullit shqyrtoi kriteret formale për 192 aplikantët dhe përpiloi listën me 29 kandidatë që plotësojnë kriteret formale dhe listën me 163 kandidatë që nuk i plotësojnë kriteret formale. Duke u bazuar në paragrafin 2 të nenit B të aneksit të Kushtetutës, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit realizoi vetingun e parë për kandidatët që morën pjesë për tre institucionet që do të kryejnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë. “Nga 29 aplikantët e listës së parë, tetë janë të prekur nga rekomandime negative të ONM-së. Në të gjenden 21 aplikantë të vlefshëm për votimin final që do të merret në konsideratë nga Parlamenti,” shkruan drejtuesja e ONM. “Nga 164 kandidatët e listës së dytë, 85 janë ndikuar nga rekomandime negative, ndërsa 79 të tjerët jo,” shtohet në letrën e kryetares së ONM. Sipas letrës së Genoveva Ruiz Calavera, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit vlerëson se një numër i lartë mes 79 kandidatëve të listës së dytë kanë eksperiencën e duhur profesionale, të paktën në letër, por nuk dorëzuan disa prej certifikatave të nevojshme në aplikimet e tyre. “Si rezultat, komisioni ad-hoc parlamentar mund të dëshirojë t’i rishqyrtojë këto aplikime dhe të kërkojë certifikatat e munguara në mënyrë që të bëjë një vlerësim sa më të saktë për vendimin që do të marrë për një përfshirje të mundshme të këtyre kandidatëve në listën e votimit,” tha Ruiz Calavera. “Në qoftë se komisioni ad hoc parlamentar nuk do të ndjekë këtë opsion….21 kandidatët e përshtatshëm përbëjnë një listë të vlefshme për të filluar konstituimin e organeve të vetingut, duke plotësuar në një fazë të dytë të gjitha postet vakante,” shtoi ajo. Sipas Birn, në përcaktimet në Kushtetutë, aplikantët për institucionet e vetingut do të mbërrijnë në komisionin ad hoc parlamentar në tre grupe; lista e bardhë me kandidatët që plotësojnë kriteret formale, lista jeshile me kandidatët që nuk plotësojnë kriteret formale dhe lista e zezë, e përbërë me emrat e atyre që kanë marrë rekomandime negative nga ONM. Kapërcimi i një kandidati nga lista e gjelbër tek ajo e bardhë kërkon 4 vota të komisionit ad hoc, ndërsa me pesë vota, komisioni i ndarë me numër të barabartë anëtarësh mes mazhorancës dhe opozitës mund të nxjerrë një kandidat nga lista e zezë dhe ta përfshijë atë në listën e bardhë.
Sigal