OKB: Shqipëria prodhuesja nr.1 në Evropën Juglindore

566
Sigal

Raporti botëror i drogave: Vetëm në një vit janë asgjësuar 2.5 milionë rrënjë kanabis

 

OKB: Shqipëria prodhuesja më e madhe e kanabisit në Evropën Juglindore

 

Vendi ynë mund të konsiderohet “delja e zezë” e Evropës, për sa i përket kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike. Këtë e kanë pohuar raporte të shumta gjatë viteve të fundit, nga DASH, CIA, antidroga italiane, Qendra Evropiane e Monitorimit të Drogave etj. Të gjithë këto institucione ndërkombëtare kanë pasur si kryefjalë faktin se Shqipëria është vendi kryesor në Evropë për qarkullimin e drogave. Së fundmi është publikuar një tjetër raport i rëndësishme, i cili e paraqet Shqipërinë si prodhuesin më të madh të kanabisit në Evropën Juglindore për vitet 2010-2017. Raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet Zyrës për Drogën dhe Krimet (UNODC), thekson se Shqipëria është një nga 3 shtetet më të përmendura në raportet e viteve të fundit për tranzitimin dhe kapjen e kanabisit, së bashku me Holandën dhe Spanjën. Raporti thotë se analiza e treguesve të ndryshëm për periudhën 2010–2017 ka treguar se kultivimi i kanabisit ndodh në një masë të madhe në disa vende, ku për Evropën Juglindore përmendet Shqipëria. Raporti përdor një sërë treguesish për të identifikuar se ku ka të ngjarë të ketë kultivim dhe prodhim kanabisi si hektarët e kanabisit të asgjësuar, numri i bimëve të asgjësuara dhe origjina e kanabisit të asgjësuar.

Kultivimi i kanabisit në Shqipëri

Sipas të dhënave të raportit të UNODC, në Shqipëri janë asgjësuar në 2016-n rreth 2.5 milionë rrënjë, ose 5,205 plantacione në fushë të hapur. Sipas tabelave të publikuara nga UNODC, Shqipëria renditet e dhjeta në botë për nga sasia e kanabisit të asgjësuar për 2016-2017, ku rekordin e mbajnë Paraguai dhe Filipinet, përkatësisht 36.5 dhe 26.4 milionë rrënjë të asgjësuara. Në Evropë, sasitë më të mëdha të kanabisit të asgjësuara ishin në Shqipëri, Itali dhe Turqi. Në 2017-n në Shqipëri u asgjësuan 67 mijë bimë dhe 500 plantacione, ndërsa u kalua dhe te prodhimi i mbyllur, teksa u asgjësuan 7,776 bimë në hapësira të mbyllura. Për periudhën 2016-2017 UNODC nuk ka publikuar të dhëna për sipërfaqen e mbjellë dhe për prodhimin. Të dhënat e fundit për to janë të vitit 2012, kur kishte 10 mijë hektarë të mbjella me kanabis me një prodhim prej 1,400 tonësh. Shqipëria përmendet dhe si një nga vendet e Evropës, ku janë kapur laboratorë kokaine, së bashku me Belgjikën, Slloveninë, Portugalinë dhe Spanjën.