Olta Vel: Me ne, shoqëria bëhet edhe më e mirë…

636
Në kuadrin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe Ditës Kombëtare të Jetimëve 

Të shumta janë veprimtaritë që organizohen në vendin tonë me rastin e 1 Qershorit, ditës ndërkombëtare të fëmijëve. E tillë është edhe një nga veprimtaritë që ka tërhequr vëmendjen këtej dhe andej kufirit, siç është edhe Dita Kombëtare e Jetimëve, një iniciativë e kahershme e z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Ai synon ta propozojë dhe ta ratifikojë këtë nismë në parlamentet e vendeve të rajonit në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, etj, me qëllimin final drejt Brukselit, në Parlamentin Evropian, për ti propozuar OKB – së që ta shpall këtë Ditë – Kujtese, si Dita Botërore e Jetimëve në mbarë globin. Ishte një ditë krejt e veçantë 20 Maji i këtij viti. Në Ditën Kombëtare të Jetimëve, nën kujdesin dhe organizimin e z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, u ndodhën në Prishtinë fëmijë jetimë nga Shqipëria dhe Kosova, të shoqëruar nga mësues dhe drejtues të qendrave të ndryshme për t’u takuar me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës. Qëllimi i këtij takimi ishte nisma e marrë nga ky Institut për të kremtuar së bashku një datë të përbashkët për fëmijët jetimë të Shqipërisë dhe Kosovës, që Dita e 20 Majit të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës si datë përkujtimore në mbrojtje të interesave të jetimëve të këtyre dy shteteve. Me synimin e vetëm për të sensibilizuar parlamentarët dhe qeveritë e dy vendeve tona, shoqërinë në përgjithësi dhe resurset sociale, për të menduar seriozisht e fuqimisht në të gjitha aspektet e veprimtarisë që synojnë trajtimin sa më të mirë dhe integrimin e kësaj pjese delikate dhe të konsiderueshme në nevojë, që i përket gjithë shoqërisë. Ndalesa e parë ishte në Ministrinë e Arsimit dhe Teknologjisë së Kosovës, ku u njohëm me ecurinë e punës mësimore në Kosovë dhe përkrahjen që ju bën shteti fëmijëve jetimë në Kosovë. Atje shkëmbyem eksperienca dypalëshe, reciproke dhe integruese për këta fëmijë. Shumë emocionuese për të gjithë pjesëmarrësit ishte kur fëmijët jetimë, të gjithë sa bashku nga Shqipëria dhe Kosova, u bashkuan dhe u futën në sallën e Parlamentit të Kosovës. U ulën të gjithë në ndenjëset e deputetëve, ku në bazë të një skenari të bukur ndërtuar zhvilluan edhe një seancë parlamentare. Nëpërmjet fjalës që mbajtën si deputetë të improvizuar, fëmijët jetimë me të njëjtën uniformë, bluza të bardha ku spikaste slogani i veprimtarisë “Me ne, shoqëria bëhet edhe më e mire”, ata shprehën kërkesat, propozimet dhe idetë e tyre, për të pasur mbështetjen e plotë nga institucionet, dhe për të bërë realitet ëndrrat e tyre. E rëndësishme ishte që, pikërisht aty, në parlamentin e fëmijëve, gjeti mbështetje nisma e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë për të fiksuar si datë e përbashkët për fëmijët jetimë të dy vendeve tona, që 20 Maji të jetë një ditë kujtese dhe apeli për jetimët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Pasi fëmijët diskutuan me shumë kulturë dhe qytetari, duke treguar një nivel të lartë të debatit ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim tek të rriturit, në fund të kësaj seance, përshëndeti dhe siguroi mbështetjen vet Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës Prof. Dr Arsim Bajrami. Shumë e ngrohtë, emocionale dhe miqësore ishte edhe fjala përshëndetëse e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë të Shqipërisë z. Ilir Çumanit, i cili është ideatori dhe nismëtari që jetësoi para 15 viteve që 20 Maji, të vendosej në Shqipëri si “Dita Kombëtare e Jetimëve”. Në këtë ceremoni, mjaft domethënëse ishte pjesëmarrja dhe fjala përshëndetëse e Kryegjyshit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Hirësia e Tij, Dede Edmond Brahimaj, i cili me fjalë prekëse dhe atërore apeloi qeveritë e dy vendeve tona, për të rritur vëmendjen dhe kujdesin për këtë kategori të dobët të shoqërisë, siç janë jetimët. Ishte një emocion i veçantë dhe i paharruar për secilin prej fëmijëve, që do ta mbajnë në kujtesë gjatë këtë seancë parlamentare, me praninë dhe fjalën e tyre. Kjo nismë duhet të vazhdojë si një traditë e bukur për të bërë sa më të ndjeshme dhe të interesuara të gjitha institucionet, shtetin dhe çdo anëtar të shoqërisë, të dy vendeve, me synimin për të pasur gjithmonë vëmendjen, duke e konsideruar ndihmën ndaj fëmijëve, jo vetëm si institucion bamirësie, por së pari për ti mbrojtur e ndihmuar përmes ndihmës së shtetit, për t’i integruar sa më mirë në shoqërinë shqiptare, për të mos u prekur nga cenet dhe plagët e sotme sociale, sepse këtë shtresë të brezit të ri mund ta vrasin më rëndë. Thelbësore është ndihma sa më e madhe e personaliteteve të shquara të vendeve tona, e njerëzve pasionantë që nuk kursejnë asgjë për jetimët. Një atmosferë tepër e ngrohtë dhe vëllazërore u krijua në sallën e Kuqe të aktiviteteve që pasuan për tre ditë radhazi në Pallatin e Rinisë të Prishtinës, veçanërisht kur fëmijët pasi dolën nga salla e parlamentit, ditën e nesërme ata organizuan të Parën Olimpiadë Ndërkombëtare mes fëmijëve jetimë të Shqipërisë dhe Kosovës. Të gjithë së bashku morën pjesë në një olimpiadë, ku u përballën dhe shpalosën njohuritë, dijet, vlerat e tyre në fusha të ndryshme si në krijimtari, interpretim, pikturë, këngë, valle, balet etj. Ajo që ra në sy dhe spikati, ishte përgatitja me nivel të lartë në konkursin në degët e historisë gjeografisë, të drejtat e fëmijëve, organizatat ndërkombëtare etj. Në këtë aktivitet u ndanë çmime, u bënë vlerësime, u duartrokitën dhe gjithçka shkoi bukur, hijshëm e plot dashuri. Me siguri, nga këta fëmijë që morën pjesë në këtë veprimtari të 20 majit, “Ditës Kombëtare të Jetimëve”, por dhe nga bashkëmoshatarët e tyre do të lindin pse jo mjekë, për një vend të shëndetshëm, inxhinierë, për një vend të bukur e të pastër, sportistë të cilët do të na bëjnë të ndihemi krenarë në botë dhe pse jo edhe politikanë, të cilët do ta bëjnë edhe më mirë Kosovën dhe Shqipërinë, si dy vende dinjitoze me standarde evropiane, me shpresën për një të ardhme më të sigurt dhe më të bukur. 
Sigal