Një vit nga humbja e tij…Françesk Radit i dedikohet një monument tek Liqeni Artificial

497
Më 3 prill bëhet një vit që prej ndarjes nga jeta të këngëtarit Françesk Radi, i cili humbi betejën e jetës nga një hemorragji celebrale.
Miq, të afërm dhe fansa të muzikës së Radit, do të mblidhen së bashku për ta përkujtuar atë në vendin më të dashur të tij, amfiteatri i Liqenit Artificial.
Këtë të martë, ora 09:00, pranë amfiteatrit të liqenit do të kujtohet artisti i madh nëpërmjet muzikës dhe një monumenti kushtuar atij.
“Ju presim ta vendosim sërish Frankon mes nesh ashtu si dikur. Më pas në orën 17.00 ne ambientet e kinema Millenium do të transmetohet dokumentari ‘Jetë e trazuar’ për të ndjekur rrugëtimin e një ëndrre që edhe pse e prerë tingëllojë gjatë. Kush e njohu Frankon e deshi, kush e deshi qau, e kush qau nuk I tha dot lamtumire, por thjesht mirupafshim Mik. Askush nuk vdes në këtë jetë kur jeton në zemër e melodi”, ka shkruar bashkëshortja e tij, Tefta Radi.
Në historinë e muzikës shqiptare Françesk Radi do të kujtohet gjithmonë si artisti që foli jo vetëm përmes tingujve, por dhe përmes tekstit. Muzika e tij nuk ishte vetëm një muzikë e ndjerë, por kishte brenda dhe intelektualin e angazhuar, duke i folur problemeve të ndjeshme të shoqërisë. Françesk Radi me jetën e tij duket se simbolizon më së miri artistin që iu desh të shtrinte artin e tij në dy pjesët e një sistemi, ku më i ashpri e trishtues ishte diktatura komuniste. Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë.
Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore, solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta” dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor.
Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasmë ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut
Sigal