Një udhëtim në botën dhe ambiciet artistike të Artistit të Merituar, Limos Dizdari

1120
Agron MEMA

Një libër i lexuar, një mendje e ndriçuar, një fëmijë i fituar
Në qytezën e Ksamilit, aty ku zgjohesh me zhaurimën e dallgëve dhe këngën e pulëbardhave dhe ngrysesh me përskuqjen e diellit në perëndim, ndodhet dhe Qendra e Artit “DEA” me drejtor Artistin e Merituar Limos Dizdari. U bënë rreth 17 vite që artisti, së bashku me bashkëshorten e tij, ka lënë Tiranën ku kryen gjithë aktivitetin e tyre shoqëror, artistik dhe politik dhe është përqendruar në qytezën e Ksamilit për t’ju përkushtuar tërësisht artit dhe ringritjes së tij në skajin më jugor të Shqipërisë pas rrënimit dhe erozionit shkatërrues të tranzicionit të viteve pas 1990-s. Hyjmë tek kjo qendër arti ku tek porta të presin në të dy skajet busti i Bethovenit dhe i Fan Nolit. Dy artistë që i lidh diçka me njëri-tjetrin dhe nuk janë rastësisht aty. Bethoveni i dha botës së muzikës klasike simfoni dhe kompozime të paarritshme, ndërsa Noli studioi në një vepër të tij “Bethoveni dhe revolucioni frëng”. Artistin e merituar e gjejmë në sallën e bibliotekës “Migjeni” të kësaj qendre, bibliotekë që numëron rreth 8000 libra me rreth 5000 tituj nga të gjitha fushat e jetës. Artisti është ulur tek pianoja e tij dhe realizon një muzikë klasike nga Çajkovski. Nokturnet e tingujve sjellin një performancë ndjellëse deri në përhumbje nga kënaqësia në këtë ambient që vetëm artistët dinë ta përcjellin. Më tej është galeria e pikturave, salla e bukur e shfaqjeve dhe konferencave, mjedisi i jashtëm i lulëzuar dhe gjelbëruar gjithë muajt e vitit. Kudo art dhe dashuri për artin. Duke vizituar këto mjedise mahnitëse, bisedojmë edhe me Artistin e Merituar Limos Dizdari. Është modest e nuk flet shumë, por mundëm të marrim diçka nga veprimtaritë e tij në këtë Qendër Arti me emrin kuptimplotë të bukuroshes së Butrintit, “Dea”. Viti 2017 ishte viti i shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhe veprimtaritë artistike kërkonin risi të reja. Dhe për vetë faktin se Kadare është njeri i letrave, aktiviteti më kryesor i organizuar në sallën e bibliotekës që mban emrin “Migjeni” ishte konkursi “Kush lexon më shumë e kush nxë më tepër”. Ishte një aktivitet i kombinuar dhe shumë intensiv. Ishte një projekt që u hartua dhe u mbështet fuqishëm nga bashkia e Sarandës dhe vet kryebashkiakja Floriana Koka dhe shefi i kabinetit, gazetari i njohur Thoma Nika, emrin e të cilit Artisti Limos Dizdari na thotë se e citon në mënyrë të posaçme, sepse përveç se gazetar është një lexues shumë i mirë dhe një konsumator i mençur i librit. Ky aktivitet me librin kontribuoi për nxitjen e leximit të librit nga kategoria e nxënësve të të gjitha cikleve të shkollës me dëshirën për të afruar sa më shumë moshat shkollore me librin jashtëshkollor dhe për të ndikuar në kultivimin e miqësisë me librin. Artisti i Merituar Limos Dizdari shton se: “Ia dolëm të ndezim garën e leximit sipas sloganit “Drita e diturisë: kush lexon më shumë e kush nxë më tepër”. U parashikua që rezultatet e konkursit të shpalleshin në dy faza: në prag të Krishtlindjeve dhe të vitit shkollor. Ky konkurs u ndërmor me idenë se vërehet një braktisje e librit dhe leximit të