Një lajm i gëzueshëm për ata zjarrfikës që luftuan muajt e verës flakët në Tiranë

250
Të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës në kryeqytet do të marrin një pagë shpërblim dhe një pagesë shtesë prej 25% për punën e kryer jashtë orarit zyrtar.
Veliaj deklaroi në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak se propozimi i tij vjen si rrjedhojë e punës së mirë të bërë nga Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit duke arritur të përballojë me sukses të gjitha vështirësitë e krijuara si rezultat i zjarreve të shumta të rëna nga temperaturat e larta. 
“Të gjithë jemi dëshmitarë të punës së jashtëzakonshme që kanë bërë punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit gjatë muajve korrik, gusht dhe fillimit të shtatorit. Unë e kam ndjekur nga afër punën e tyre në terren, ashtu si edhe disa nga drejtuesit e tjerë të bashkisë, por edhe shumë prej anëtarëve të Këshillit. Ishin kushte jashtëzakonisht të vështira, me temperatura që arrinin deri në 40 gradë edhe pa praninë e zjarrit, me terrene shumë të thyera në disa raste”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë deklaroi se puna e palodhur nga punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në Bashkinë e Tiranës bëri të mundur shpëtimin e sipërfaqeve të shumta pyjesh dhe kullotash nga djegia dhe e shpëtimit të jetëve njerëzore.
“Nëse nuk u dëmtua asnjë banesë, nëse nuk u dëmtua asnjë pronë e qytetarëve të Tiranës, nëse nuk u lëndua asnjë qytetar, e gjithë kjo është meritë e punës së këtyre burrave e grave të cilëve ju detyrohemi një shenjë mirënjohje si qytet”, deklaroi Veliaj, ndërsa kërkoi votimin unanim të këtij vendimi nga të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak.