Një shesh dhe një monument për Gjergj Kastriotin në Athinë?!

875
Abdurahim Ashiku
A do të japë shteti grek një shesh për t’i ngritur një monument Skënderbeut?

Po japim hektarë toke për varrosjen e eshtrave të ushtarëve grekë, por pse të mos jepen disa dhjetëra metro katrorë tokë për një monument të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, “Pionier i mbrojtjes së krishterimit” në Athinë?

Pyetje për ATJE dhe KËTU; shtetit shqiptar me institucione të plota dhe tubimeve shqiptare, të vegjël e të mëdhenj, në Athinë dhe më gjerë. Në Korçë tri ditët e fundjavës së tretë të janarit 2018 vazhduan bisedimet shqiptaro-greke, vijim nga Kreta, për të “sheshuar” siç thonë, problemet midis dy vendeve fqinjë historikë. Nuk dua të hyj mes fletëve të zverdhura të historisë që na lidh, e as të jap mendim për njërin apo tjetrin problem. Dua të pyes: A është vënë në tryezën e bisedimeve një ngjarje e madhe historike që nuk ka pse të mos jetë e të “dy palëve”, e “shumë palëve”, “mbarë evropiane”, pse jo “botërore”, më thjesht “e tre kontinenteve”, 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeut, shikuar në një mendim e veprimtari të përbashkët? A do të japë shteti grek një shesh për t’i ngritur një monument këtij trimi që me shembullin e tij të madh u dha kurajë popujve nën pushtimin osman, i dha “barut të thatë” kryengritjes popullore greke në revolucionin që nis më 25 mars 1823 ? Po japim hektarë tokë për varrosjen e eshtrave të ushtarëve grekë, por pse të mos jepen disa dhjetëra metro katrorë tokë për një monument të Skënderbeut, “Pionier i mbrojtjes së krishterimit”, pse të mos ketë një “Vit të Skënderbeut” për mërgimtarët shqiptarë në Greqi dhe për grekët që e duan atë si “hero të tyre” ? Një pyetje që më ka mbetur në gojë dhe vazhdoj e vazhdoj ta bëj pa marrë përgjigje, as andej, e as këndej, as nga shteti im, as nga shteti grek dhe as nga tubimet e shoqatave shqiptare, Federata në Athinë e “Nënë Tereza” në Selanik. Vërtet a do të vijë, ose më thjesht të them, a do ta sjellin Gjergjin e Gjon Kastriotit, kordhëtarin e madh të shekullit të 15-të në një shesh me emrin “Skënderbeu” dhe me një shtatore mbi kalin e tij legjendar me shpatë drejtuar lindjes otomane, në Athinë? Nuk e sollën në 600-vjetorin e lindjes përveçse nëpërmjet një sesioni përkujtimor organizuar nga një shoqatë shqiptare në emigracion. Nuk e sollën as në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, të Shpalljes së Pavarësisë… Tash është shansi i fundit, 550-vjetori i vdekjes së heroit legjendar që në krye të një populli të vogël në numër, për njëzet e pesë vjet i qëndroi si e sa askush në kontinentin evropian ushtrisë më të madhe të kohës, ushtri që ngadhënjente në Azi, Afrikë dhe Evropë duke dridhur edhe fëmijën në bark të nënës.Tash ka një “Vit të Skënderbeut”, vit që duhet të hapë krahët e të fluturojë më fort e më lart se kurrë. Në Romë, Paris, Detroit, New York, Prishtinë, Dibër të Madhe, Shkup… Ai, shpatari i madh shqiptar, mendjendrituri i madh, që i tha ndal për më se një çerek shekulli ushtrisë më të madhe dhe të kobshme të Mesjetës, Perandorisë Otomane, është i derdhur në bronz, përveçse në Athinë, përveçse tek fqinji ynë jugor bëmat e të cilit i dhanë jetë qëndresës dhe krahë Revolucionit Grek (1821-1828) për çlirimin nga rrjeta e hekurt otomane. Tash, pas kaq vitesh betejë historianësh për origjinën e Gjergj Gjon Kastriotit, “përroi” i rrjedhës sllave e helene për origjinën e Kastriotëve mund të themi me bindje se është tharë. “Burimet” që e furnizonin atë nën emra “Georgij” e “Jorgjis” nuk rrjedhin më, përveçse tek ndokush që i ka marrë koka ujë. Grekët… siç citon studiuesi kosovar, i ndjeri Shkëlzen Raça, në kumtimin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në historiografinë greke të shek. XIX” pjesë e librit të tij voluminoz “Gjurmime në historinë shqiptare” … “në botimin e gjashtë të “Historisë së kombit grek” të Paparigopullos, në përkujdesjen redaktoriale të historianit të njohur atëherë grek, Karolidhit, bëhet e pranueshme prejardhja shqiptare e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.” (f.160). Kristo Zharkalliu, një njohës dhe studiues i historisë dhe marrëdhënieve historike midis dy popujve në shkrimin polemizues “Disa sqarime, disa përgjigje” (Plus Gazeta Athina 13 janar 2012 f.14) thekson: “Grekët nuk e konsiderojnë Gjergj Kastriotin të tyre dhe le ta quajnë ”Jorjios” por megjithatë e nderojnë së tepërmi. Mjafton të themi, se në muzeun historik, në ish-Parlamentin e vjetër grek, në hyrje të tij, në mure janë vendosur portretet e heronjve të Revolucionit. Portreti i parë dhe më i madh është ai i Gjergj Kastriotit, ku shënohet vetëm emri i tij pa asnjë shpjegim nacionalist”. Që Gjergji i Gjon Kastriotit ishte dhe mbetet