Një trafik që vazhdon të lulëzojë

531
Nga Riza HOXHA 
Trafiku i fëmijëve, një problem ende pa një zgjidhje efikase, por vetëm me akuza zinxhir të strukturave shtetërore ndaj njëri tjetrit. 
Papunësinë po e ushqen edhe instalimi në këtë rajon i një pushteti krejtësisht familjar, ku punësimi kryhet vetëm mbi baza familjare, pavarësisht arsimimit apo profesionit 
Shumë zhurmë pa ndonjë zgjidhje efikase. Trafiku i fëmijëve, një problem ende pa një zgjidhje efikase, por vetëm me akuza zinxhir të strukturave shtetërore ndaj njëri tjetrit. Ndërsa problemi vetëm vazhdon të mahiset. Themi kështu, pasi deri tani, pavarësisht çfarë thuhet e çfarë shkruhet, trafiku i fëmijëve shqiptarë në Britaninë e Madhe, një destinacion i parapëlqyer vazhdon pa ndërprerje. Kjo po sjell edhe zbrazjen e mjaft fshatrave, ndërsa shkollat po kthehen krejtësisht me klasa kolektive. Një prej zonave që po zbrazet me shpejtësi është ajo e Shishtavecit, një nga fshatrat më të mëdha të qarkut të Kukësit. Ndërsa aktualisht është ndër zonat më të zbrazura të rajonit verilindor të vendit. Kjo sepse, banorët e saj përgjithësisht kanë gjetur strehën e re në Britaninë e Madhe. “Vetëm gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti na janë larguar drejt Anglisë 6 fëmijë të moshës 14 – 15 vjeç. Ndërsa pritet të largohen në këto ditë pranvere edhe 4 fëmijë të tjerë. Largimi i fëmijëve vazhdon thuajse me të njëjtat ritme si më parë. Vetëm çmimi që paguajnë thuajse është dyfishuar. Kështu më parë paguanin 5000 – 6000 paund, tani paguajnë 9000 paund”,- tregon mësuesi i shkollës Ylljet Haxhiu. Sipas tij, largimi i fëmijëve të kësaj moshe është i vazhdueshëm. Fshati Shishtavec me një popullsi prej 2500 banorësh më parë, tashmë është katandisur fshat ku kanë mbetur vetëm pleqtë dhe shumë pak të rinj. Shkolla e këtij fshati, kur më parë i kishte klasat me paralele, tashmë klasat janë kolektive. Largimi masiv i banorëve të këtij fshati në radhë të parë, largimi i fëmijëve drejt Britanisë së Madhe është një lloj trafiku që lulëzon prej vitesh. Të gjithë e dinë se fëmijët largohen me lejen e prindërve. Bile në jo pak raste të shoqëruar prej prindërve deri në Francë ose Belgjikë. Nga andej grupi që merret me këtë lloj trafiku arrin t’i dërgojë në Britaninë e Madhe. Vetëm pasi i dërgon atje në duar të sigurta, që është një prej të afërmve të fëmijës, i cili i telefonon prindërit, ky i fundit vetëm pas kësaj telefonate paguan 9000 paundet, sa është aktualisht çmimi. Natyrisht prindërit e dinë, se po të kapen edhe dënohen për këtë lloj trafiku që vazhdon i patrazuar prej vitesh. Për të humbur çdo gjurmë edhe prindërit ia kanë marrë dorën kësaj pune. Largohen nga Shqipëria përmes aeroportit të Prishtinës, ose të Shkupit, ndërsa kthehen në Shqipëri përmes aeroportit të Tiranës. Kësisoj nuk bien në sy se kthehen pa fëmijën me të cilin janë larguar nga shtëpia. Edhe ky marifet është i njohur prej vitesh, pasi largimi i fëmijëve nën moshë që merren nën kujdestari nga shteti britanik prej vitesh lulëzon. Kjo është e vërteta e trafikut të fëmijëve në Britaninë e Madhe. Anglia në një masë të madhe ka ndikuar në zbrazjen e rajonit verilindor. Kështu nga Kukësi janë tashmë në Angli rreth 4500 banorë. Shumë më tepër janë nga Hasi. Vetë hasjanët krenohen dhe thonë; ne e kemi zbuluar Anglinë. Nga Hasi janë më shumë se 7000 persona që kanë ndërtuar jetën në Angli. Hasi, Shishtaveci, qyteza e Kam Tropojës, ku tashmë kanë mbetur vetëm 3 familje, nga afro 3500 banorë që kishte në fillim të viteve ’90 janë tregues i qartë i zbrazjes së plotë të rajonit verilindor të vendit, ku papunësia po njeh vetëm zgjerim. Veçanërisht në moshën 18 – 35 vjeç ku zë rreth 50 për qind të të rinjve. Papunësinë po e ushqen edhe instalimi në këtë rajon i një pushteti krejtësisht familjar, ku punësimi kryhet vetëm mbi baza familjare, pavarësisht arsimimit apo profesionit. 
Sigal