Një ministër ndërhyn për të mbyllur hetimet

557
Nga muaji prill 2015 deri në qershor 2015, në Prokurorinë e Elbasanit janë regjistruar tre kallëzime penale ndaj firmës turke “KURUM”, e cila prej vitesh ushtron aktivitetin e saj në ish-uzinat e Kombinatit Metalurgjik. Kallëzimet janë bërë nga Komisariati i Policisë së Elbasanit, pas denoncimeve të qindra qytetarëve të fshatrave Bradashesh, Katundi Ri, Kusarth, Fushë-Mbret, dhe subjekteve private. Pasi janë regjistruar denoncimet dhe ankesat e shumta, Komisariati Policisë Elbasan është detyruar të verifikojë shkelje të shumta nga ana e kompanisë “KURUM” dhe ka dorëzuar në Prokurori tri kallëzime. 
KURUM ka kryer vepra penale të ndotjes së ajrit dhe transportim të mbetjeve toksike
Duke mos patur bashkëpunimin e duhur me Agjensinë Rajonale të Mjedisit, shërbimet policore kanë kryer inspektimin pranë ambienteve dhe territoreve, ku shtrihet aktiviteti kompanisë “KURUM” Elbasan, ku është kostatuar shkelje flagrante, që parashikohen për veprat penale “Ndotja e ajrit, transportimi i mbeturinave toksike” dhe “Ndotja e ujrave” parashikuar nga nenet 201,202 dhe 203 i Kodit Penal”. Burimet nga organi akuzës, të cilat e pranuan se kanë mbërritur kallëzimet nga organet policore, thanë se “Neni 201 i Kodit Penal e dënon ndotjen e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioactive, kur kalohet kufiri normave të lejuara, kurse kur vepra përbën kundërvajtje administrative, apo kundërvajtje penale dënohet me gjobë, ose me burgim gjer në dy vjet”. Në Elbasan realisht ndotja e KURUM, shkakton prej vitesh masakër shëndetësore, ndërkohë që kallëzimet parashikojnë dënime me gjobë, ose deri dhjetë vjet burg. Gjithashtu, neni 202 dënon “transportimin e lëndëve toksike” me burg nga një deri në pesë vjet burg dhe nëse ka sjellë dëme për jetën dhe shëndetin, dënohet deri dhjetë vjet burg. Hetuesit thanë se “në rast se konstatohen shkeljet ligjore, me të njëjtën masë dënohen edhe shkelësit e nenit 203”.
KURUM , tonelata skorrje hidhen në lumin Shkumbin
Policia pas denoncimeve ka kryer investigimin dhe zbuloi gjithashtu se tonelata me skorrje të mbetura pas shkrirjes së skrapit të importuar hidheshin buzë lumit Shkumbin, në kundërshtim me ligjin dhe me lejen e importimit të mbetjeve. Në muajin prill 2015 Inspektoriati i Mjedisit në Elbasan urdhëroi ndërprerjen e punës në fabrikën e çelikut për shkak se kjo kompani nuk kishte hequr skorjet, siç përcaktohet në ligj. Por sikur të mos mjaftonte kjo situatë, KURUM i ka hequr ato nga ambientet e saj dhe i ka depozituar në Shkumbin, duke krijuar një masiv gjigand atje. Firma turke KURUM, ka vite që ushtron aktivitetin e saj në ish-Kimbinatin Metalurgjik Elbasan, dhe ka rreth 600 punëtorë turq dhe shqiptarë, që i japin asaj rreth 200 milionë euro të ardhura në vit.
KURUM stakon filtrat, duke ndotur ajrin 
Aktiviteti kësaj kompanie realisht të ardhura të tilla, ka kosto për mjedisin në Elbasan, së fundi edhe për lumenjtë, dhe jetën e banorëve. Stakimi i filtrave ditën apo edhe natën, vazhdimisht kanë krijuar situata të rënda mjedisore, në një kohë që kjo firmë e huaj, ka një marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit për të ulur nivelin e ndotjes, gjë të cilën nuk e ka bërë deri sot. Tashmë pritet verdikti organit të akuzës dhe gjykatave, duke uruar që dosja e shkeljeve e cila rëndon prej vitesh në mjedisin dhe jetën e qytetarëve elbasanas, të mos ndikohet nga ndërhyrja e një ministri, që thuhet se po përpiqet për ta mbyllur atë pa vajtur për gjykim. Në numrat e ardhshëm gazeta “Telegraf” do të botojë fakte të reja të skandalit, ku implikohen njerëz të pushtetit, të akuzës, por edhe të kompanisë së biznesit. 
Sigal