Një urdhër i “ çmendur”: Viçat nga Mokra të theren në Korçë dhe të konsumohen në Pogradec!

982
Bardhyl Berberi 

Ka katër ditë që dyqanet e mishit në Pogradec qëndrojnë bosh si dikur në diktaturë, që lexonte ‘Dyqan mishi’ dhe gjeje brenda vetëm kasapin. Kjo skenë po përsëritet përsëri. Por çfarë ka ndodhur?! 

Me një urdhër të AKU Korçë janë mbyllur të gjitha thertoret e certifikuara të qytetit të Pogradecit dhe veterinerëve iu janë marrë vulat e mishit. Doni mish, thanë ata, shkoni në thertoren e Korçës që punon për të gjithë qarkun, çojeni viçin aty, paguani 20 mijë lekë për therje, përveç transportit që nga Korça në Pogradec, pasi do të sillet mishi me makinë frigoriferike. “Mendoni se çfarë ndodh, thotë një kasap, Kujtim Rexhollari për gazetën “Telegraf”- ta marrësh viçin në Mokër apo në Malin e Thatë rreth 40 km larg qytetit, ta çosh edhe 40 km deri në Korçë, të presësh radhën atje, të paguash 20 mijë lekë të vjetra për therjen e çdo viçi dhe pas kësaj të paguash transportin nga Korça në Pogradec për makinë frigoriferike siç është vendosur. “Është një kosto që i bashkëngjitet çmimit të mishit. Pasi, po të bësh një llogari të vogël të kostos, një kg mish viçi i bie që të shitet me 15 mijë lekë të vjetra, nëse fut të gjitha këto shpenzime.” 

Përgjegjësi i veterinarisë në Bashkinë e Pogradecit, Ladi Jacelli thotë për gazetën “Telegraf” se, “Ky vendim është një ‘luks’ që ka një kosto të papërballueshme. Ne ne qytetin tonë me gati 60 mijë banorë kishim dy thertore të certifikuara nga drejtues të qeverisë së mëparshme, të cilat i mbanim nën kontroll me inspektorët përkatës. Unë nuk jam kundër këtij luksi, të asaj thertoreje moderne që është ngritur në Korçë nga një privat, duke e financuar shteti rreth një miliard lekë. Por është e pamundur për kushtet konkrete që i gjithë qarku, nga Pogradeci në Kolonjë e deri në Devoll të therë viça vetëm këtu në Korçë. Sot të gjithë shitësit e mishit kanë bërë një protestë, e cila do të vazhdojë në ditët në vazhdim. Është fakt që qyteti turistik i Pogradecit prej katër ditësh ka ngelur pa mish. Sipas kasapëve, viçat kanë filluar të theren nëpër rrugë fshehtas, në kushte mizerabël dhe iu çohen lokaleve ilegalisht, duke sjellë një dëm të dyfishtë, se, nëse dikur kontrolloheshin, tani po ndodh e kundërta. Jo më kot populli përdor shprehjen: “Është e lirë kripa në Durrës, po e ha qiraja rrugës”. E njëjta gjë po ndodh me mishin në qarkun e Korçës.
Sigal