Një mesazh nga Petro Marko

Besnik SHUSHICA

Mercenarizmi është cilësi e njerëzve me karakter të dobët. Jo më kot populli ynë ka nxjerrë shprehjen e famshme ”Qeni leh, atje ku ha”. Të tillë qen nuk i kanë munguar Shqipërisë në të gjitha kohërat. Lehjet e tyre nuk kanë reshtur as në këto vitet e pseudo-demokracisë. Madje janë shtuar duke u bërë më të neveritshëm se qentë e rrugës. Po le të qëllojmë në shenjë, se për kë e kemi fjalën konkretisht. Metodave rankoviçiane që aplikoi Koçi Xoxe në vitet e sundimit të tij gjakatar në krye të Ministrisë së Brendshme, nuk i shpëtoi as Petro Marko, shkrimtari i barrikadave të Spanjës dhe antifashisti revolucionar i pathyeshëm. Vuajtjet në birucat e regjimit komunist ai i ka përshkruar në librin e tij “Retë dhe Gurët”. Mjafton të përmendim një letër që ai dërgon Koçi Xoxes nga burgu dhe nuk ka nevojë të zgjatemi për këtë moment të jetës së tij: “Nëse të ka mbetur ndonjë fije shoqërie nga e kaluara jonë, do të të lutesha të jepje urdhër të më pushkatonin sa më parë, se nuk i duroj dot fyerjet e rënda dhe torturat çnjerëzore”. Kjo letër qe fatsjellëse për të, jo se e nxori nga burgu, por e shpëtoi nga plumbi edhe nga torturat. Mbas goditjes që pësoi Koçi Xoxe, shumë veta që ishin arrestuar gjatë kohës së tij në mënyrë arbitrare, dolën nga burgu dhe fituan pafajësinë. Një prej tyre qe edhe Petro Marko. Por kalvari i vuajtjeve për këtë burrë nuk kishte të sosur. Nuk kishte kaluar shumë nga sistemimi në punë, kur i vjen urdhri për “shkurtim organik”. Dhe nga kush?! Kur Petro Marko i kishte bërë bashkë pushkë e penë kundër mortajës nazifashiste, këta ishin sahanlëpirës të saj. Si njeri i drejtë, por edhe kurajoz, ai nuk hezitoi t’i shkruante ministrit të brendshëm të radhës, bashkëluftëtarit të tij të brigadave internacionaliste në Luftën e Spanjës, Mehmet Shehut. Është një letër me nerv, ndjenjë dhe mllef. Vetëm kështu dinte të shkruante biri i Himarës. Ja letra: “Shkëlqesisë së tij Mehmet Shehut, ministër i Punëve të Brendshme. Unë që po ju shkruaj këtë letër quhem Petro Marko dhe të paktën veten time e quaj patriot të ndershëm. Nëse nuk është kështu, se ju i njihni ata që janë armiq, mos m’u përgjigjni. Kam qenë korrektor letrar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ku punojnë njerëz të të gjitha ngjyrave, madje dhe nga ata që bashkëpunuan me nazistët dhe u pasuruan kur ne luftonim dhe vuanim. Erdhi një urdhër për shkurtim personeli dhe më gjetën mua të më shkurtonin… Tani dua t’ju pyes: Kush e ka fuqinë në dorë, ata armiq që bashkëpunuan me okupatorët, apo ne?! Nëse e kanë fuqinë në dorë ata, na thoni të dalim përsëri në mal për të çliruar popullin nga këto shushunja…” Dhe reagimi pozitiv nuk mungoi. Koha e djeshme pati shumë mëkate, por të paktën burrat e shtetit nuk mungonin, pavarësisht nga indoktrinimi i tyre ideologjik. 