tij nga fëmijët, i janë afruar kotësisë, shpërdorojnë kohën e quajtur, të lirë, duke e mbushur me ato mënyra të dëmshme dhe të rrezikshme, aq sa një pjesë e tyre kanë filluar të përdorin si “lodër lëndët narkotike. Profesor Limozi thotë se ky është një realitet i hidhur dhe duhet ta pranojmë, sepse vetëm kështu mundemi ta korrigjojmë. Ne u konsultuam edhe me mësues të cikleve të ndryshme të shkollimit si dhe me psikologë e prindër dhe kemi arritur në konkluzionin, se futja ndër fëmijë e garës për të lexuar është oferta dhe alternativa jonë përmes këtij konkursi për të zëvendësuar mënyrat e dëmshme apo të rrezikshme me të cilat mbushet tani koha pas procesit mësimor. Impakti i aktivitetit është të hapë dritare diturie, të largojë dhe imunizojë prekjen nga dukuritë e këqija të kohës, të shtojë miqtë e librit, të nxisë garën e leximit dhe të të nxënit nga leximi, të ndikojë në plotësim dhe kompletim të dijeve prej atyre që marrin nga programi mësimor, të japë një alternativë më të mirë për kalimin e kohës së lirë. Për këtë u zgjodh dhe mënyra e operimit për realizimin e projektit: Përmes posterave tek Qendra e Artit “DEA”, në mjediset shkollore, në mjedise publike të qytetit dhe në media elektronike lokale u publikua shpallja e konkursit dhe kriteret e tij me kushtet në pjesëmarrje në të, u ngrit dhe funksionoi një juri testimi me specialistë nga të gjitha fushat e artit. Në fund u dhanë çmime të alternuara për të gjitha grupmoshat e arsimit parauniversitar. Mund të them se dy specialistë të arsimit shërbyen si koordinatorë dhe nxitës të afrimit të nxënësve me librin, me bibliotekën e libraritë dhe me mjetet e komunikimit masiv. Por mund të them se gjatë vitit shkollor, kur konkursi qe i hapur, u ftuan në takime me lexuesit njerëz të shquar nga bota e artit dhe letrave shqipe dhe specialistë të arsimit. Në fund me një koncert artistik konkursi finalizoi realizimin.” Profesor Limozi hesht për disa minuta me vështrim tretur në kaltërsinë e ujërave jonianë që ai i krahason me simfoni pa pentagram. E thyen heshtjen dhe sikur të ketë harruar diçka shton pas këtij meditimi: “Ne e bëmë këtë aktivitet, po çfarë ndodhi? Siç e thashë, në këtë aktivitet u integrua edhe Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve të Sarandës, gjithë poetët dhe shkrimtarët e këtij qyteti morën pjesë me diskutime, me debate, me komunikime me nxënësit duke krijuar një atmosferë jashtëzakonisht të mirë. U krijua dhe një gjë tjetër shumë e rëndësishme për vet faktin se të gjithë nxënësit sollën një biografi të tyre lidhur me librin se çfarë kanë lexuar dhe si reflektojnë në fazën e leximit të librit. Pra sa janë të interesuar për librin. Dhe këtu u mor vesh se ata kanë një interes të posaçëm për librin. Kjo na bëri vërtetë që të entuziazmohemi. Në fund ne u kërkuam të regjistrohen në sallonin e librit “Migjeni” pranë Qendrës së Artit “Dea”, një sallon shumë i pasur me libra, afërsisht me rreth tetë mijë libra me gati pesë mijë tituj, një rekord goxha i madh dhe lexuesi ndjehet i respektuar të ketë kaq shumë tituj në dispozicion. Por problemi, që ia kam shkruar edhe Ministres së Arsimit dhe kam vënë në dijeni edhe atë të kulturës, qëndron në faktin që këta nxënës u zgjodhën si