NOBEL 2018 në ekonomi- Apel për politika publike efektive

1828
Sigal

Prof. Dr Arben Malaj, Lektor në Ekonomiksin e Zhvillimit

Msc. Ines Kociaj – Studjuese

“Njerëzit janë të aftë për arritje të jashtëzakonshme,

nëse vendosim të punojmë maksimalisht për to”

Romer- Nobel 2018

Dy profesorë amerikan të ekonomisë janë vlerësuar me Çmimin Nobel në Ekonomi. Prof. William Nordhaus i Universitetit të Yale u vlerësua për punën e tij në përfshirjen e ndryshimeve klimaterike në modelimet ekonomi, ndërsa Prof Paul Romer i universitetit të New York, për kontributin e tij mbi faktorët e rritjes ekonomike duke theksuar rëndësinë e ndryshimeve teknologjike të bizneseve. Të dy autorët në kërkimet e tyre specifike kanë theksuar edhe rëndësinë politikave publike në sfidat e kostove të ambientit dhe lehtësimin e nxitjes së novacionit si një faktor përcaktues në zhvillimet konkurruese pa dëmtuar burimet e ardhshme të rritjes. Në këtë rast ne kemi kontributin e shquar të dy profesorëve të ekonomisë, lidhur me sfidat që përballet e ardhmja jonë. Në thelbin e tyre nobelistët janë orientuar nga fakti që burimet e disponueshme për zhvillimet afatgjata janë të limituara dhe disa prej tyre mund të zvogëlohen për shkak të keqpërdorimit të tyre, për shkak të nënvleftësimit të risqeve potencialë në rritje që vijnë nga ngrohja globale.

Në përgjigje të këtyre sfidave, një rrugë është parandalimi i risqeve që vijnë për shkak të qëndrimit të agjentëve ekonomikë ndaj mjedisit, dhe e dyta është aplikimi i teknologjive moderne, të cilat përmirësojnë produktivitetin e përdorimit të burimeve potenciale të zhvillimit. Banka Qendrore Suedeze komunikoi se William Nordhaus dhe Paul Romer janë vlerësuar me këtë çmim për kontributin e tyre në çështjet ekonomike më të rëndësishme të periudhës se si krijojmë e të ruajmë një rritje ekonomike afatgjatë. Të dy profesorët kanë zgjeruar më tej analizën ekonomike, duke ndërtuar modele që tregojnë se, si ekonomia e tregut ndërvepron me ndryshimet klimaterike dhe teknologjinë. Në këtë rast shkenca shërben si një e mirë publike duke ndërgjegjësuar agjentët ekonomikë për pasojat e kostove ambientaliste dhe përfitimet e aplikimit të teknologjive moderne, limitet e së cilës janë të pafundme kur shkenca përdoret në shërbim të njerëzimit. Modelet e dy profesorëve janë një mesazh shkencor për biznesin privat dhe politikë-bërësit. Për biznesin privat është e rëndësishme të mbajnë parasysh se zhvillimi pa përfshirë kostot e ambientit i rrit artificialisht fitimet e tyre, dhe në këtë rast fitimet që vijnë nga mos marrja parasysh kostot e dëmeve ambientaliste që janë si në reduktimin e burimeve të së ardhmes dhe në kostot njerëzore. Për Krusell, njëri prej pjesëtarëve në panel qe dha çmimin tha, se të dy studiuesit kishin të njëjtin qëllim përfundimtar, duke menduar për ‘çështjet afatgjata globale’. Nordhaus dhe Romer kishin pikëpamje shumë të ngjashme në lidhje me politikat ekonomike dhe anomalitë e tregut, edhe pse në plan të parë mund të dukeshin ndryshe. Profesori i Ekonomiksit të Universitetit Yale, William Nordhaus e ka përmendur që në vitet 70’ rëndësinë e përfshirjes së problemit si ndryshimi klimaterik në modelet ekonomike. Prof Nordhaus ka qenë i pari që ka krijuar një model ekonomik ku ka studiuar ndërlidhjen (ndërveprimin) midis ekonomisë dhe ndryshimeve klimaterike. Prof Nordhaus ka qenë dhe një nga nismëtaret që rekomandonte se qeveritë, korporatat dhe familjet duhet të paguajnë një taksë për dyoksidin e karbonit (p,sh., taksë për gazrat e dëmshëm që vijnë nga makinat).

Akademia vlerësoi se Prof. Nordhaus ishte nga të parët qe krijoi modele të thjeshta por dinamike, të sistemit global të klimës ekonomike, quajtur ndryshe si modele të vlerësimit të integruar. (IAMs) Paul Romer nga Universiteti i Nju Jorkut argumenton si zhvillimi i teknologjisë dhe inovacioni nga kompanitë mund të nxisin rritjen ekonomike. Prof. Romer e shpjegon këtë duke vënë theksin tek aftësia e pafundme (pakufishme) e njeriut për risi. Si pasojë, ky impakt na sjell një model të ri për zhvillim, i njohur si ‘teoria endogjene e rritjes ekonomike’ apo ‘teoria e rritjes ekonomike nga faktorë të brendshëm’ (endogenous growth theory). Ai gjithashtu propozonte se krijuesit e politikave ekonomike mund të ndihmonin në inovacionin e teknologjisë, duke i nxitur individët në kërkim e zhvillim dhe duke vënë ligje për patentat qe siguronin shpërblime për idetë inovative, pa lejuar që ideatorët e rinj të monopolizonin shpërblimet. “Problemi kryesor sot është se njerëzit mendojnë, se mbrojtja e mjedisit është shumë e kushtueshme dhe e vështirë e, si rrjedhojë, zgjedhin të injorojnë problemin, duke pretenduar se ai nuk ekziston.” tha Romer. Në konferencën për shtyp Romer së bashku me Nordhaus pohoi se ishin optimistë që ndryshimi në politikat publike mund të sjellë përmirësim. “Mesazhi konsiston në faktin se, është e nevojshme që vendet të bashkëpunojnë globalisht për të zgjidhur disa nga këto pyetje të mëdha”, tha Goran K. Hansson, sekretar i përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, e cila zgjedh fituesin e Çmimit të Ekonomisë. Përmirësimi i politikave publike – mbetet mesazhi kryesore i dy nobelistëve të rinj, kjo kërkon të bëhet në nivel vendor, kombëtare dhe global. Apeli publik nobelistëve të ekonomisë 2018 është se sfidat globale kërkojnë angazhim globale, duke filluar nga parandalimi i kërcënimeve të krizave ambientaliste por edhe në demokratizimin e dijes, duke i penguar monopolet dhe duke e bërë dijen një të mirë publike nga e cila duhet të fitojnë të gjithë, pa pengesa dhe kosto abuzive.