Nostalgjia për vendlindjen, Vranishtin

994
Hajro LIMAJ
Lart shtëpive tona ngrihet mali i legjendave, Bogonica. Prej shekujsh Bogonica quhej e nderohej nga paraardhësit tanë e nga ne, si vendi i perëndive dhe i legjendave. Ai është mali i fundit i vargmaleve të Cikës, që e kufizon atë me Kallaratin. Ndërsa Vali i Bogonicës, midis Bogonicës dhe Mesimerit, e ndan atë nga Vunoi bregdetar i Jonit. Poshtë, në këmbët e Bogonicës ndodhet Sexhama, pasuria e Selam Sadedin Limajt; mbi të cilën qëndrojnë dy shtëpitë e Limajve: Meno dhe Nasip Limajt, babait dhe xhaxhait tonë. Vargmalet e Cikës, poshtë të cilave shtrihet Vranishti i Vlorës. Ky është vëndi ku unë linda dhe u rrita. Prej andej udhëtoja çdo ditë për të shkuar në shkollë, në qendër të Vranishtit. Jam ndjerë gjithnjë i mbushur me gëzim e kënaqësi midis gjelbërimit dhe burimeve që vinin nga malet, midis njerëzve të afërt dhe bashkëfshatarëve, me të cilët u ndava fizikisht në moshën 14 vjeçare, për të nisur rrugën e gjatë të jetës time në hapësirat shqiptare, të rajonit të Ballkanit e të detit Mesdhe, të Evropës Perendimore e të Lindjes së Mesme, të Turqisë, me vendqëndrime afatgjata; Stambollin dhe Ankaranë. Kujtoj, vitet e para të fëmijërisë e të shkollimit që i kalonim midis oksigjenit, ujit të malit, jeshillëkut, bollëkut të ushqimeve, qetësisë dhe harmonisë natyrore, shpirtërore dhë shoqërore, në largësi nga qendra e fshatit, ku kishte më shumë tym oxhaqesh dhe thashethemesh e intrigash. Por, kudo dhe gjithnjë, ne kishim pranë dhe e ndjenim të fortë dashurinë e veçantë prindërore dhe familjare, të nënës sonë shumë punëtore dhe babait. Orët më të gëzuara e më të këndshme ishin ato kur shkonim me shokët të laheshim në lumin e pastër dhe të freskët dhe ato pasditet, kur loznim futboll me bijtë e Vranishtit, që arsimoheshin në të gjitha shkollat e larta të vendit. Ishin pushime aktive, të shëndetshme dhe turistike! Natyrisht, tani i kujtojmë me mall, kënaqësi dhe nostalgji. Fillimet e jetës në këtë mjedis të pastër dhe të pasur, larg fshatit dhe njerëzve, na dhanë mundësi të edukoheshim me sjelljet e prindërve tanë, të ndershëm, të pastër, punëtorë, këmbëngulës dhe larg thashethemeve e veseve të këqia, me ndjeshmëri dhe dashuri ndaj natyrës dhe pasurive të saj, ndaj njëri-tjetrit, ndaj punës dhe djersës së ndershme dhe njerëzve që e donin dhe e ndihmonin me zemër fshatin e tyre. Këto veti apo virtyte na hapën rrugën të ecnim përpara dhe që shumica të bëheshim me arsim të lartë dhe kuadro të aftë e të nderuar në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, administratës, ushtrisë, diplomacisë, kulturës, arsimit, shkencës, etj., duke punuar në mbarë vëndin dhe jashte tij. Vëllai i madh,me përfundimin e studimeve të larta në Universitetin e Tiranës , Ylli, u emërua dhe punoi si ekonomist i lartë deri në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Vëllai i tretë, Luftari, u bë dhe shërbeu me devotshmëri dhe përgjegjshmëri, oficer në rradhët e ushtrisë sonë popullore. Vëllai i katërt, Novruzi, u diplomua dhe punoi me pasion dhe përkushtim si një nga inxhinjerët më të mirë në sektorin e kerkimeve dhe zbulimit të naftës. Ai drejtoi ekipin për shuarjen e fontanës së gazit në Mallakastër. Ai realizoi për herë të parë shpimin më të thellë në ujrat e Bishtpallës në kërkim të naftës në det. Vëllai i gjashtë, Sofua, studioi dhe u diplomua nga dy fakultete; për matematikan dhe ekonomist duke u shquar në këtë drejtim dhe në fushën e financave e të sigurimeve shoqërore, në institucione shtetërore dhe kompani private.Ai mbriti deri në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Punësimit të Republikës dhe më vonë për 8 vjet drejtor i SIGAL-it për Kosovën në Prishtinë. Ashtu siç na kishin mësuar dhe këshilluar prindërit tanë, ne mbështesnim njëri – tjetrin për të ecur përpara, për të qenë sa më të devotshëm dhe korrektë në kryerjen e detyrave e për të bërë jetë sa më të ndershme. 

