Një libër i ndërtuar si polifoni zërash

601
Sigal

Lumo KOLLESHI

Kur të fton një libër i ri për të diskutuar për të, është e natyrshme që të shtyn nga brenda një dëshirë artikulimi dhe fjalët e kanë më të lehtë udhën e tyre.Krejt ndryshe po më ndodh sot me monografinë e autorit Abdurahim Ashiku: “Dashmir Zaçe-një rilindës i kohës sonë”. Po e them që në krye të herës: Sa më shumë ta kesh njohur njeriun, qytetarin e shqetësuar të rrugës tënde të përbashkët, kolegun e dyfishtë: Mësuesin dhe krijuesin bashkudhëtar, te fjala sepse rritet edhe përgjegjësia, rritet po kaq natyrshëm edhe vështirësia. Edhe këtë problem duket se e ka zgjidhur vetë autori i librit, i cili është udhëhequr në punën e tij hulumtuese nga dashuria me parimin e tij krijues: “Njerëz që i dua”. Këtu lind mirëfilli edhe një pyetje: Pse e ka dashur kaq shumë Dashmirin tonë një dibran? Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e jep vetë libri që na ka mbledhur sot.

Libri në fjalë, në tipologjinë e vet klasifikohet si një monografi edhe nga lexuesi më i thjeshtë, por brenda saj autori ka arritur të mbledhë polenin e të gjithë luleve dhe ia ka arritur të sjellë jo një jetëshkrim të atypëratyshëm për figurën e vet, Dashmirin, por vetë libri i ngjan një ansambli ku i gjen të gjithë zërat dhe instrumentat e këtij ansambli kanë vendin e vet. Pra, ky libër është ndërtuar me një polifoni zërash, ku secili zë ka intonacionin.emocionin dhe destinacionin përkatës. Libri nis me fjalët e zemrës së Elvanës, bashkëshortes, jo thjesht si një parathënie që gjejmë rëndom në librat e tjerë të këtij lloji, por si parathënia e parathënieve; janë fjale zemre për njeriun më të afërt ku të dy së bashku i dhanë dimensionin e një jete. Më tepër sesa një rrëfim për atë që njohu më shumë, këtu ballafaqohemi me një reflektim të reales, pa emfazë e glorifikime. Brenda kësaj logjike vjen natyrshëm dhe rrëfimi i dytë, një rrëfim tepër i sinqertë nga vajza, që përveç largësisë kontinentale ,i duhet të përballojë dhe mungesën e madhe të babait,të idhullit edhe të shokut të vet. Ky rrëfim bart në vetvete një mesazh tejet njerëzor për ndërtimin e marrëdhënies prind-fëmijë.Autorit të monografisë tanimë puna i vështirësohet, por ai e gjen eurekën e vet dhe, për të qenë brenda besueshmërisë së fakteve, i pandikueshëm prej tyre, për rrjedhën e vet jetës, ia le të drejtën heroit të vet përmes vetëshprehjes. Përmes këtij zëri vijnë faktet më domethënëse të jetës nga vet jetari i saj në formatin e një autobiografie të përmbledhur. Pasi përfundon ky ligjërim,i miratuar që në gjalljen e vet nga heroi i librit, autorit nuk i mbetet gjë tjetër dhe, nga këtu,vë në lëvizje polifoninë e zërave, të cilët do të shtojnë me penelata të shpejta një mbresë, një miqësi të vjetër apo të re, një angazhim,një reagim apo rebelizëm, një udhëtim apo eksplorim, një mbështetje apo dëshirë për të arritur rezultatin, derisa vjen momenti më kulminant apo kurora e gjithë veprimtarisë shqipdashëse: Misioni i përhapjes së gjuhës së kulluar të Naimit të fëmijët shqiptarë në atë pjesë të botës ku e çoi fati i emigrantit, në Selanik.Tanimë në libër vijnë vrullshëm erat e një jete krejt të re, plotësohen njohje të reja me njerëz qëndrestarë e dritëpërhapës si edhe ai, lidhen e çimentohen miqësi që do të vazhdojnë dhe përtej vdekjes, sepse në thelbin e tyre qëndronte vetëm dashuria. Autori këtu gërsheton e harmonizon nga kujtimet, si ai i marsit 2001 me Mimoza Bejkollarin me rastin e njohjes së vet me Dashmirin në po këtë mars e, prej kësaj kohe do të krijohet një lidhësi e pazgjidhshme. Në këtë lidhësi ishte edhe dëshira, edhe pasioni, edhe profesioni i mësuesit, por mbi të gjitha ishte vet njeriu, siç do ta kujtojë e përkufizojë Arjan Cara, kryetari i shoqatës së emigrantëve “Nënë Tereza”. Lexuesit, si në një ekran të madh e me një shpejtësi të rrufeshme i kalojnë titrat e një jete të ngjeshur në Selanik: Takime, punë, mësim, mbledhje, seminare në përparimin dhe mbarëvajtjen e përhapjes së shqipes me motivin naimian “Lum kush zë të mbjellë”. Në një syth të librit “Dy orë me Laver Bariun” autori sjell disa mbresa nga ky takim me ustain e klarinetës dhe besoj që ky takim ka ndodhur, pasi Dashmiri e kishte sjellë në jetë librin e tij të parë me rrefenja. Pikërisht këtu atij do t’i shkrepte ideja për të mbledhur “këngët e kalbura”,siç do t’i quante ai mes miqsh, këngët e dashurisë, këngë pa të cilat nuk mund të konceptohet folklori i Përmetit. Edhe në këtë drejtim ai punoi me një këmbëngulje e pasion të çuditshëm, por ia arriti të botonte një përmbledhje dinjitoze. Udhëpërshkrime të ngjeshura në trojet e lashta të shqipes, në vendet e shenjta të lirisë kombëtare, ballafaqime e përgëzime për udhën e nisur, bujari e mikpritje, mbresa dhe dashuri do të gjesh jo vetëm në kreun e dytë, por dhe në kreun e tretë “kur shpirti flet” apo më tej “Mik me të gjithë”. Një libër i këtij formati do ta kishte të vështirë volumin e mbresave,të përshkrimeve, të problematikave pa gjetur dhe trajta të ndryshme ligjërimore, atij do t’i duheshin edhe thyerje të rrëfimit. Kështu autori e gjen me vend të sjellë formën e ditarit, qoftë ky dhe internetik, edhe të meditimit të miqve e personaliteteve, vlerësimet e tyre për punën misionare. Në faqet e këtij libri takohesh edhe me dhimbjen pikëlluese, me boshllëkun qe le një ikje aq e beftë dhe e papritur, por Brenda kësaj dhimbje ka shumë të çara nga hyn dhe drita e kjo dritë e ka emrin mirënjohje e respekt për njeriun që eci në gjurmët e rilindasve të mëdhenj, por kjo mirënjohje mbetet diçka e munguar nga ana e institucioneve. Ndoshta kjo mbetet edhe brenga e vetme e autorit të këtij libri, të cilin e mbyll me një elegji të vetën.