U bënë gati tre muaj që PD ngriti “selinë” e protestës në bulevardin qendror të Tiranës dhe nën çadrën e saj gumëzhinë lloj-lloj zërash. Njerëzit e ndershëm ishin thjesht për fasadë. Ata nuk flisnin. E shumta mbanin dy gishtat lart dhe për kompensim iu jepnin nga një copë picë dhe shishe me ujë. Ata vazhdonin të shpresonin se mazhoranca që doli nga zgjedhjet e 2013-ës do kapitullonte nga oratoria bajate e Lulushit, plakushit apo karabushëve, që ëndërronin qiqra në hedh. Nën këtë çadër mësynë e pështynë, folën e pordhën edhe lavjerrësa politikë. Kjo kategori mercenarësh, herë majtas, herë djathtas dhe anasjelltas, më karikoi kujtesën për të sjellë në vëmendje të opinionit publik dy shembuj tipikë në kohë të ndryshme, por me të njëjtin mentalitet. Madje edhe me të njëjtin mbiemër: Premçi. Nuk e di në janë i njëjti xhins apo jo. Kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është se ajo ajo që i bashkon është mercenarizmi. Tahir Premçi gjatë Luftës Antifashiste u largua nga Atdheu si kolaboracionist. Në emigrim ra në thonjtë e zbulimeve të huaja dhe u dërgua ilegalisht në Shqipëri prej tyre me qëllime diversioniste së bashku me Zenel Shehun. Pa marrë ende frymë në tokën amë, arrestohen dhe pranojnë të bashkëpunojnë me Sigurimin e Shtetit. Me këta dy individë mori udhë radioloja “Liqeni i Vajkalit”. Në rolin e radistit të grupit, Tahiri iu transmetonte me përpikëri padronëve tekstet e koduara nga Kadri Hazbiu. Kjo situatë bëri që ai të fitonte besueshmërinë e krerëve të Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor korrekt. Por erdhi një çast që ai u kthye në origjinë. Tentoi të arratisej andej nga kishte ardhur për t’u bërë përsëri palë me shërbimet e huaja sekrete. Por nuk mundi. Përfundimisht shkoi si qeni në vreshtë. Premçi tjetër, me emrin Shemsi, aktualisht është Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile. Ky zotëri gjatë viteve të Diktaturës shërbeu me besnikëri shembullore në mbrojtje të kufirit shtetëror ndaj shkelësve të tij, nga jashtë apo brenda vendit. Me startimin e PD-së si forcë qeverisëse e vendit, u fut nën palët e flamurit blu dhe nuk u vu në siklet për të marrë pozat e antikomunistit të thekur. Pa iu skuqur faqja, dha shembullin e keq për të flakur në rrugë ish-kolegë të tij, që nuk e ndoqën politikisht nga pas dhe bëhet një nga lejtnantët më të zellshëm të Agim Shehut. Edhe kur PD-ja doli në opozitë, si rezultat i keqpërdorimit të pushtetit, Shemsiu ishte pjesë e departamentit të Sigurisë të kësaj force politike mëkatare. Në shtator 1998, ai është arrestuar si një nga banditët që morën peng Radio-Televizionin Shqiptar, nga ku u dhanë lajmet se “Qeveria Nano kishte rënë dhe se shteti ishte në dorën e rebeluesve”. Falë deklaratës së kancelarive perëndimore, se “Nuk njohim asnjë qeveri që vjen nëpërmjet dhunës”, këta banditë hoqën dorë nga zaptimi i institucioneve shtetërore dhe gjetën fole në selinë e PD-së. Si rezultat i dështimit të procesit gjyqësor për grushtin e shtetit të shtatorit 1998, ai lë qelinë, por nuk braktisi selinë. Rikthehet prapë në departamentin e Sigurisë së PD-së. Me rikthimin e PD-së në pushtet, mprehet për Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Por për habinë e tij, kjo karrige i besohet Premçit tjetër, Ahmetit, që qysh gjatë qeverisjes së majtë, kryente detyrën e drejtorit të policisë së Qarkut. Kjo rrethanë bëri që ai gradualisht të mbante një farë distance me kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit, por jo me Sali Berishën. Këtë e dëshmoi më 21 janar, ditën e protestës në bulevardin qendror, në pozicionin e drejtorit të Forcave Speciale, kur lejoi hedhjen e gazit lotsjellës, ndërsa vartës të tij rrahën në mënyrë barbare qytetarë të thjeshtë në hollin e kullave binjake. Ashtu si minjtë që ndiejnë tërmetet, edhe ky parandjeu se zgjedhjet e qershorit të 2013-s do e nxirrnin PD-në në opozitë. Në prag të këtyre zgjedhjeve, merr flamurin e denoncuesit të veprimeve abuzive të eprorëve të tij, duke dalë ditë për ditë në televizor për t’u shndërruar në person publik. Ndjenja karrieriste e rihodhi në krahun e majtë, atje ku kishte qenë deri në vitin 1991. I kthen kurrizin PD-së dhe i shkel syrin PS-së. Taktikisht manovroi bukur, duke krijuar përshtypjen se në radhët e ish-mazhorancës kishte luajtur rolin e Pal Mëlyshit në gjirin e bandave. Dhe mazhoranca e re nuk ia kurseu hedhjen e kockës. Ai vazhdon ta lëpijë këtë kockë këtu e katër vjet. Përsëri i krekosur dhe kur i cenohet autoriteti, nuk nguron të kërcënojë fizikisht, siç bëri me gazetarin Dritan Hila, i bindur se ka mburojë politike. Kjo përkujdesje ndaj tij më kujton aforizmin: “Kocka që i hidhet qenit nuk është mëshirë. Mëshirë është kur e ndan kockën përgjysmë me qenin, duke qenë vet jo më pak i uritur se ai.” Por nuk nuk është çudi, që sharrimi i këmbëve të karriges që mban, ta imponojë të rikthehet përsëri te bariu shpirtëror, te ai që nuk iu merr vetëm leshin deleve, por iu rrjep edhe lëkurën. Pyetja që Petro Marko i bën Mehmet Shehut se “Kush e ka fuqinë në dorë, ata ( të shiturit) apo ne(mishi dhe gjaku i këtij pushteti”), tingëllon aktuale. Unë përmenda dy “Premçër”. Po të tillë gëlojnë me bollëk në qeverisjen e e Rilindjes. Kur kjo mazhorancë do kalojë në opozitë, do ta kuptojë se sa i dëmshëm është mercenarizmi. Asnjëherë nuk është vonë për të reflektuar.