Një natë në spitalin e Vlorës

1370
Sigal

Gëzim Llojdia

01- Besoj duhet të jetë një përvojë krejt e veçantë dhe gati interesante. Si mund të kalosh një natë pa gjumë, në spitalin e një qyteti jugor?! Qyteti shtrihej rrëzë kodrave me ullinj. Aso kohe, godina e karantinës në Skelë, u bë streha e Qeverisë së Vlorës. Kjo ishte godina e parë e spitalit të parë të qytetit jugor me 8 shtretër. Historia, vijon kështu, thuhet në kronikën e spitalit të Vlorës. Qeveria e përkohshme e Ismail Qemal Vlorës e mbështeti me investime dhe e kaloi në spital me 20 shtretër. Ky spital funksionoi deri në pushtimin italian. Më pas u zhvendos në godinën e Drejtorisë së sotme me dy baranga anash. Organika e parë e spitalit përbëhej nga Dr. Ali Mihali-drejtor, Dr. Musa Delvina dhe Ibrahim Dhrami si patologë, Dr. Ismet Gega-kirurg, Bajram Emiri-asistent kirurg, Emin Kuzumi si kryeinfermier, disa shërbëtore si sanitare, një kuzhinier dhe një roje xhandar. Në vitet 1911 – 1914 vijnë në Vlorë edhe shumë mjekë të tjerë si Simon Simonidhi, Halil Kamberi, Halil Loloçi, Avdul Vranari, Bari Çobani, Bedri Përmeti, Isak Korça, Haki Mborja, Bedri Puto, Omer Nishani, Ismet Gega, Xhafer Kongoli, Musa Delvina, Mihal Cani, Filip Papa, Musa Ohri. Po sipas kësaj kronike: Në 1916-n u ndërtuan godinat që janë dhe sot (pavionet 1-katëshe) gjithsej 4 godina me 50-60 shtretër. Me vendim të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, mjeku Ali Mihali emërohet drejtor i përgjithshëm, drejtor i spitalit dhe laboratorit. Me largimin e Italisë drejtor emërohet mjeku patriot Shezai Çomo. Në vitet 1923 – 1924 një shoqëri angleze mundësoi 6 shtretër për të sëmurët me TBC dhe 2 shtretër për observim infektivi. Në vitin 1926 qeveria e Ahmet Zogut vendos drejtor Fahri Reshitin. Në këtë periudhë paguheshin edhe 8 mjekë të tjerë. Në vitet 1933 – 1935 drejtor emërohet Dr. Shyqyri Cupishti, kirurg. Në vitin 1939, me pushtimin italian, vjen dhe punon si kirurg Prof. Leman (mjek Gjerman) më vonë vjen mjeku Italian Prof. Spinelli dhe mjeku shqiptar Vasil Dhimitri, drejtor deri më 1944, ky i fundit, hap repartin e radiologjisë që më 1931. Rajoni i vjetër i pediatrisë ishte në Qafë Babicë, sot kjo godinë nuk ekziston. Në 1945 Spitali i Vlorës kishte 160 shtretër.

