‘Njolla gjaku në murin e tualetit’/ Si nisi sherri midis pronarit të shtëpisë dhe punëtorit

172

Policia arrestoi sot një 44 vjeçar pasi dyshohet se ka goditur me mjete të forta prerëse në banesën e tij punonjësin që kishte marrë për ti kryer suvatimin e banesës.

Stefan Agolli, i njohur nga policia për precedentët e tij të mëparshëm penalë, kishte vetëm pak javë që ishte kthyer nga Greqia, ku kishte punuar dhe tani po kryente rikonstruksionin e tualetit të banesës.

Punimet përsipër i kishte marrë shtetasi Dashamir Lecini, i cili do të bënte suvatimin e tualetit dhe shtrimin me pllaka.

Mesa duket mbrëmjen e së premtes midis të zotit të shtëpisë dhe punëtorit ka pasur një konflikt fizik, pasi pronari i banesës ka shprehur pakënaqësi për cilësinë dhe ritmin e punimeve.

Në grindje e sipër ai e ka goditur në shpinë me një mjet presës punëtorin, teksa ky i fundit ishte duke punuar.

Lajmërimi në polici është bërë nga fqinjët e pronarit të shtëpisë të cilët kanë parë punëtorin të dalë i plagosur nga banesa. Policia ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Stefan Agolli i cili tashmë akuzohet për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”.

Ndërsa i plagosuri u transportua në spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.