Nuk ka fajin komunizmi zonja Elsa, për xhunglën e sotme

1556
Sigal

Në një nga gazetat e ditës, të datës 5 maj lexova një shkrim me titull “Sa shumë e deshëm Komunizmin!…” Natyrisht, nënteksti i saj ishte alegorik, por shpërfaqte edhe një ndjenjë frike a hutimi, sepse mos po ringjallej vërtetë përsëri ideologjia komuniste dhe mbase po i çohet “Dulla”, sepse kishte dëgjuar disa intelektuale apo qytetare që i thonin njëri-tjetrit: “Doni Dullën, Ju”. Madje shqetësimi i saj është aq evident sa që të bën të mendosh, ku do të dalë. Ajo citon… pra, edhe ata që e përdorin emrin e diktatorit me inat apo me nostalgji, për fat të keq janë shumë afër pranimit se koha e diktaturës mund të merret për krahasim. Nuk e di, se ku e ka synimin por, i them me plot gojën që në shumë drejtime, veçanërisht në drejtim të jetës së sigurt, të mbrojtjes së njerëzve, të luftës kundër krimit etj., ky krahasim nuk mund të bëhet as me kohën e Zogut, e jo me të Enver Hoxhës. Dhe qytetarët kanë të drejtë ta kërkojnë.

Ju, zonja Elsa u ha meraku se … pothuajse gjithçka që po ndodh tani ka një lidhje tmerrësisht të fortë logjike e shpirtërore me atë që ka ndodhur më parë në kohën e diktaturës. Them që jeni e pa qartë. Në kohën e diktaturës që e quani ju, (unë e quaj në kohën e socializmit ) kishte ligje, kishte dhe edukim e  qartësim për të mos i shkelur ata. Kush i shkelte, nuk kishte nevojë të merrej qytetari me ta. Merrej ligji. Në demodiktaturën e sotme, ligji është i shkruar, madje sipas konventave të perëndimit, por,atë nuk e njohin, nuk duan ta zbatojnë as qeveritarët, as organet e caktuara e as kameleonët, që nxisin për fitimet e tyre, mbeturina të shoqërisë për të bërë të nëntëdhjetenëntat, në kurriz të ligjit e të shoqërisë.

Ngrini shqetësimin se të burgosurit politikë, kanë disa probleme mes tyre…sepse nuk e gjetën asnjëherë gjuhën me njëri-tjetrin për të kuptuar se kanë vetëm një kauzë të rëndësishme që mund ta ndihmojë pa masë Shqipërinë – antikomunizmin, kundërshtimin ndaj diktaturës më të egër që shkatërroi jetën e tyre dhe të familjeve. Ata, luftuan për 20 vjet demokraci që të realizonin ëndrrën që përmendët ju, por, ngelën më të poshtëruar, se atëherë. Atëherë, së paku sa të dilnin nga burgu, (se nuk kanë vdekur të gjithë në burg, kishin një “kasolle”, kishin një punë dhe hanin një copë bukë. Sot, nuk punojnë në miniera e tharje kënetash që në fund të fundit i jepnin diçka ekonomisë popullore dhe familjes së tyre, por po digjen e vetëdigjen me benzinë e po ngordhin si qentë nëpër grevat e urisë. Përndiqen e çnjerëzohen pse kërkojnë atë që u është premtuar. Ç’panë nga salodemokracia, ata? Atëherë a nuk kanë të drejtë që të hidhen në krahun e majtë, jo për botëkuptim, por për të hequr zgjeben që ka infektuar shoqërinë shqiptare.

        Keni shumë merak që të burgosurit, janë mashtruar e gënjyer jo vetëm për shpërblimin në para, por edhe në dinjitet. Janë të zhgënjyer edhe për mos kryerjen e detyrës për Lustracionin dhe shtoni… personalisht jam ndër njerëzit që akoma besojnë se pa lustracion Shqipëria do t’i bëjë të vegjël dhe të çalë hapat drejt Europës. Dhe vazhdoni me tej…, megjithëse tashmë kuptohet prej të gjithëve se lustracioni nuk është një dënim i personave që ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit apo përfaqësues të institucioneve politikëbërëse të diktaturës…

Lustracioni nuk bëhej në Shqipëri, sepse në krye të shtetit, ishin zbatuesit e ligjit dhe vetëm të ligjit dhe se sot në krye të shtetit dhe të institucioneve e administratës janë ish-spiunët, që kanë qenë shkaktarët kryesore të persekucionit, të ndonjë personi të veçantë.