Ishim dy klasa të shtata që përfunduam shkollën “Hysen Cino” në Vranisht, nga ku nisëm edhe startin e ri, të arsimimit në Vlorë dhe në qytete të ndryshme. Në kujtesën time nga Vranishti kanë qenë të përhershëm figura si Ferjat Shkurti, i cili për shumë vite drejtoi arsimin në Vranisht, ndërsa në vitet e fillores, mësuesin Isak Habili etj. Me shokët dhe shoqet e klasës u larguam fizikisht nga njëri-tjetri, takoheshim më rrallë, por miqësinë dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me nxënësin më të mirë që kishim në shkollë, Bilal Shkurtin, nuk e shkëputa asnjë herë. Në dy periudha të gjata, plot 16-vjeçare, kur isha me misione jashtë shtetit natyrisht që takimet u rralluan shumë, por ne e ndiqnim njëri-tjetrin edhe në distancë. Ai eci suksesshëm në fushën e shkencave ekzakte, të fizikës dhe mori gradën shkencore të Profesor-Doktorit dhe detyrën e rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Ishte dhe mbeti shoku më i mirë dhe më i ngushtë nga bijtë e Vranishtit. Ai sot është një personalitet i shquar në qarkun e Vlorës dhe më tej. Në Tiranë kam patur pranë birin tjetër të Vranishtit, Rahit Skëndaj, i cili mbriti deri në gradën e nën kolonelit në shërbimin e Zbulimit Ushtarak. Nje djalë i qetë, i ekuilibruar dhe i suksesshëm. Prej vitesh ai është vendosur në SHBA. Kur vjen në Shqipëri takohemi me përzemërsi. Me rikthimin tim ne Shqipëri, në vitet 2001, me Bilalin e rigjalleruam miqësinë . Kujtuam të kaluarën dhe fëmijërinë. Ai në krye të shoqatës atdhetare kulturore të Vranishtit ka bërë shumë për ruajtjen e traditave, historisë, folklorit dhe vazhdimësisë së këtyre vlerave në brezin e ri. Isha 6 vjeç në vitin 1956. Kam të fiksuar në sytë e mi Donë, (Labëria nënën e thërret Do) kur qante dhe çirrte faqet mbas shtëpisë, kur kopeja me 150 dhen doli nga koshtrat. Cjepët me deshtë përçorë me zile e buqe të mëdha kërkonin të riktheheshin drejt Shkallës së Malit, për t’u ringjitur në Gropë të Mashait. Këtu ne kishim meratë verore, nga ku i kishin zbritur për t’ i dorëzuar në krijimin e kooperativës. Por Nimeti, djali i Xha Abazit, e detyroi kopenë të shkonte drejt Gurit të Bijavit për në fshat. Nga oda e miqve u ngrit babai, dajo Alimi dhe xha Xhemili që kishte ardhur i deleguar nga Tirana, për të shkuar në qendër të fshatit, atje ku mbaheshin kuvendet e burrave. Ky ishte vetëm fillimi i kooperativizimit të pasurisë së familjeve fshatare. Ne ishim një familje me pasuri të mëdha blegtorale dhe bujqësore. Kishim kope të mëdha me dhen dhe dhi. Gjatë verës këto mbushnin malet e Mashait, Malin e Bogonicës e Malin e Zi. Qumështi, kosi, djathi prodhoheshin në sasira të bollshme. Po kështu, mjalti nga prodhimet e zgjojve të bletëve që kullosnin në