Një i sëmurë mendor në burg , akuzohet për vjedhje, nëna: Ma çoni në spital

659
Në moshë shumë të vogël ai shfaqi problemet e para shëndetësore e kur mbushi 6-vjeç u diagnostikua me ‘prapambetje mendore’. Sot ndodhet në qelitë e paraburgimit në Vaqarr, pasi akuzohet se i ka vjedhur biçikletën një fëmije. “Djali as nuk flet e as nuk më përgjigjet”, thotë Suzana Balliu, nëna e 24-vjeçarit, teksa shton se gjendja shëndetësore e të birit sa vjen dhe rëndohet.
“Ai është i sëmurë. Unë nuk dua ta shfajësoj për vjedhjen edhe pse nuk e di nëse e ka marrë vërtet biçikletën apo jo, por dua vetëm që të mos e mbajnë në burg, por ta dërgojnë në Psikiatri ose në Spitalin e Burgut. Me avokatin i kam bërë kërkesë drejtorit të burgut dhe drejtorit të përgjithshëm, por s’më kanë kthyer përgjigje. Ne jemi shumë të varfër: Dje (pardje) e vizitova në burg dhe i çova vetëm dy domate, 2000 lekë (të vjetra) sallam, 2000 lekë (të vjetra) djathë dhe 2 panine”, thotë Suzana, teksa përgjërohet ta ndihmojnë.
PSIKIATRIA & KMPAC 
Artur Meta nuk është një pacient i panjohur për Shërbimin e Psikiatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sipas konsultave e recetave të lëshuara nga mjekët e këtij pavijoni e që “Gazeta Shqiptare” i disponon, shprehet qartë gjendja e tij shëndetësore. “Pacienti referon kriza dhe shenja agresiviteti. Ka kryer edhe EKG, e cila më referon shenja epilepsie”, thuhet në një prej konsultave, ndërsa në kartelën e tij klinike saktësohet se pacienti ka atake dhe humbje vetëdije. Po ashtu, në një tjetër dokument që përmbledh daljen nga spitali në datë 18.04.2014 thuhet se diagnoza e shtrimit është çrregullimi i sjelljes, e cila lidhet edhe me situatën e rënduar sociale në të cilën jeton. 24- vjeçari plotëson edhe kushtet për të fituar të ardhura për invaliditet të plotë meqenëse vuan nga sëmundja e çrregullimit mendor.
DREJTORIA E BURGUT
Gjendja shëndetësore e Metës është vënë re edhe nga vetë Institucioni për Ekzekutimin e Vendimeve Penale në Vaqarr. Përmes një shkrese zyrtare, më datë 25 qershor 2015, drejtori i burgut, Bardhyl Faskaj informon avokatin Qazim Gjonaj se në datën 16.06.2015 pacienti ka bërë një krizë epileptike, që zgjati rreth 10 minuta e që kaloi pas aplikimit të mjekimit. “Gjatë qëndrimit në IEVP, pacienti ka qenë i axhituar, anksioz e i stresuar. Për shkak të diagnozës së tij paraqet vështirësi në komunikim, çrregullim të sjelljes dhe vështirësi në zbatimin e kërkesave apo urdhrave”, thuhet në shkresën me nr.protokolli 1092/1.
Ndërkaq, vendosja e të burgosurve apo të paraburgosurve në institucione mjekësore jashtë spitalit parashikohet në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve. Sipas nenit 16 të këtij ligji “vendosja e personave në institucionet mjekësore të veçanta, jashtë sistemit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, kryhet në zbatim të vendimit të gjykatës. Vendosja e personave në seksione mjekësore të posaçme kryhet në zbatim të vendimit të gjykatës ose të urdhrit të ekzekutimit të prokurorit. Në rastet që nuk presin, vendosja e personit të paraburgosur ose të dënuar urdhërohet nga drejtori i institucionit ku ndodhet i paraburgosuri ose i dënuari, duke vënë në dijeni menjëherë prokurorin”.
Sigal