Një jetë në shërbim të arsimit vlonjat. Mirënjohje për mësuesin Ali Belshi

961
Sigal

Këto ditë u nda nga jeta shoku, miku dhe mësuesi i talentuar vlonjat Ali Belshi.
Ai lindi në Vlorë, më 13 maj të vitit 1951 në një familje arsimdashëse dhe me prirje për shkencat e sakta. Që fëmije në ciklet e ulëta të shkollës Aliu, spikati për pasionin e tij në matematikë, u dallua në shkollën e mesme si talent në në këtë shkencë. Më vonë vazhdoi studimet e larta në universitetin e Tiranës në degën e matematikës. Aliu u dallua si student me formim të lartë shkencor dhe e përfundoi atë me rezultate të larta. La emër të veçantë te studentët e pedagogët e degës së matematikës dhe kujtohet me respekt në Fakultetin e Shkencave. Mbasi mbaroi studimet, Aliu, u emërua në shkollën Teknike Kombëtare në Përrenjas. Aty u dallua si pedagog me formim të lartë shkencor, por dhe si mësimdhënës i shkëlqyer dhe autoritar. Nxënësit e tij e kujtojnë profesor Aliun me shumë respekt kudo që ndodhen. Më vonë profesor Aliu dha mësim në gjimnazet “Halim Xhelo” dhe “Ali Demi” të Vlorës. Nuk është e lehtë të japësh mësim në këto gjimnaze sepse duhet formim i lartë shkencor e pedagogjik, të përballesh me nxënës me kërkesa të larta. Gjimnazet “Ali Demi” dhe “Halim Xhelo” kanë nxjerr nxënës që kanë bërë emër kudo duke u bërë shkencëtarë e drejtues të zotë të ekonomisë. Aliu i përballoi me dinjitet këto sfida duke u bërë një nga mësuesit më të dalluar dhe më të dashur të këtyre gjimnazeve. Për disa vite ai kreu punën si drejtor i shkollës “Ali Demi”. Megjithëse ishin vite të vështira pas trazirave të vitit 1997, Aliu ia doli ta ringrinte atë shkollë duke spikatur si organizator e drejtues me vizion, por dhe udhëheqës i talentuar i ansamblit të mësueseve të asaj shkolle. Dallohej për një korrektësi jo të zakonshme dhe shërbeu e do të shërbejë dhe në të ardhmen si model për nxënësit dhe mësuesit. Aliu para disa kohesh doli në pension duke lënë emrin e mirë e të respektuar dhe do të kujtohet me respekt nga breza nxënësish e mësuesish. Megjithatë ai nuk hoqi dorë nga matematika duke përgatitur nxënës për olimpiada e konkurse të ndryshme gjë që e bëri me mjaft sukses. Për gjithë intelektualët e Vlorës në veçanti për mësuesit ikja e parakohshme e Profesor Ali Belshit ishte një humbje dhe dhimbje e madhe. Me këtë rast Shoqata e Intelektualëve Vlonjatë shpreh respektin e thellë ndaj këtij njeriu të mirë e të nderuar dhe i shpreh ngushëllimet e sinqerta Familjes dhe të afërmve të tij. Lamtumirë përjetë mësuesi i respektuar dhe njeriu i mirë Ali Belshi!

Shoqata e Intelektualëve Vlonjatë

 Vlorë, më 10.11.2018