Observatori i librave, kurrikulat universitare dhe integrimi

635
Sigal

Prof. Dr. Bajram Hysa

Ngritja e observatorit të librave dhe kurrikulave universitare-domosdoshmëri për integrimin evropian

Për zhvillimin e arsimit të lartë, zyrtarët burokratë duhet ta ngulin mirë në mendje se nuk kërkohen programe qeveritare, por vetëm programe kombëtare.

Pas plotësimit të kërkesave emergjente të studentëve drejtuesit qeveritarë dhe posaçërisht drejtuesit e MAS-it duhet t’i shqetësojë rikonceptimi i sistemit arsimor universitar dhe parauniversitar, për t’iu përshtatur zhvillimeve dhe kërkesave të tregut, që diploma të mos mbetet thjesht një copë karton, por të garantojë punësim, integrim dhe përshtatje me tregun e brendshëm dhe ata ndërkombëtar të punës. Për këtë qëllim duhet të punohet shumë për një vizion të qartë akademik dhe mësimdhënës, që fillon me përmirësimin e kurrikulave, pasi dihet që nivelin e tekstit e përcakton kurrikula.

Në përvojën shqiptare, ndryshe nga ato të vendeve të zhvilluara, ka munguar një shkollë e autorëve të hartimit të programeve dhe teksteve shkollore dhe aq më shumë e vlerësuesve të tyre.

Kurrikula dhe tregu i punës

Kurrikula shkollore është shtylla e tërë procesit arsimor, është një mjet për arritjen e qëllimeve të edukimit dhe trajnimit, e cila duhet të jetë dinamike dhe të zhvillohet sipas ndryshimit të kërkesave sociale dhe ekonomike, në përshtatje me kërkesat e tregut .

Në fund të fundit, kurrikula pasqyron tendencat e zhvillimit në arsim, trajnim dhe tregun e punës. Në kuadrin e aspiratave të Shqipërisë për anëtarësim në BE, sfida kryesore, për sa i takon sektorit të arsimit, është zhvillimi i një sistemi dhe i institucioneve, që përgatisin kuadro rezultativë në tregjet e punës, për t’u bërë qytetarë aktivë dhe për të kontribuar në konkurrueshmërinë e Shqipërisë. Rëndësia e investimit në kapitalin njerëzor është edhe më e theksuar në një vend si Shqipëria, ku burimet janë të pakta. Reformimi i sistemit të arsimit të lartë duhet të jetë në përputhje me objektivin afatgjatë të integrimit të vendit në BE dhe me nevojat e ardhshme të tregut të punës dhe dëshirat e studentëve për të hyrë në sistemin e arsimit të lartë. Tregu i punës në Shqipëri ndoshta ende nuk e koncepton plotësisht nevojën e një përgatitjeje të tillë, prandaj mund të kërkohen veprime aktive nga ana e qeverisë për të inkurajuar punëdhënësit që të njohin dhe t’u përgjigjen sfidave të së ardhmes

Tekstet dhe kurrikulat

Shoqëritë e zhvilluara, por edhe ato në zhvillim, kanë treguar një vullnet shumë të mirë përkundrejt përmirësimit të dijes që i transmetohet brezave të rinj, me qëllim përmirësimin e vizioneve të tyre shkencore dhe profesionale, pse jo shpesh edhe qytetare. Por çfarë përfaqëson kurrikula dhe çfarë përfaqësojnë tekstet shkollore për publikun e gjerë? Çdo teknologji arsimore moderne është e pamundur të futet në shkollë pa ndryshimin e teksteve shkollore. Por ato tashmë bazohen më shumë në role të ndara përkundrejt pjesëve përbërëse të kurrikulës, si programi që përcakton përqendrimin e tekstit apo të punës së shkollës që pasuron përmbajtjen e tij. Tradita e sheh tekstin shkollor si faktor kyç në kurrikul. Për këtë arsye mendojnë se duhet rishikuar qëndrimi mbi tekstet shkollorë për të garantuar një cilësi më të mirë dhe një liri më të madhe idesh e mendimesh të ndryshme. Për këtë duhet punuar mbi cilësinë, jo vetëm nga pikëpamja didaktike, por edhe nga pikëpamja e përmbajtjes. Në Itali, për shembull, është ngritur i ashtuquajturi “Observatori mbi cilësinë e librit shkollor”, një ent ky i shoqërisë civile që përfshin një sërë shoqatash. Përse të mos ngrihet edhe tek ne një observator i tillë? Në fund të çdo viti publikohet një listë e teksteve shkollorë të vjetër e të rinj, duke ofruar të dhëna mbi karakteristikat e tyre, veçantitë didaktike, mbi efikasitetin, mbi aftësinë e nxitjes së mendimit të lirë. Një tjetër sugjerim që shoqëria civile italiane i ka bërë Qeverisë, ka të bëjë me çlirimin nga detyrimet fiskale të librit shkollor. Nga kjo barrë fiskale duhet të çlirohen edhe botuesit tanë, që të mund të përmirësohet përqasja ndaj librit, duke rikuperuar kështu këtë aspekt përcaktues për kulturën e një vendi.

Hartimi i Kornizës së re Kurrikulare  

Reforma kurrikulare duhet trajtuar si një nga aspektet më të rëndësishme të reformës së arsimit në përgjithësi dhe atij universitar në veçanti. Ajo konsiderohet si zemra e shkollimit dhe edukimit cilësor dhe po aq edhe si përbërëse e domosdoshme e zhvillimit njerëzor. Në këtë kuadër, kjo reformë duhet të zërë një vend të rëndësishëm në reformat e MAS. Që kjo reformë të jetë e suksesshme duhet garantuar një kurrikulë cilësore e me standarde bashkëkohore të përcaktuara dhe të njohura mirë.