pjesë e kolegjit artistik ose thënë ndryshe këshilli i librit, duke krijuar kështu një strukturë të re, pikërisht këtë ia kemi bërë prezent ministreve tona të nderuara, të arsimit dhe kulturës. Këto dy ministre e njohin këtë situatë që ekziston, por qëndrimi që mbajnë, nuk e di, por zonja Kumbaro para disa ditësh tha që ne po bëjmë konkursin e librit duke harruar që neve e kemi bërë. Po nuk ka rëndësi kjo, rëndësi ka që të bëhet, pavarësisht kush është i pari. Ne e bëmë dhe dhamë shumë libra për secilin nga të gjitha llojet. Të bësh këtë do të thotë se i ke bërë të ndërgjegjshëm nxënësit për librin. Meqenëse nuk u kënaqëm me arritjet tona të vitit të kaluar, na doli si domosdoshmëri që ta përsërisim përsëri këtë vit, në 2018. Se e bukura e këtyre gjërave është që, jo vetëm të ngresh aktivitete, por sa je në gjendje t’i mbash ato. Kjo është kryesorja. Dhe këtë po përpiqemi ta bëjmë. Siç jeni në dijeni Qendra e Artit “Dea” është konceptuar në këtë funksion, siç e kam perceptuar unë, që të jetë një vazhdimësi e përhershme e saj dhe jo një spontanitet i rëndomtë. Dhe këtë e bëmë. Këtë vit duam ta ribëjmë edhe njëherë konkursin, por sivjet e kemi planifikuar ta organizojmë në tipin e një festivali. Çfarë kam parasysh? Një festival për librin është një veprimtari e kombinuar me librin dhe të mos harrojmë që Saranda dikur ka qenë një nga rrethet më tërheqje të madhe të librit. Pra një veprimtari e kombinuar me librin, me vlerat artistike, me poezinë, me muzikën dhe artin. Në një bisedë me disa shtëpi botuese që erdhën vjet në panairin e zhvilluar në Sarandë gjatë sezonit turistik veror, dhe të organizosh një panair libri është një festë, një gjë e bukur, por unë pashë që të vësh kutitë prej kartoni të ambalazhit të bananeve të mbushura me libra, ta kthesh përmbys dhe të vendosësh librat mbi të e t’i shesësh, është diçka jo funksionale. Dhe biseduam të gjejmë një mënyrë tjetër. Dhe hodha idenë e veprimtarie që do ta quajmë, Festival libri. Ata e mirëpritën, natyrisht me entuziazëm. Dhe këtë vit kam vendosur ta realizoj aktivitetin të kësaj natyre. Përmes një arkitekti këtu, kam porositur të bëj 10 apo 12 kioska portative që do t’i shërbejnë Festivalit dy-tre ditor të librit. Pra, ky panair libri do të jetë i menduar krejt ndryshe: Në kioska me beze shumëngjyrëshe do paraqitet libri dhe para tyre do të ketë një podium ku do të jetë e vendosur një piano dhe vegla të tjera muzikore që do të shoqërojnë me muzikë të të gjitha llojeve dhe trevave Panairin, do të ketë dhe këngëtarë të ndryshëm. Në të njëjtën kohë, në këto podiume do të hipin poetët të recitojnë me në sfond tingujt orkestralë duke i dhënë pak ngjyra edhe nga antikiteti. Pra ky është tamam sipas meje Festival libri. Aktiviteti merr ngjyrat e një festivali të vërtetë ku nuk kemi të bëjmë më me një kuti bananeje të mbushur me libra. Sepse nuk është parë si qëllim në vetvete të shiten libra, por qëllim në vetvete është së pari të propagandojmë pasionin për librin. Kjo, sigurisht është një risi dhe krejt e veçantëe veçantë. Ndërsa nga ana tjetër kam 17 vjet që “bërtas” për të ndërtuar ansamblin e qytetit të Sarandës. Kemi traditë dhe talente. Nuk mbahet shtëpia me miell hua”, përfundon profesor Limozi.
Sigal