Nuk janë njerëzit është sistemi!

559
Jorida Tabaku, deputete e PD-së

Për disa ditë me radhë dëgjoj kryeministrin nëpër diskutime live me qytetarë dhe nëpunës të administratës, të cilët i fajëson për situatën problematike në të cilën ndodhet sot shërbimi publik shtetëror. Ironikisht, drejtorët e hipotekave, të spitaleve, të burgjeve, tatimeve e kështu me radhë janë thjesht ushtarë partiakë të emëruar me lista partie, që janë denoncuar me kohe, ato janë emërime nga një deputet apo nga një tjetër sipas interesit apo kuotës së paguar. Një prej detyrave të tyre ka qenë ajo e ushtarit të bindur, i cili ndër të tjera duhet të zbatojë vullnetin politik të Rilindjes, madje edhe të vetë kryeministrit Rama. Nëse kanë vjedhur, abuzuar apo edhe kanë kthyer korrupsionin në praktikë, duke i katandisur sektorët e ndryshëm në agjenci pasurimi personal apo zinxhir të korrupsionit që shkon edhe më lart, kanë vepruar me bekimin dhe miratimin e kryeministrit. Kështu që ky marketingu me pushime nga puna për t’u zëvendësuar drejtori i rilindjes me një tjetër drejtor rilindje që vjen nga e njëjta shkollë partie është po aq bajate sa beteja kundër korrupsionit dhe nuk do të prodhojë asnjë rezultat. Nuk janë njerëzit, është sistemi. Sistemi i korrupsionit dhe vjedhjes të cilin e fshihni me marketingun dhe gjoja qeverisjen me popullin. Sistemin që lejoi abuzime me 2,8 miliardë euro sipas KLSH, sistemi që largoi 200.000 shqiptarë e që e ktheu Shqipërinë qendrën e kanabisit, portën kryesore të heroinës në Evropë. Sistemin që ju keni ngritur edhe perfeksionuar. Për sa kohë të mbahen në këmbë këto pushtetarë që ushqejnë dhe menaxhojnë këtë sistem, për aq kohë do të mungojë vullneti politik, ndërsa administrata do të vazhdojë të jetë, thjesht një ushtri e bindur partiake, e ndërtuar për të dhënë tenderë e koncesione dhe, pse jo, për të përfituar ndonjë gjë çfarë mund të rrjedhë në zinxhirin korruptiv që është instaluar!

Asgjë më shumë se shëmbëllimi i fytyrës së qeverisë!
Sigal