çajrat dhe lulet e maleve; vezët e pulave, që rriteshin në kopshtet e shtëpisë; mollët, dardhat, fiqtë, rrushi mbushnin raftet dhe enët si dhe e pasuronin ndjeshëm ushqimin dhe jetesën tonë, sidomos muajve të beharit dhe të vjeshtës. Lopët e kuajt plotësonin dhe shtonin pasurinë tonë të gjësë së gjalllë. Ndërsa në Lenga dhe në Horë kishim arat e shumta. Në to mbilleshin kryesisht misri e gruri. Për mbajtjen e gjithë kësaj pasurie babai kishte punësuar disa blegtorë dhe bujq. Jetonim dhe rriteshim në një klimë të mrekullueshme natyrore dhe me ushqimet më të mira, krejt bio. Shpesh thereshin qingja, kecër, dele dhe dhi, pa folur këtu për pulat dhe gjelat, që kakarisnin nëpër koshtarat, që vareshin poshtë shtëpisë. Kur shkonim për pushimet e verës në Sexham, shpesh edhe me shokë shkolle, kalonim muajt më të mirë e më të lumtur. Por, kur në sistemin socialist në fushën e arsimit, shëndetësisë, telekomunikacionit dhe të sigurisë publike u realizua një revolucion i vërtetë, krejtësisht në të kundërt te tyre, zbatimi i proçesit të kooperativizimit ekstrem në vite e shkatërroi nivelin e jetesës, deri sa e çoi në pikën e vdekjes. Erdhi një kohë kur fshatari nuk kishte më asnjë dele apo dhi. Nga një familje e pasur me kope dhensh e dhish, me bletë e pemë frutore, më ara e kopështe të bollshme, nga vitet 1980 u kthyem me pasuri në nivelin zero. Ky ishte gabimi më i rëndë në politikat e zhvillimit ekonomik në sistemin socialist në fshat. Biles, në vitet 1982 fshatarët nuk kishin më as qumësht, kos e djathë, pa folur këtu për mish. Por, më e keqja ishte se ata që nuk dorëzuan asgjë në kooperativë, gradualisht morën në dorë drejtimin politik dhe ekonomik të fshatit. Pronarët dorëzuan kopetë dhe arat pjellore, duke u kthyer në moskamje, ndërsa ata që nuk dorëzuan asnjë shelek e gëzuan më shumë kooperativizimin socialist. Këtë fund e kuptoi mjaft mirë e qysh në fillim nëna ime, qysh kur kopetë e para po dorëzoheshin për tufat dhe stallat e bagëtive të kooperativës. Zgjuarsia natyrale e saj e parashikoi fundin tragjik të kësaj ekonomie që po krijohej, duke i hequr çdo lloj prone fshatarit. Shpesh me vete apo me zë të ulët ajo thoshte: “të mjerët ne çfarë po bëjmë e ku do të shkojmë!”.Ne që e kujtonim me nostalgji natyrën dhe pasurinë e gjithanëshme që kishim në vëndlindjen tonë, pamë me sytë tanë fundin e dhimbshëm të varfërimit, që sollën reformat socialiste të koolektivizimit të blegtorisë dhe të bujqësisë. Ekstremizmi gjithmonë sjell pasoja të rënda. Duhen dhjetëra vite të tjera, edhe pse sistemi ka 25 vjet që ka ndryshuar, që familjet, të cilat jetojnë në këto fshatra të mund të arrijnë atë nivel organizimi dhe jetese që kishin parardhësit e tyre deri në vitet 1956.
Sigal