2- Në rrugën:”Mitaq Sallata”, nën kodrinat me dheun e butë, dikur të veshura me ullinj. Aty 102 vjet më parë, ngrehinat spitalit bënin hije. Sot ka një rrugë të ngushtë. Rruga ka dy kahe, njëra për ambulancat. Dhe kjo udhë është e dy krahinave, Topalltia dhe Labëria. Në muzg parkojmë në të djathtë të spitalit. Me pagesë, është këtu vendqëndrimi i automobilave. Godina e madhe, joshte një bukuri në muzg dhe në sfond të diellit, që ishte shuar. Institucionet shëndetësore janë restauruar. Me pllaka bashkëkohore, ngjyrë gri me mure të patinuar. Me tabela orientimi. Makineta për çdo kat. Televizorë dhe stola në çdo shesh pritje të pavijoneve. Me tualete ku dora e shqiptarit lë nga një shenjë, për dreq. Një dhomë reanimacioni, të lë pa fjalë. E krahasoj me një dhomë hoteli. Me çarçafë të bardhë. Me shtretër komodë, me telefon dhe me aparatura. Kisha vite, që nuk kisha hyrë brenda këtij institucioni. Ruaja, ende si figurë, atë imazh të vjetër të spitaleve shqiptare. Nuk kishte më gjynahqarë. Dikur ata i ndeshje nëpër sallonet e tij. Çarçafët e bardhë të sillnin në kujtesë, një resort, nga bardhësia e Atlantidës. Me djem dhe vasha infermierë të veshur me uniforma bashkëkohore të infermierit. Që vinin, çdo 10-15 minuta. Arsyeja e thjeshtë: Shikonin pacientin. Kishte monitor, nëpër mure, ku mund të ndiqje gjendjen reale të pacientit. Në vitin 1994, erdhi në këtë spital, një shoqatë e krishterë. Më duket, nga Anglia. Mjekë, klerikë, specialistë. Dy grupe inspektuan, skanuan, kontrolluan dhe bënë në fund një bilanc. Spitali i Vlorës ishte një godinë e mirë, por jo aq e madhe për një qytet. Mjekët ishin heronj. Zbulonin sëmundjet me një stetoskop. Përdornin metoda, që perëndimi i kishte hequr prej 25-30 vjetësh. Aparaturat, kishin zëvendësuar punën e tyre, në perëndim, mjekët në këtë vend punonin si xherahë zbulonin sëmundjet nga përvoja apo aftësia e tyre. Gjendja ka ndryshuar për mirë. Dhe kjo i dedikohet atyre, që kanë pasion të punojnë. Kësaj armate, që rri zgjuar çdo natë me turnin e tretë shteti duhet t’u ngrejë të parëve, rrogat. Arsimtarët kanë vështirësi. Por infermierët kanë turn të tretë. Dhe çdo muzg ,ato ikën nga banesat e tyre për të punuar në shërbimin shëndetësor. Dikur mezi shkulej mjeku nga dhomëza dhe infermieri nga krevati i gjumit. E habitshme! E pabesueshme! Ndërsa tani: Me fjalë të tilla të ëmbla, “Nëna duro edhe pak!”, “Ja të të bëjë gjilpërën!”. “Duro dhimbjen nëna,nesër do të gdhihesh mirë!”.Çdo 10-15 minuta ato infermierët i rijnë pacientëve si dikur, roje vigjilentë. Në çdo dhomë pothuajse gjithë natën edhe atëherë kur njerëzia bën gjumë. Në spitalin e Vlorës ka ikur koha gjumit në turnin e tretë. Këtyre heronjve, shteti duhet t’u japë çdo muaj dy rroga shpërblim. Këtyre heronjve shteti duhet t’u japë punë dhe mos i lërë të degdisen emigracionit. Mos i lërë t’i marrë Gjermania, Italia apo Franca e gjetkë. Kurse asaj administrate shtetërore, që vozit, gjithë ditën e perëndisë ndër facebook, instagram, twiter, lere për më vonë. Jepua këtë ndihmë financiare këtyre njerëzve të turnit të tretë. Turni i tretë ka qenë lemeri në Shqipëri. Edhe shpërblimi që marrin sot ka ndryshuar. Mirëpo ai duhet të ndryshojë patjetër. Dhe rritja e pagave duhet të fillojë nga turni i tretë i spitaleve tonë. Nga infermierët, që çdo natë bëjnë këtë punë. Një natë gdhihemi në spital dhe na duket 500 vjet. Mirëpo këta hallexhinj, këta heronj që kanë mbaruar edhe shkollat larta, sa shekuj do t’u duken netët që kalojnë ndër pacientet në turnin e tretë?! Agu në kapsiti neve sytë, po kurrsesi infermierëve me syrin pishë.