Nuk ka pensione në Itali, ambasadori “nxjerr zbuluar” qeverinë

602
Kryediplomati Alberto Cutillo deklaron, se asnjëherë nuk ka filluar një negociatë për njohjen e viteve të punës së qindra mijëra shqiptarëve
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, në një intervistë dhënë në emisionin “Passport”, të gazetarit Arbër Hitaj, ka deklaruar se nuk ka asnjë negociatë konkrete mes Tiranës dhe Romës për njohjen e pensioneve. Me qindra mijëra shqiptarë, të cilët prej 27 vitesh punojnë në shtetin fqinj, presin njohjen e kontributit të tyre, por mesa duket qeveria ende nuk ka nisur një diskutim konkret. Pavarësisht deklaratave të shpeshta qeveritare se po punohet për njohjen e pensioneve, deklarimi i ambasadorit italian nxjerr zbuluar gjithçka. Diplomati italian nënvizon se shqetësimi është ngritur edhe nga presidenti Meta gjatë vizitës së tij muajin e shkuar në Romë. “Është folur shumë në lidhje me këtë çështje, por për ta saktësuar, aktualisht nuk ka negociata. Ka pasur kontakte si në nivel teknik dhe politik, por asnjëherë nuk janë hapur formalisht negociatat. Tema është trajtuar edhe nga ana presidentit Ilir Meta në vizitën e tij të fundit”, u shpreh Cutillo. Sipas tij, nga pala italiane ka gatishmëri, nëse do të ketë një kërkesë zyrtare nga pala shqiptare për të diskutuar në një tavolinë teknike. “Por duhet të kemi parasysh disa faktorë që të jemi realist. Së pari, Italia, ka disa kufizime në bilancin ekonomik që vijnë edhe nga Bashkimi Evropian, që do të thotë se s’mund të ndërmerren impenjime të tjera, pa një mbulim financiar adekuat”, tha ambasadori. Ai shtoi se “kjo s’do të thotë se nuk mund të parashikohen shpenzime të tjera, por jemi përballë këtij kuadri shumë preciz të financave publike”. “Së dyti, ekzistojnë disa ligje italiane që sipas meje, nuk janë vlerësuar si duhet, dhe besoj se një tavolinë teknike mund ta diskutojë. Për mendimin tim mund të mbulohen disa kërkesa që na janë bërë në të kaluarën. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme, të ulemi dhe diskutojmë kushtet aktuale dhe nëse është hapësira për një marrëveshje bilaterale”, nënvizoi Alberto Cutillo.

Në intervistën e tij, kryediplomati italian ka folur edhe për raportet ekonomike mes dy vendeve dhe hapjen e negociatave me BE. Cutillo thotë se Italia është partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë me 600 biznese italiane të pranishme, por që në të ardhmen do të bëhet më shumë për afrimin e bizneseve të mesme dhe të mëdha. “Edhe për Italinë, Shqipëria është një partner i rëndësishëm. Shkëmbimet tregtare që dua të theksoj i kalojnë shifrat e 2,3 mld euro. Apo absorbimi i rreth 70 % të eksporteve shqiptare nga Italia, ndërsa më partnerët e 2, 3, 4, shkëmbimet nuk shkojnë më shumë se 5 %, tregojnë shumë për raportet ekonomike”, u shpreh Cutillo. Ai tha se edhe në vizitën e fundit në Itali të kryeministrit Rama është folur për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. “Sa i përket pranisë së bizneseve italiane, kryeministri Gentiloni evidentoi se ka një prani të madhe të sipërmarrjeve të mesme dhe të vogla, për të cilët jemi shumë krenar, sidomos në manifakturë duke krijuar vende pune për disa qindra mijëra vetë. Por që mund të zgjerohen më tej, me një prani më të madhe të sipërmarrjeve të mesme dhe të mëdha”, tha ambasadori.
Çfarë përfitohet nga njohja e kontributeve
E firmosur tashmë me 11 shtete, marrëveshja për njohjen e ndërsjellët të pensioneve u jep mundësi mijëra emigrantëve shqiptarë që kanë ndarë vitet e punës mes Shqipërisë dhe një vendi tjetër të mos humbasin kontributet e derdhura për asnjë ditë pune. Drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë sqaruar se formula e përllogaritjes u mundëson në çdo rast emigrantëve marrjen e një pensioni të pjesshëm ose të plotë, bazuar në totalin e viteve të punës brenda e jashtë vendit. Dhe nëse ndodhesh jashtë vendit, për plotësimin e dokumentacionit që nevojitet, nuk është e nevojshme të udhëtosh drejt zyrave të ISSH në Shqipëri. “Një shqiptar që ka vite pune edhe në Shqipëri, edhe në Gjermani dhe që ka mbushur moshën e pensionit p.sh është 65 vjeç dhe duhet të vijë të bëje kërkesë për pension në Shqipëri, këtë kërkesë fare mirë mund ta bëje pranë sporteleve të zyrave të sigurimeve shoqërore Gjermane dhe kolegët tanë gjermanë zyrtarisht na i dërgojnë neve. Datën që është paraqitur qytetari shqiptar, atje e marrim si të mirëqenë, sikur është paraqitur p.sh te Myslym Shyri”, shprehen drejtues të ISSH-së. Krahas Italisë, edhe me Greqinë nuk ka një marrëveshje për njohjen e pensioneve. Këto janë dy vendet me numrin më të madh të punëtorëve shqiptarë. 
Sigal