Duke u përqendruar dhe duke analizuar kryesisht sistemin kurrikular të institucioneve të arsimit të lartë, duhet thënë pa pikë dyshimi se kurrikulat në këto institucione kanë rol qenësor në ndërtimin e një shteti të dijes. Hartimi i një Kurrikule gjithëpërfshirëse është sfidues për shtetin dhe sistemin arsimor, sepse paraqet një katalizator të qëllimeve, të fuqisë dhe të vlerave më të mira për vendin në një moment historik të caktuar. Në këtë drejtim, hartimi i Kornizës së re Kurrikulare do të demonstronte përkushtimin e qeverisë aktuale që të rigjenerojë sistemin arsimor bashkëkohor, për sigurimin e një autonomie të shtuar universitare dhe rritjen e kërkesave drejt mobilizimit të potencialit studentor, me qëllim që të konkurrojë me sukses në tregun e punës, si në vend ashtu dhe jashtë vendit. Ndaj është e nevojshme që MAS të propozojë zgjidhjet e nevojshme, duke pasur parasysh nevojat e menjëhershme për përmirësime të sistemit arsimor universitar dhe trendet aktualë arsimorë të vendeve të zhvilluara evropiane, në mënyrë që studentët tanë të jenë konkurrentë me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë e më gjerë.

Vlerësimi i kurrikulës së arsimit universitar ndihmon në rritjen e kapaciteteve kombëtare e lokale. Dialogu i politikës arsimore për zhvillimin e kurrikulës është procesi i formulimit të kësaj politike që lidhet me kurrikulën, përmes përfshirjes dhe konsultimit me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit. Formuluesit e politikës kurrikulare duhet të njohin paraprakisht arsyet e përgjithshme që kushtëzojnë ndryshimet kurrikulare, të tilla, si: zhvillimi i një arsimi të orientuar nga vlera njerëzore e morale, zhvillimi i qytetarëve të shëndetshëm, të përgjegjshëm dhe të aftë, ruajtja e traditave kombëtare ose vendore, vlerësimi dhe respektimi i larmisë kulturore në epokën e globalizimit, ruajtja e qëndrueshmërisë shoqërore, rindërtimi shoqëror, ekonomik dhe qytetar, sigurimi i rritjes ekonomike dhe përmirësimi i standardit të jetesës së popullsisë, pakësimi i pabarazive shoqërore dhe ekonomike dhe trajtimi i shqetësimeve që lidhen me drejtësinë shoqërore, rritja e konkurrencës ndërkombëtare dhe e integrimit global.

Nga përvoja në fakultetin e mjekësisë

Hartuesit e kornizës kurrikulare duhet të kujdesen që korniza kurrikulare të jetë një marrëveshje shoqërore që përcakton dhe shpreh qartë përparësitë kombëtare në fushën e arsimit dhe aspiratat për të ardhmen; një dokument që vendos piketat për zhvillimin e dokumenteve të tjera kurrikulare. Kurrikula duhet të planifikohet mbi bazën e diagnostikimit të nevojave, formulimit të objektivave, zgjedhjes dhe organizimit të përmbajtjes, zgjedhjes së përvojave të të mësuarit dhe organizimit të veprimtarive mësimore.

Planifikuesit e kurrikulës kanë mundësinë të zgjedhin nga një numër mjaft i madh modelesh të zhvillimit të kurrikulës. Zgjedhja e modelit ndikohet nga orientimet filozofike dhe këndvështrimet e planifikuesve në lidhje me kurrikulën. Disa modele të përqendruara tek lënda e vënë theksin në metodën tekniko-shkencore të zhvillimit të kurrikulës,përmes shmangies së proliksitetit dhe mbingarkesës, sot metoda kryesore për krijimin e kurrikulës.

Një model të tillë kurrikular jam përpjekur të aplikoj në vitin 2012-2013, në kohën që drejtoja në detyrën e dekanit fakultetin e Mjekësisë, Tiranë.

Për t’u diplomuar në fakultetin e Mjekësisë, studentët sot japin më pak provime, si rrjedhojë shkrirjes së lëndëve të ndryshme në një të vetme, duke pasur si rezultat përgjysmimin e provimeve, duke bërë kështu një transformim rrënjësor dhe riformatim të kurrikulave. Për shembull, brenda Shëndetit Publik, lëndët e përafërta, siç janë; menaxhimi shëndetësor, ekonomia e shëndetit dhe organizimi shëndetësor tani jepen në një lëndë.

Konceptimi i ri global i kurrikulës

Zhvillimi i shoqërisë si një shoqëri e dijes dhe si një shoqëri globale ka çuar në pikëpamje të ndryshme për rëndësinë e njohurive, ka rritur vëmendjen për rëndësinë e kompetencave dhe ka diktuar ndryshime edhe në konceptimin e kurrikulave. Nëse ne duam që të rinjtë të jenë të gatshëm për të punuar në mënyrë të pavarur, të marrin përgjegjësi, nëse ne duam që kurrikula të ndihmojë zhvillimin e krijimtarisë dhe të të menduarit kritik, neve na nevojitet një teori e kurrikulës e aftë për të frymëzuar transformimin e IAL-ve. Një shoqëri e bazuar në dije, një shoqëri e teknologjisë së informacionit kërkon njerëz me aftësi të ndryshme nga shoqëria industriale. Kështu në kontekstin e shekullit të 21-të, konceptimi i ri i kurrikulës duhet të jetë fokusi kryesor i sistemit arsimor shqiptar.

Kurrikula shkollore është shtylla e tërë procesit arsimor, është një mjet për arritjen e qëllimeve të edukimit dhe trajnimit të cilat janë dinamike dhe zhvillohen sipas ndryshimit të kërkesave sociale dhe ekonomike.