shqiptar kjo tashmë është e padiskutueshme. “Përrenjtë” dhe “burimet” e të kundrës janë tharë. E vetmja gjë që ende nuk është “tharë” janë “burimet” krahinore, “burime”, të cilat sado që kërkohen sa në Dibër, në Mat, në Has përsëri rreth qendrës “gjeografike shqiptare”, rreth “zemrës” së trupit etnik shqiptar rrotullohen. Autori i këtyre radhëve, bazuar në historianin e madh skënderbegas Kristo Frashëri, i cili siç thotë studiuesi dibran Murat Koltraka… “ është i vetmi, që veç të tjerave, ka shkelur me këmbë çdo pëllëmbe të territoreve të Çidhnës, që lidhen me Kastriotët”, në Toponiminë dibrane për origjinën e Kastriotëve nxjerrë në dritë nga studiuesit Hazis Ndreu, Ali Hoxha dhe të tjerë, në udhëtimet e tij një jetë të tërë atyre vendeve, në faktin se 18 nga 26 betejat e mëdha fitimtare të Gjergj Kastriotit u zhvilluan në Dibër, ka bindjen se Gjergji i Gjon Kastriotit ka lindur në Sinë të Dibrës, është rritur në Dibër për t’u bërë më vonë trashëgimtar legjitim i hapësirës nga Maqedonia në Dibër, Krujë e Bregdet, hapësirë nën zotërimin e të atit, Gjon Dibranit siç e quan R. Voltarrano. Nuk dua të zgjerohem më tej, pasi këto i kam përmendur në një kumtim timin në Athinë në janar 2005, në sesionin jubilar organizuar me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Heroit të Madh të Kombit Shqiptar. Çështja që shtroj dhe shtrohet është, nëse duhet të ngremë zërin tonë për hapjen e një sheshi dhe ngritjen e një përmendoreje për Gjergj Gjon Kastriotin në Athinë. Me “ngritje zëri” nënkuptoj në radhë të parë “Kërkesën me zë dhe me shkrim” të shtetit shqiptar dhe strukturave të tij zyrtare, në bisedime me shtetin grek dhe strukturave të tij zyrtare, për krijimin e një hapësire fizike për të hapur një shesh e për të vënë në qendër të tij përmendoren e Gjergj Gjon Kastriotit. Me “ngritje zëri” nënkuptoj, shoqatat, shoqëritë, lidhjet, federatat, tubimet me karakter krahinor e kombëtar shqiptar që të bëhen strumbullari i aksionit për ngritjen e sheshit dhe të përmendores me emrin Gjergj Kastrioti Skënderbe në Athinë si dhe të busteve e memorialëve të tjerë në Selanik apo vende të tjera ku dokumentohen bëmat e Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeut. Me “ngritje zëri” nënkuptoj degët e partive politike shqiptare në Greqi, degët e Partisë Demokratike, Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim etj., drejtuesve dhe asambleve të këtyre partive që në lidhjet e tyre me partitë politike homologe në Greqi të kërkojnë legjitimin e Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeut në Athinë nëpërmjet hapjes së një sheshi dhe ngritjes të një monumenti, në emërtime rrugësh e institucionesh shoqërore e shtetërore. Me “ngritje zëri” nënkuptoj veprën e shkrimtarëve, gazetarëve, artistëve të skenës e të ekranit, muzikantëve, piktorëve, skulptorëve, armatës së madhe të intelektualëve të të gjitha moshave që të bëjnë hapa vrapues për emërtimin e një sheshi dhe ngritjen e një monumenti për Gjergj Gjon Kastriotin-Skënderbeun në Athinë. Veprimtaritë në kuadrin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Vitit të Skënderbeut, krahas të tjerave, t’i lidhin, mes të tjerash, me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotin-Skënderbeun. Sesionet shkencore e përkujtimore duhet të përfshijnë tërë Greqinë, në stere e në ishuj. Me “ngritje zëri” nënkuptoj “një të katërtën” e popullit shqiptar që punojnë e jetojnë si emigrantë në Greqi, nënkuptoj të gjithë biznesmenët në Greqi, njerëz atdhetarë për të hapur e për të depozituar në një llogari publike bankare paksa nga kursimet e tyre për të bërë të mundur të gjitha shpenzimet për hapjen e sheshit dhe ngritjen e monumentit të Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeut në Athinë. Kryebashkiakun e Tiranës Eron Velia, që e shoh çdo ditë me lopatë në krah duke mbjellë pemë, e mira e të mirave është që një ditë ta shoh në Athinë, të takohet me homologun e tij grek dhe së bashku të mbjellin një ulli, simbol i paqes dhe begatisë në një shesh në krah të monumentit të Skënderbeut. E di që ekstreme nga segmenti i shoqërisë greke do ta kundërshtojnë ardhjen e Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeut në Athinë ashtu siç di se ekstreme nga segmenti i shoqërisë shqiptare, e kanë quajtur Skënderbeun “tradhtar të islamit”. Injorimi i tyre, shumëzimi me zero, përbën urën lidhëse evropiane për sot dhe për të ardhmen. Së fundi, një ftesë për dy kryetarët e dy tubimeve më të mëdha shqiptare në Greqi, Ermal Sulaj i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi dhe Arjan Cara, kryetar i Shoqatës “Nëna Terezë” në Selanik: Është koha që pikë të parë në programin e këtij viti të vini sjelljen e Skënderbeut mes emigrantëve, jo pak por një e treta e shqiptarëve në mërgim!
Sigal