“Nuk duhej të ishte radha jote Adelë, lule, por s’paska qenë me radhë kjo jetë”

695
Ndarja nga jeta në mënyrë të papritur e gazetares dhe moderators Adela Xhamani, ka tronditur mbarë opinion publik. Humbja e saj ka prekur zemrat e familjarëve, kolegëve dhe miqve.
Një mesazh prekës ka bërë edhe Neda Karafili, e cila shprehet se nuk duhej të “ishte radha e Adelës, por s’paska qenë me radhë kjo jetë”.
Mesazhi i plotë:
Gjumi më doli shumë netë më parë, nga një ëndërr e poshtër, e keqe. Zemra po më çmendej. Ëndrra më kishte kthyer në qytetin tim të lindjes dhe isha spektatore e një ceremonie morti. Sot u pre një lule në mes. Nga më të bukurat.
Më dhemb zemra sot për Adelën, si për gjakun e mishin tim. Ne të dyjave na bashkonin të njëjtat rrugë fëmijërie, të njëjtat banga shkolle dhe e njëjta zemër për të ëndërruar.
Imja desh u çmend disa netë më parë, sepse jotja sot do të të braktiste.
Nëna ime, nuk i ka ndalur lotët qëkur e mori vesh për ty, Adelë. E ka vaj nëne, vaj kolegeje që me ty ndante rrugën për të shkuar tek nxënësit.
Kur të kisha marrë vesh lajmin që ti do bëheshe nënë, do të të kisha bërë një faqe të gjatë urimi. Më urove dhe ti, për djalin tim. Po ti ishe e pa fat, lule e bukur, nga më të bukurat, të pafata dhe fjalët e mia që nuk do munden dot kurrë të kthehen në urim për ty.
Ata që të njihnin e dinë shumë më mirë se unë, që të njoha shumë pak, sa zemër e butë dhe mendje e mprehtë që ishe. Shumë vite me parë, të ulur në tavoline, Ogreni, unë e ti, në një intervistë për gazeten ku punoje, nuk mbajte asnjë shënim. Të nesërmen, fjalët tona në ato faqe ishin si të zbardhura, pikë për presje. Mendje e mprehtë ishe lule. Mendje e bukur.
Ti kishe lindur për të bërë shumë. Se shumë pak si ti dinë në këtë tokë të marrin forcë nga forca e ëndrrave dhe të grushtojnë zinxhirët e të pamundurës, me petale, se ti ishe një lule. Nga më të bukurat!
Të dish ç’shkruajne sot njerëzit për ty! Për kolegët paske qenë shoqe, për shoqet paske qenë motër. Kujtimi yt qoftë i përjetshëm ndër zemrat më të mira që ka ky vend dhe zemrën e shpirtin tënd e ndriccoftë përjetë paqja dhe mirësia e Zotit!
Nuk duhej të ishte radha jote Adelë, lule, por s’paska qenë me radhë kjo jetë.
Sigal