Diku kërkoni të atakoni mediat, për këtë, kur shpreheni se,… në më shumë se 20 vjet mediat janë të suksesshme kur evokojnë momente dhe kujtime të jetës se protagonistëve të krimit dhe diktaturës. Enver Hoxha është kthyer në aventurier filmash, ndërsa ish-drejtues të Sigurimit të Shtetit, ish-hetues dhe persekutorë janë dëmshpërblyer shumë më herët se sa ish-të përndjekurit dhe vazhdojnë të paguhen me superpensione për “detyrat e kryera ndaj atdheut”.

Zonja Elsa, a do t’i bënte Enveri këto marrëzira në qoftë se do t’i lindte nevoja të mbronte shokët e vet të idealit? Pse këto kryesues të lustracionit nuk i bëjnë? Pse këtë nuk e thua hapur, por e mban nëpër dhëmbë?

Keni kërkuar ndihmën e Komisionerit Fyle, në emër të organizatës që menaxhoni. Keni marrë edhe përgjigjen edhe mundësinë e ndihmës nga ana e tij. Dhe jeni shëndeverë se mund ta bëni Ju, këtë detyrë të lënë rrugës nga organet detyruese dhe se nuk mund të justifikohen as politikanët e as opinionistët, me paranojat se nuk bëhet lustracion pas 20-vjetësh ose sepse “dosjet janë zhdukur”. Aferim. Dosjet janë aty, por jo të regjentëve të sotëm që janë në pushtet. Kështu që lustracionin do ta bëni, por nuk do gjeni asnjë dosje të vlefshme, se “persekutorët” janë rehatuar në ata dy m2, që u janë dhënë, spiunët janë akoma gjallë dhe janë koka e vendit. Dosjet e tyre janë zhdukur.

Për të konsoliduar dhe bërë sa më të besueshëm shqetësimin tuaj, për kërkesën e popullit për kohën e komunizmit, jeni të kënaqur se shembullin e keni në Gjermaninë Lindore nga që prindërit paskan refuzuar të linin fëmijët e tyre në dorën e mësuesve të indoktrinuar dhe bashkëpunëtorë të STAS-it. (Sa cekët gjykon zonja Ballauri? Sot, mësuesit e kohës së “STAST SHQIPTARE”, janë pothuajse të gjithë në pension. Apo mos doni që të fusësh në kubenë e lustracionit edhe trashëgimtarët e rinj të tyre, që janë shkolluar në universitetet e botës!

Ju paskeni bërë edhe një anketë, për këtë çështje dhe fjalë për fjalë keni shkruar: “Përgjigjja e shumë shqiptarëve se, “nuk jemi gjermanë” është qesharake. Nëse vazhdojmë ta përsërisim këtë pyetje, le të mos na vijë keq për atë tjetrën: Vërtet, kaq shumë e kemi dashur komunizmin?

Besoj se duhet ta dini se vërtet në vitet e para të postkomunizmit, kishin urrejtje, se kujtuan që u bë deti kos dhe kushdo që do të ulërinte kundër sistemit të mëparshëm, do gjente prehje, personalitet e vlerësim, pavarësisht nëse i takonte ose jo. Sot, janë të zhgënjyer, thellësisht të zhgënjyer, prandaj edhe shohin se në komunizëm disa gjera kanë qenë më në favorin e jetës së tyre të persekutuar!). Prandaj edhe mos u ekzaltoni shumë. Në një farë mënyre edhe ju sikur pajtoheni me të vërtetat e kohës së komunizmit. Dhe indirekt shqetësoheni për mungesën e elitave. Ju shtroj pyetjen pse paska mungese elitash? Një i ri 16-vjeçar në vitet ‘92, që në pushtet ishte Saliu, sot është 37 vjeç… Por, ti je vetë frikacake. Nuk je e pastër, me shoqërinë tënde civile, se nuk ke këllqe t’i dalësh përballë veprimeve monarko -demokraturo -saliste, të regjimit berishian. Dhe, pse-në e di ti. Këto që shkruan i shkruan jo se të digjet xhani, por sepse ta kërko interesi për të thënë nesër, unë e kam shkruar, por nuk me ka dëgjuar njeri!