Një Kardinal si Rrok Mirdita, nder për Shqipërinë!

278

Dje, Imzot Mirdita mbushi vitin e 75-të të jetës së gjatë të tij në mes besimtarëve, miqve, familjarëve e ithtarëve të tij. I lindur në Kllezen të Ulqinit, bir i një familje të nderuar të asaj zone, shumë shpejt do bëhej udhëtar i besimit dhe lutjes kishtare, duke u shuguruar prift me 2 korrik 1965 dhe duke shërbyer si famullitar i devotshëm në mes komunitetit shqiptar. Imzot Mirdita shërbeu për një kohë të gjatë në Famullinë e Bronx, NY,USA në krah të dom Zef Oroshit dhe luajti një rol të rëndësishëm në ruajtjen e besimit, gjuhës e zakoneve të mira shqiptare. Imzot Mirdita ishte aktiv dhe promovues i çështjes Kombëtare Shqiptare dhe shumë herë ka qenë në krye të lëvizjeve panshqiptare në Amerikë duke kërkuar të drejta për shqiptarët këtu e jashtë kufijve, si dhe duke denoncuar sistemin e dhunshëm komunist që kishte kapluar Shqipërinë. I njohur për virtytet e tij të jashtëzakonshme në shërbim të Kishës dhe komunitetit, duke qenë korrekt me doktrinën katolike dhe novator në idetë për dialogun ndër fetar, me 25 dhjetor 1992 me dekret të veçantë të Papës së Romës, Gjon Pali II, ai emërohet Kryeipeshkëv i Dioqezës Tiranë-Durrës dhe fillon zyrtarisht udhëheqësin baritor në Kishën e rrënuar nga sistemi komunist, por që shumë shpejt do të niste ringritjen e saj. Kjo falë vendosmërisë së Imzot Mirditës dhe besimtarëve të tij që shtoheshin në numër e në vullnet për të ringjallur shpresën e ngritjes së Kishës Katolike në nivelin e simotrave të saj europiane. Në vizitën e tij në Shqipëri me 25 Prilli 1993, Papa Gjon Pali II e shuguron Imzot Rrok Mirditën si Kryeipeshkev dhe e bekon në rrugën e vështirë të ringritjes së Kishës Katolike në vend. Me karizmën e tij dhe me fjalën e Zotit, Imzot Mirdita vazhdon rrugën e vështirë për ndërtimin e kishave të reja nëpër dioqezën Tiranë-Durrës dhe në mbarë Shqipërinë, duke sjellë zhvillim e bashkëpunim. Me iniciativën e tij dhe me vullnet të fortë, Imzot Mirdita nis ndërtimin e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, e cila jo vetëm u mbush me besimtarë të devotshëm e vullnetmirë, por solli edhe një risi arkitekturore në kryeqytetin e zhurmshëm shqiptar. Imzot Mirdita është novator e nxitës i dialogut ndërfetar në Shqipëri duke qenë një urë lidhëse e rëndësishme në mes besimeve fetare, e duke sjellë në vëmendje rëndësinë e bashkëjetesës nën një flamur e identitet kombëtar. Për këto cilësi e virtyte, Imzot Rrok Mirdita është “Qytetar Nderi” i Bashkisë Tiranë dhe i Bashkisë Rrëshen, Mirditë duke nxjerrë në pah rëndësinë e të qenit Bari i Kishës Katolike Shqiptare dhe i qindra e mijëra besimtarëve. Dhe kështu vit pas viti e vepër pas vepre të mirë, Imzot Rrok Mirdita hyri në vitin e 50-te të shugurimit si prift e në të 75 vit të lindjes së tij duke qenë një njeri i adhurueshëm për besimtarët dhe i lakmueshëm në ajkën intelektuale të vendit. Suksesi do të vazhdonte me pritjen madhështore që bashkë me kolegët e tij, e në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare, i rezervuan Papës Françesk, cili nuk do harrojë kurrë shqiptarët e vuajtur për fe e për atdhe. Është imzot Mirdita që me kurajon e tij, solli dëshmitë e gjalla në Katedralen “Shën Pal” duke përlotur Papën Françesk e mbarë shqiptarët vullnet mirë. Ndaj kërkesa e besimtarëve katolikë dhe e mbarë qytetarëve shqiptarë për të pasur një Kardinal në Vatikan, plotësohet më së miri me Imzot Rrok Kol Mirdita, si përçues i vlerave të besimit shqiptar dhe pjesë e krenarisë në rilindjen e kishës katolike në vendin e dalë nga 50 vite barbari komuniste. Çdo ditë e më shumë duhet ti kërkojmë Vatikanit pranimin e vullnetit të besimtarëve shqiptarë për të pasur në gjirin e tij një Kardinal si Rrok Mirdita, i cili jo vetëm i bën nder Kishës Katolike, por mbarë popullit shqiptar që aq shumë i beson mirëkuptimit e bashkëjetesës në mes besimeve .

Valentin Macaj