Një SPAK i dytë me qëllime “okulte”?! Ministria e Brendshme hedh poshtë opozitën

595
Këtë të premte Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj si dhe Prokurorja e Pëtgjithshme e Përkohshmë Arta Marku kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi për ngritjen e një strukture të posaçme që do të luftojë jo vetëm krimin e organizuar por edhe korrupsionin në nivelet e larta shtetërore, një akt ky që në njëfarë mënyre duplikon punën e SPAK-ut, ende i pakrijuar.
Opozita e vendit e ka cilësuar këtë marrëveshje, një lëvizje haptazi kundraligjore dhe anti- kushtetuese, duke sugjeruar se maxhoranca dhe Prokuroria e kapur po nga të majtët, po kërkojnë të mbyllin një sy për grupet kriminale që i vijnë në ndihmë socialistëve.
Por sipas Ministrisë së Brendshme, këto deklarime të opozitës janë të pakuptimata, pasi marrëveshja në fjalë ka të bëjë me thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe nuk tenton të shkojë drejt pakteve “okulte”.
Përmes një reagimi zyrtar, MB shkruan se marrëveshja është publike dhe nuk shkel asnjë ligj apo Kushtetutën e vendit. Më tutje Ministria sqaron se bashkëpunimi vjen si pasojë e nevojë për të rritur efektshmërinë e task forcës speciale “Forca e Ligjit”.
Për më tepër lexoni njoftimin e MB:
Ministria e Brendshme shpreh keqardhje për deklaratat e sotme të opozitës ndaj shqetësimit të pakuptimtë, për marrëveshjen e firmosur mes Ministrit të Brendshëm dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Kjo nuk është marrëveshja e parë dhe as e vetmja në kuadër të përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve në luftën kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar në veçanti.
Në kushtet kur krimi organizohet, sofistikohet dhe vepron pa barriera burokratike, autoritetet shtetërore dhe agjencitë ligjzbatuese nuk mund të kenë luksin apo t’i lejojnë vetes, që pavarësisht vullnetit të tyre të mirë, të luftojnë secili në parcelën e vet.
Marrëveshja, teksti i së cilës është bërë publik edhe për opinionin e gjerë, garanton, njeh dhe respekton autoritetin e vetëm të Prokurorisë në drejtimin e hetimeve. Ajo vë pikërisht të gjitha aftësitë dhe kapacitetet e Policisë së Shtetit në shërbim të Prokurorisë, për hetime të plota dhe të specializuara.
Përfaqësuesit e opozitës që dolën sot në konferencë për media, minimalisht shtrembëruan dhe keqpërdorën detajet e marrëveshjes, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në fuqi. Përkundrazi, kjo marrëveshje është lidhur në bazë dhe në zbatim të kornizës ligjore në fuqi, për luftën kundër krimit të organizuar.
Marrëveshja detajon aspekte organizative të nevojshme për të garantuar hetime efikase, çuarjen para drejtësisë të eksponentëve të grupeve kriminale si dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga aktivitete të paligjshme.
Sot, ajo çka prisnim nga opozita ishte një mbështetje për vullnetin dhe hapat e hedhura nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera në luftë me paligjshmërinë. Mund të heshtnin, nëse këtë nuk e bëjnë dot.
Opozita është e ftuar të bashkëpunojë dhe monitorojë, brenda kufijve ligjorë, gjithë punën e Task Forcës Speciale “Forca e Ligjit”
Sigal