Nuland: Bashkëpunim për reformën në drejtësi dhe për dekriminalizimin

522
Nën/Sekretarja Amerikane të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe ato Euroaziatike, Victoria Nuland, deklaroi gjatë një konference për shtyp te henen ne mbremje se Shqipëria meriton një sistem gjyqësor të pavarur. “Ka një arsye se përse e keni parë ambasadorin e SHBA-së. Donald Lu, të flasë për reformën në drejtësi duke pasur parasysh bashkëpunimin. Të gjithë miqtë tuaj në Uashington në SHBA mendojnë se nëse nuk e trajtoni këtë çështje së bashku, nuk e zgjidhni si duhet. Pra, duhet bashkëpunim për këtë çështje”, tha Nuland. Sipas saj, “njerëzit në Shqipëri kanë pritur tepër gjatë që të kenë një gjyqësor të pastër, të pavarur dhe që të vihet drejtësia në vend”.
Nuland theksoi se “këtu nuk është thjesht çështja që SHBA të prekin disa emra personash, por të keni një sistem drejtësi të pastër, që të keni një sistem që të ketë gjykatës dhe prokurorë të paanshëm. Nevojitet që të ketë një test që të provojë pastërtinë e sistemit”. Nuland shtoi se “ajo që kam dëgjuar nga të githa palët ka qenë nja angazhim i fortë dhe ne do të ndjekim të gjitha hapat”. Ndërsa lidhur me dekriminalizimin, Nulan u shpreh se, “kjo është një çështje që gjithashtu e keni dëgjuar ambasadorin Lu të flase për kriminalizimin brenda sistemit politik. Ai e bën këtë duke pasur mbështetjen e plotë të të gjithëve ne në Uashington, sepse të jemi të sinqertë, në një demokraci njerëzit meritojnë të votojnë persona që nuk kanë histori kriminale”. “ I bëjmë thirrje popullit shqiptar që të insisitojë që partitë politike t’u ofrojnë atyre kandidatë të pastër. Ajo që ne dëshirojmë është që të bëhet shumë e vështirë që personat që kanë të shkuar kriminale të jenë pjesë e posteve zyrtare. Është e rëndësishme të kuptoni që kjo është një e drejtë të cilën duhet të jeni ju ata që duhet ta bëni dhe jo që të prisni të jenë SHBA që t’ju thonë që duhet të ketë një zonë që të mos kalohet për politikanët e papastër”, tha Nuland. 
NënSekretarja Amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe ato Euroaziatike, Victoria Nuland, shtoi se, “duhet që të gjithë drejtuesit politikë të mund të lidhen me njëri-tjetrin që të mund të krijohet një sistem që të mos lejojë politikanë problematikë brenda tij. Kemi dëgjuar angazhim si nga qeveria dhe nga opozita për këtë, por tani ata duhet ta shndërrojmë në realitet”. Ndërkohë, Nuland preku edhe çështjen e ekstremizmit, duke nënvizuar se Shqipëria ka treguar se është një vend udhëheqës në rajon në luftën kundër këtij problemi. “Kemi biseduar me spektrin politik dhe shoqërinë civile për nevojën që të luftohet kundër ekstremizmit. Kjo është diçka që Shqipëria e ka bërë dhe është ngritur në një rol udhëheqës në Ballkan”, tha Nuland. Gjithashu, Nuland theksoi rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur si një vend me bashkëjetëse shumëetnike dhe ndërfetare. “Gjithashtu, dëshiroj të theksoj faktin që keni traditë të pasur shumëetnike bashkëpunimi dhe bashkëpunim ndërfetar dhe këtë traditë mund t’ia transferoni vendeve të tjera të rajonit”, tha Nuland. Sot, NdihmësSekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euro-Aziatike, Victoria Nuland, vizitoi Shqipërinë si pjesë e një turi në rajon. Ajo u takua me zyrtarë të lartë, udhëheqës politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për të diskutuar çështje dypalëshe dhe rajonale, përfshirë integrimin Euro-Atlantik dhe rajonal.
Sigal