Një “KANDAR” që s’e ka bota… Por e ka Shqipëria…

1142
Abdurahim Ashiku

Fejton
Kur dëgjon fjalën “kandar” mendja të shkon tek një vegël matëse, vegël që ka një bisht të gjatë të shkallëzuar nga njëra anë për kilogramë e nga ana tjetër për okë, si ta duash e si ta kesh bërë pazarin. Mbi bishtin e gjatë lëviz një topth i rëndë, “top kandari” siç i thonë nganjëherë me shpoti. 
Ka dy lloj kandarësh klasikë, një të madh me dy kanxha që kapen pas një shkopi të trashë mbajtur nga dy burra në supe për të peshuar drithë në thasë apo prodhime bujqësore në kosha apo dengje…Dhe një të vogël me një pjatë që kapet pas kandarit në tri pika me zinxhirë për të peshuar në kilogramë dhe okë, prodhime të të gjitha llojeve…
Kohët moderne tani këto lloj kandarësh i kanë nxjerrë në “pension”. Meraklinj reliktesh i mbledhin dhe i varin mureve të lokaleve, që të vjetrit i shohin me nostalgji, kurse të rinjtë me bezdi.
Të tjerë “kandarë” kanë dalë e, sido që të jenë, mekanikë apo elektronikë të njëjtën gjë bëjnë, peshojnë në kilogramë, në kuintalë, tonë, madje edhe në njësi të tjera mbledhur në një fjalë metrologji…
Kandari, në tërë historinë e përdorimit të tij ka qenë në dorën e shitësit. Ai peshon, ai të jep çmimin, ti paguan.
Unë nuk di ndonjë rast në botë (megjithëse me thënë të drejtën nuk kam bërë asnjë hulumtim) që blerësi, me “kandar në xhep” të shkojë tek “shitësi i perimeve” dhe t’i thotë “më jep të peshoj dy kile domate” ! 
Ju dini? Nuk e besoj ndaj bashkohuni në rrëfenjën time për një lloj kandari që e keni blerë (pa asnjë lloj pazari) dhe e keni vendosur në shtëpinë tuaj.
Madje edhe keni firmosur një kontratë siç firmoset në të gjitha kontratat pa e lexuar fare (e kush e ka ngenë të lexojë kontratat me 3-4 faqe me germa kompjuterike 10-tshe që t’i errin sytë).
Nuk do t’i kisha hyrë këtij hulumtimi sikur Fix-fare të mos më kishte çuar para tre netësh në Kranes të Sarandës. Banorët kishin dalë në rrugë dhe kërkonin ujë.
Ujë kërkojnë thuajse çdo mbrëmje nga Veriu në Jug e nga Perëndimi në Lindje të Shqipërisë… Ujë në mes të fshatit gati për të mbush kovat e gjymat, ujë në shtëpi, ujë 24 orë…
Kranasit apo Krandjotët si ta them në të folurën e tyre fshatçe, furnizoheshin vetëm 15 (pesëmbëdhjetë) minuta me ujë në 24 (njëzet e katër) orë në ditë.
Dhe kjo, siç thoshin dëshmitarët, ndodhte kur Bistrica u kalonte pranë për t’u derdhur në det!?
Kjo, bazuar në ato që shoh e dëgjoj çdo mbrëmje e që më kujtojnë Nolin kur bërtiste “Anës lumit i palarë…”, nuk më ngjalli ndonjë emocion sa të ulesha e të shkruaja.
Ajo që më habiti ishte fjala e drejtuesit të ujësjellësit të Sarandës. Jo për proçkën, se tani që turistët po ikin dhe ju do të merrni “një gjysmë ore ujë në ditë” por për përgjigjen që i dha një klienti kur ai kërkoi që ujin ta paguajë, për aq sa merr dhe jo 13.500 lekë të vjetra, sa i vjen fatura afrofe.
Drejtuesi zyrtar shtetëror i tha me plot gojën se “Sahatin e ujit duhet ta vesh ti, është detyrimi jot”.
Nuk i ve faj nëpunësit, aq di dhe aq bën. Pa kokë lart dhe për inerci edhe pa kokë poshtë. 
Shteti shqiptar ka vendosur që sahatin e ujit ta blejë blerësi i ujit. Dhe ta vendosë (kundrejt pagesës sigurisht) ujësjellësi!?
Nuk e di se çfarë mendje e hollë e ka bërë këtë ligj apo urdhëresë, që blerësi, me “kandarin” e vet blen ujë nga shitësi!?
Me këtë mendje “të hollë” duhej që edhe matësit (kandarët) e energjisë elektrike duhet t’i kishte vënë konsumatori. Edhe matësit e impulseve telefonike duhet t’i kishte blerë dhe vendosur përdoruesi.
Kam gati një çerek shekulli që jetoj në një kryeqytet evropian (Athinë) që e merr ujin nga 185 kilometra larg (nga një ujëmbledhës i ndërtuar në vitet ’30-të të shekullit të kaluar), që uji nuk ndërpritet asnjëherë, që matësit e harxhimit të ujit janë vendosur poshtë pallatit, në trotuar, që kontrollohen, ndërrohen me të rinj nga ujësjellësi, pa asnjë detyrim nga klienti, që për çdo metër kub të harxhuar paguaj 0,35 euro…
E di që kjo gjë do kohë dhe kokë për t’u bërë…
Por që matësin e ujit ta blejë klienti këtë nuk besoj, se do ta tolerojë asnjë vend në botë.
Kandari është kandar, i cilësdo forme që të jetë, me shkop të dhëmbëzuar e me top që rrëshqet mbi duke shënuar kilogramët dhe okët, mekanik apo elektronik, për lëngje apo rrymë elektrike, ai ka qenë është dhe duhet të jetë pronë e shitësit e jo e blerësit.
Një ndër fjalët e shumta qesënditëse për kandarin thotë: “Ka ardhur kandari në bisht” kuptimi i së cilës në shprehjen popullore është: “ka ardhur puna sa nuk mund të durohet më; është kaluar masa; ka vajtur thika në kockë” !
Kështu ndodh kur kemi një shtet “TOP KANDARI”
Sigal