Nuk ka vende në dhomat e izolimit, të burgosurit në protesta

223
Rritja e madhe e numrit të personave që ndalohen, arrestohen dhe mbahen në burgun e Elbasanit, ka sjellë një situate kaotike dhe të frikshme. Burime nga policia e Elbasanit i thanë “Telegraf” se, “prej ditësh të ndaluarit dhe arrestuarit po mbahen edhe në ambiente zyrash, dhomash dhe magazinash, pasi nuk ka më vende, janë qelitë plot, kushtet skandaloze dhe të burgosurit protestojnë çdo ditë”. Fakti është se, qelitë e Komisariatit të Policisë dhe paraburgimit që u ngrit 3 vjet më parë në një nga sheshet e ish-Kombinatit Metalurgjik Elbasan, janë plot dhe shpesh ata që ndalohen gjatë 24 orëve, ngjishen me ata që gjenden prej 2-3 apo 4 muajsh dhe sjellin situatë të rënduar higjienike dhe probleme të tjera sociale. I njëjti burim tha se, “muajt e fundit pas arrestimeve dhe ndalimeve edhe të atyre që rilidhin energjinë elektrike, situata në qelitë dhe dhomat e paraburgimit në Metalurgji, mbetet skandaloze, shpesh ata që arrestohen dhe ndalohen, flenë me turne, kushtet skandaloze janë sidomos në qelitë e Komisariatit të Elbasan, sikur të ishin para 25 vitesh, asgjë nuk ka ndryshuar, madje as çezma e famshme pa rubinet, ku të ndaluarit pinë ujë, sikur të ishin bagëti”. Para 2 muajsh ishte Avokati Popullit në një vizitë tek qelitë e paraburgimit dhe ato tek paraburgimi në Metalurgji. Atje u njoh me kushtet dhe kërkesat e të ndaluarve dhe arrestuarve, pasi kishte marrë dhjetëra letra nga familjarët e tyre. Por, sikur të mos mjaftonte ndalimi dhe arrestimi i ndonjë personi të akuzuar për krime si vrasje, grabitje, trafiqe, prej 1 viti qelitë dhe paraburgimi Elbasanit mbushen edhe me ata që “shkelin ligjin” dhe rilidhin energjinë elektrike. Shumica e tyre janë të papunë, fukarenj dhe që jetojnë me 3600 lekë të reja në muaj. Njëri prej familjarëve të shtetasit N. K. 59 vjeç, i arrestuar para 25 ditësh për “shkelje ligjore, pasi kishte rilidhur energjinë”, tregon për “telegraf” se, “ne jemi banorë të lagjes 5 Maj, kishim pa paguar 2 vjet e gjysmë energji, nuk kemi lekë dhe bukën e hamë me borxhe, pavarësisht këtyre halleve, nisëm ta paguajmë energjinë e konsumuar dhe kërkuam të vijnë ata të OSHEE të rilidhin sahatin dhe telat e energjisë. Pritëm 1 muaj dhe nuk po vinin dhe burri nisi ti lidhte vetë, kur pas 1 ore erdhën dhe e arrestuan. Ne nuk kemi lekë të paguajmë as avokat as gjyqtar, ndaj burri ka mbetur në burg pa asnjë faj”. Por si ky rast në Elbasan ka me qindra, ndërkohë që ka mjaft elementë të tjerë, që edhe pse kanë kryer shkelje ligjore apo dhe akte kriminale, nuk ndalohen dhe arrestohen nga policia, e cila ka mbushur qelitë me fukarenjtë.